TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në intervistën për Zërin e Amerikës për çështjen e shembjes së banesave në Shkozë.

Vasili thotë se Rama përbuz shqiptarët dhe për të qytetarët janë hiçgjë, të vegjël dhe të parëndësishëm.

Sipas tij, deklaratat e Ramës janë ‘reagime demode të shkollëpakut, që vijnë erë kutërbuese provincializme, humnere idesh dhe gëzimi qesharak si ai i shqiptarëve kur dilnin jashtë shtetit para viteve 90′, fjalët që thotë janë një komedi e zezë’.

STATUSI I VASILIT
Kryeministri përbuz shqiptarët nga Amerika
Kryeministri Edi Rama ka folur për rastin e Shkozës gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, këtë të premte.
“Shkoza s’përfaqëson asgjë dhe s’meriton besoj koment deri në Uashington dhe Nju Jork”.
Këto tha ky kryeministër i egër me qytetarët dhe superficial e i paditur si në çdo gjë që bën e thotë.
Për Kryeministrin, që llomotit nga Uashingtoni, shqiptarët duken hiçgjë, të vegjël dhe të parëndësishëm, pasi ky e ndjen veten të rëndësishëm dhe është shumë i lumtur me vanitetin e tij social dhe politik, pasi gëzon i shkreti që ndodhet atje.
Reagimet demode të shkollëpakut, që vijnë erë kutërbuese provincializme, humnere idesh dhe gëzimi qesharak si ai i shqiptarëve kur dilnin jashtë shtetit para viteve 90′, fjalët që thotë janë një komedi e zezë.
Ndaj, qytetarët janë të fundit për të, ndaj familjet e Shkozës që përballen sot me një hall e dhimbje të rëndë janë asgje përpara tij, ndaj dhe qëndrimi i tij është i egër e pa mëshirë edhe për femijët e Shkozës, që s’dinë se ku do të mësojnë dhe prindërit e tyre, që ndodhen përpara shkatërrimit pa kthim të djersës, gjakut dhe mundit shumëvjeçar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: