NGA ERALDO REXHO*

Një puhizë e lehtë deti na përplaset në fytyrë teksa lëmë autostradën dhe marrim në të djathtë për te Mali i Robit, në Kavajë. Prej një muaji, Ledina Çelo është vendosur bashkë me familjen për pushime në një prej apartamenteve buzë detit. Kemi rënë dakord për një bisedë që rrëfen jetën e saj si nënë, bashkëshortin, të vegjlit dhe këngën. Më vijnë ende ndërmend kohët kur isha në fillore dhe e shihja atë prej ekranit “Telefunken”, në festivalet e këngës apo në emisionet televizive. Mbaj mend, se sillte energji pozitive edhe përtej xhamit të televizorit modest.

Sot, shumë vite më vonë, ajo është nënë e dy fëmijëve, por energjia e saj pozitive, me kohën nuk ka humbur. E ndjej kur del e na pret te shkallët, e ndjej kur na tregon shtëpinë, e ndjej kur më përgjigjet, e ndjej mandej edhe më shumë kur ledhaton fëmijët.

Në një prej këtyre endjeve tona nga një dhomë në tjetrën, në apartamentin buzë detit, Erlisi, djali i Ledinës, na bën një lojë të këndshme, që ende më bën të qesh: na lë në ballkon, duke mbyllur derën, sepse sipas tij, për t’u futur brenda shtëpisë duhej të përdornim kartën, që në të vërtetë nuk ekzistonte. Në këtë moment, ne ia marrim këngëve të saj, duke filluar që nga “E doni dashurinë” në duet me Luan Zhegun, “Fal”, “San Valentino”, “Ma ke prish gjumin e natës” me Sabri Fejzullahun, e deri te “Të ndjej të huaj”, “Vagabond”, “Dangerous”, “Gaboja” etj. Skena si kjo, Perianna i sheh me habinë e një foshnjeje, që ende nuk kupton ç’ndodh përreth saj.

Teksa Suela Çangu, artistja e njohur e make up-it, pikturon portretin e Ledinës për të qenë gati për setin fotografik, e bija e këngëtares, Perianna, qesh kur e sheh të ëmën të lyhet dhe nuk ia ndan sytë për asnjë çast.

Po të mos e dija më herët moshën e Ledinës, nuk do t’i dalloja dot tek ajo vitet, as para e as pas grimit. Lëkura dhe pamja e saj i fshehin ato më së miri, dhe pa u menduar gjatë e pyes nëse ka bërë ndërhyrje. Përgjigjja që më jep, është një prej më të bukurave që kam lexuar të thonë jo vetëm për këtë temë, por edhe për “punën” që bën njeriu me veten, për të gjetur paqen, për të luftuar të keqen dhe të huajën. “‘Ndërhyrja’ ime është SHPIRTI im. Jam mësuar t’i shoh gjërat me shumë pozitivitet. Është shumë e rëndësishme kjo! Edhe aty ku ka ngjyra të errëta, unë mundohem t’i shtoj kolore. E dashuroj të bukurën. E vlerësoj talentin. Mundohem të jem e vërtetë me veten dhe të tjerët. Këto e bëjnë një femër të mos ketë nevojë për ndërhyrje”.

Rrëfimi i saj, përqendrohet te fëmijët dhe i shoqi, te muzika, e shkuara dhe projektet. Siç e mësuat tashmë, ajo nuk lë jashtë vëmendjes as shpirtin, atë formë të padukshme që shënjon kaq fort, gjithfarë gjëje të dukshme.

Ledina, si po kalon këto kohë?

Më e lumtur se kurrë, sepse familja është shtuar me një pjesëtare të re, Periannën, që i ka dhënë atë lezetin, unë e quaj shërbeti i ëmbëlsirës, i shtëpisë. Ndihem më e plotësuar se kurrë!

Si ka qenë kjo verë për ty? Ke një kohë realitivisht të gjatë që po qëndron në Shqipëri…

Këtë verë po bëj pothuaj një muaj që jam në Shqipëri dhe po qëndroj bashkë me fëmijët dhe bashkëshortin në Durrës. Kemi blerë një apartament në plazhin e Durrësit dhe po kalojmë pushime shumë të gëzuara. Erlisi sidomos, po e shijon shumë, nuk i ndahet ujit të detit. Kemi lëvizur edhe në jug, si çdo verë tjetër, që nuk ka kuptim pa vizituar dhe jugun. Po ashtu kam takuar edhe të afërmit dhe shumë miq të mitë, të cilët m’i kanë bërë pushimet më të gëzuara.

Je tashmë nënë e dy fëmijëve; sa të vështirë e bën kjo ditën tënde?

Sigurisht që nuk është aq e lehtë si me një fëmijë. Vështirësia ishte që në momentin e parë kur mora Periannën në krahë… Erlisi xhelozonte dhe unë duhej të flisja gjatë me të që të kuptonte se motra tashmë është pjesë e familjes. Duke qenë se ai ishte princi dhe qendra e vëmendjes, e vuajti pak në momentin e parë. Bashkë me Naimin u munduam të gjejmë balancën mes të dyve që Erlisi të ndihej mirë. Fillimi sigurisht ishte kështu, tani ai e do pa fund motrën. Sapo zgjohet, shkon i pari në krevatin e saj. Po duke iu kthyer edhe një herë pyetjes, kuptohet që impenjimi më është shtuar, duhet të kujdesem për të dy, sepse dhe Erlisi është vetëm 4 vjeç, dhe si të gjitha nënat me fëmijë në këtë moshë, edhe për mua lodhja është e pashmangshme, siç është dhe përkushtimi ndaj tyre. Po gjithçka harrohet; kur Erlisi nis me pyetjet e tij të çuditshme, më kënaq.

Perianna e vogël, ende nuk ka bërë vitin; si ishte t’u ktheheshe edhe një herë netëve pa gjumë, të qarave kur del një dhëmb i ri?

Vështirësia ka qenë 3 muajt e parë të pagjumësisë. Perianna qante deri në orët e para të mëngjesit, gjë që me Erlisin nuk më kishte ndodhur. Duke qenë se të dyja lindjet i kam bërë me operacion dhe rreziqet e vështirësitë janë ata muajt e parë. Por, siç e thashë, harrohen shumë shpejt. Tani Perianna, që është 10-muajshe, është një fëmijë shumë i qeshur dhe shumë i mbarë. Qan vetëm kur e merr uria.

Kujt i ngjan Perianna, se Erlis e dimë tani që i ngjan babit?

Për ngjashmërinë ndoshta është pak herët për ta saktësuar se kujt i ngjan. Mua më duket si e përzier (mendova se, meqenëse djali i ngjan babit, të paktën vajza do të ishte si unë).

Pse zgjodhe këtë emër për vajzën?

I vura emrin e mamit tim. Në shtatzëninë e parë, kur isha në muajin e tretë, humba nënën time dhe vendosa që po të ishte vajzë do i vija emrin e saj. Prandaj dhe Perianna mori këtë emër.

Çfarë dëshire ka mami Ledina për fëmijët, ku do që t’i shohë në të ardhmen?

Unë dua t’i shoh kur të rriten atje ku ata vetë dëshirojnë. Nuk do t’u imponohem në dëshirat e tyre, do t’i lë të zgjedhin vetë aty ku ata do gjejnë veten e tyre më mirë. Unë do jem pranë dhe do jap suportin e mundshëm që ata të shkollohen.

Na trego pak për jetën tënde në Gjermani. Si është? Si nis dhe si mbaron një ditë?

Dita ime në Gjermani nis me përgatitjen e Erlisit për në kopsht, me një pazar, me një shëtitje me vajzën, me një vrap rreth 6 km me disa shoqe, me të cilat kemi rreth 4 muaj që e bëjmë në grup këtë gjë, po dhe nga pak ‘shopping’, që është sëmundja e çdo femre. Pastaj Erlisi kthehet nga kopshti dhe shpenzoj shumë kohë me të, lexojmë përralla. Kosisim barin me babi Naimin, kemi një kopsht shumë të bukur ku shpenzoj kohë duke shijuar natyrën e shumë gjëra të bukura. Më pëlqen shumë edhe fotografia si art. Kam një aparat profesional dhe po bëj një kurs fotografie. E ndoshta në të ardhmen do t’i tregoj ca punë të miat që m’i kanë pëlqyer andej. Ndoshta mund të jetë një profesion.

A të mungon skena dhe vrulli i koncerteve, me të cilin ke jetuar për vite me radhë?

Më mungon skena, publiku ku mora aq shumë duartrokitje, e kjo do më bëjë gjithmonë që të mos ndahem kurrë nga ajo skenë. Do kthehem ndoshta me një koncert timin, i cili është në planet e së ardhmes.

Si të duket muzika shqiptare sot? A ke një këngëtare të preferuar?

Muzika shqiptare, sigurisht që më pëlqen. Ajo që i pëlqeu më shumë Periannës këtë verë ishte kënga e Elvanës “Love me, love me”…

Kur do të kthehet Ledina me një projekt muzikor?

Një videoklip do dalë në muajin tetor. Është një këngë e re e kompozuar nga Adi Hila, një këngë që e dua shumë dhe dua që ta sjell po aq bukur me një klip.

Thonë se kur dashuria mes dy njerëzve arrin kulmin, atëherë prej tyre lind një fëmijë. Si shkon marrëdhënia juaj bashkëshortore tani që jeni bërë prindër?

Tani është bërë akoma dhe më e fortë. Fëmijët janë degët e një peme që sa më shumë rriten, aq më të thella bëhen rrënjët e asaj peme.

A vazhdon Naimi të ketë po të njëjtën vëmendje ndaj teje?

Sigurisht që dhe vëmendja është shtuar. Sepse më sheh jo si një Ledinë të përkushtuar vetëm për të, por tashmë dhe për fëmijët e tij. Naimi është një baba tepër i përkushtuar, i përgjegjshëm; edhe pse profesioni i tij është paksa në lëvizje, mundohet të marrë sa më shumë kohë me familjen.

Ndërkohë Ledina, të gjithë pyesin për sekretin e rinisë tënde. Si ia dole t’u kthehesh linjave perfekte pak muaj pas lindjes?

Është e vërtetë që me lindjen e dytë është më e vështirë të biesh shpejt në peshën e mëparshme. Por duhet të kesh shumë vullnet, dhe kjo në karakterin tim nuk mungon. Siç e thashë edhe më parë, fillova me vrapin 3 herë në javë. Pasi rashë 10 kg për 2 muaj, fillova dhe ushtrime për barkun. Tani ke mundësi të ndjekësh dhe faqe në ‘Instagram’ ku ndjek ushtrimet më të rëndësishme që të kesh një trup të tonifikuar. Pas lindjes, s’më pëlqente kur shihja trupin në pasqyrë, kur vishja një fustan. Më nervozonte.

Dhe si u shua nervozizmi?

Pas 6 muajsh fillova reduktimin e brumërave, darka në asnjë mënyrë, vetëm ndonjë frut, dhe rezultati shkon më së miri. Jam dhe shumë aktive, qoftë dhe në shtëpi kur bëj ndonjë punë. P.sh., ndërkohë që ziej ujin për të përgatitur ushqimin e vajzës, filloj bëj pak muskuj barku, ose bëj 50 kërcime pupthi, në mënyrë që trupi dhe muskujt të vihen në lëvizje.

A ke bërë ti një ndërhyrje?

“Ndërhyrja” ime është SHPIRTI im. Jam mësuar t’i shoh gjërat me shumë pozitivitet. Është shumë e rëndësishme kjo! Edhe aty ku ka ngjyra të errëta, unë mundohem t’i shtoj kolore. E dashuroj të bukurën. E vlerësoj talentin. Mundohem të jem e vërtetë me veten dhe të tjerët. Këto e bëjnë një femër të mos ketë nevojë për ndërhyrje.

(Marre nga Revista Who)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: