TIRANE– Pas shkarkimit nga posti i ministrit të Drejtësisë nga kryeministri Rama, Ylli Manjani ka treguar gjithë përplasjet me të. Duke e cilësuar shkarkimin e tij, si një hakmarrje të pastër nga ana e kreut të Qeverisë, Manjani ka përmendur të gjitha koncesionet e dhëna pa tender, ndërhyrjet korruptive, dhe vendimet e “dhunshme”, të cilat thotë se i ka kundërshtuar hapur.

Ndonëse prej 6 muajsh, kryeministri Rama i ka bërë presion aleatit të tij në bashkëqeverisje Ilir Meta për shkarkimin nga detyra të Ylli Manjanit, ky i fundit thotë se nuk ka ngurruar aspak të denoncojë ndërhyrjet sipas tij korruptive.

Manjani thotë se ndonëse për shkarkimin e tij përdoret si “alibi” fakti se komunikonte me mediat shpesh, dhe pa lejen e Fugës, arsyeja e vërtetë është deklarata e tij për situatën me drogën në vend.

Ndërsa një tjetër qëndrim i Manjanit, ç’ka “vulosi” edhe shkarkimin e tij nga kryeministri Rama, ishte kërkesa për arrestimin e Klement Balilit.

“Në Santa Quaranta ministrat e Ramës flinin me dashnoret. Këto që po i them i dinë shumë mirë, dhe janë të dokumentuara nga shërbimet patrnere”, tha ndër të tjera Ylli Manjani.

AKUZAT E MANJANIT

Manjani: Më shkarkuar se flisja shumë në media, pa lejen e Fugës.
Manjani: Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhje qeverie.
Manjani: Prej 6 muajsh Rama i kë bërë presion Metës që të më shkarkojë.
Manjani: Po ndenjte urtë, po bëre ndonjë tender, ndonjë koncesion, je në rregull me Ramën.
Manjani: Kundërshtova koncesionin e ndriçimit të rrugëve, ishte korruptiv.
Manjani: Denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja, por një biznesmen u rrah dhe u përzu nga vendi.
Manjani: Denoncova situatën me kanabisin, dhe kjo nervozoi Ramën.
Manjani: Denoncova koncesionet që jepeshin pa tender.
Manjani: Kryeministri firmos vendime qeverie që nuk ndodhin kurrë.
Manjani: Kërkova arrestimin e Klement Balilit, por ministrat e Ramës flinin me dashnoret në “Santa Quaranta”.
Manjani: Unë urdhërova arrestimin e Balilit, por drejtorët e policisë hanin e pinin te Santa Quaranta.
Manjani: Shërbimet partnere i kërkuan Ramës shkarkimiin e ministrit të tij të Brendshëm, jo timin. I di ai arsyet.
Manjani: Kryeministri hapi librin e shtëpisë kundër gjyqtarëve që vendosnin kundër qeverisë.
Manjani: Urdhërojnë gjyqtarë të fusin njerëz në burg.
Manjani: Akti i kryeministrit sot për shkarkimin tim është hakmarrje e pastër për qëndrimet e mia, sidomos për kanabisin.
Manjani: Dalë ngadalë po hapen petët e lakrorit, dhe gjërat nuk janë siç thotë kryeministri.
Manjani: Me lirinë e fjalës dhe mendimit, kryeministri nuk ka marrëdhënie të mira.
Manjani: Qeveria ka dhënë 2 mln euro për futjen e një studio avokatore që do merrej me Beketin, pa lejen e ministrit të Drejtësisë dhe e humbëm. Edhe kjo pa tender.
Manjani: Mua më çuan deri në Dubai, çfarë nuk shpikën, çfarë nuk thanë. Ata ishin bashkë…

 

FJALA E PLOTE
Edhe para se të vinit këtu, ishit ju që më njoftuat për shkarkimin. Kështu u katandis kjo qeveri, komunikojmë nëpërmjet medias. Iu jam mirënjohës për komunikimin e sotëm. Ju jam mirënjohës që më dhatë mundësi të përçoj mesazhe publike parimore dhe profesioniste. Të qenit ministër është detyrë e rëndësishme për çdo jurist, këtë mundësi ma dha LSI dhe Ilir Meta, të cilit i jam mirënjohës. Pas gjithë këtij investimi tim në politikë, bëra çfarë kisha mundësi.

Kur kam hyrë në qeveri kam gjetur një procedurë që s’kishte lidhje me qeverinë… Ministrat nuk janë të lejuar të flasin në mbledhje qeverie dhe kjo është e papranueshme për mua. Me kryeministrin Rama nuk kemi debatur për çështje personale, por parimore e ligjore. Në këtë pjesë s’kam pishman. Ç’kam pasur i kam thënë. Unë nuk i kam asnjë borxh askujt.

Që prej verës së kaluar kryeministri ka harxhuar koha nga dita e tij e punës për të bërë presion. Jo mua, se mua s’më ka kërkuar deri në këtë çast asgjë. Por kryetarit të Kuvendit për mua, që të më shkarkonte, se unë flas pa leje në media. Pa i marrë lejë Fugës. Nuk është se kam ndonjë gjë me kryeministrin, se nuk është personale.

Nuk dua ta bëj personale, por parimore. Po fole pa lejen e Fugës, ky është reagimi i kryeministrit.
Po ndenjte urtë, po bëre ndonjë tender, ndonjë koncesion, je në rregull. Ne kemi debatuar në Qeveri, edhe për shkak të nuhatjes time profesionale, për disa praktika që unë i kam gjykuar si korruptive.
Ka një debat për një vendim që erdhi nga Ministria e Energjisë për të dhënë me koncesion ndriçimin e rrugëve, e kundërshtova, se ishte korruptive. Por qeveria e kaloi me dhunë, një ditë që unë nuk isha në mbledhje qeverie.

Nuhata dhe denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja, dhe mos harrojmë se u rrah një biznesmen dhe u përzu nga Shqipëria.

Kam marrë disa nisma për këtë çështje, por refuzohen në mënyrë të tmerrshme, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që është një nëpunës, nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë. Këto kanë qenë pak a shumë debatet.

Por kryesorja ka qenë, pse flet në media.

U shtua presioni mbi mua, ditën kur kam bërë deklaratën për kanabisin. E bëra atë deklaratë krejtësisht inkonjito, dhe si qytetar i shqetësuar për përhapjen e fenomenit, dhe nuk kisha asnjë paragjykim. Por kryeministri u indinjua, dhe detyroi dy ministra të flisnin ndaj meje. Nuk kam gjë, me ta, me ministrat, se ata janë gati të shkelin syrin, por jo të flasin hapur.

Sot u bë largimi im. Unë e di pse. Pse fola për arrestimin e Balilit.

Po kështu, ndodh se në “Santa Quaranta” ministrat e Ramës flinin me dashnoret. Këto që po i them i dinë shumë mirë, dhe janë të dokumentuara nga shërbimet partnere.

Kam marrë përgëzime nga vendet partnere për akuzat për situatën me kanabisin.

Nuk është krim të flasësh. Po në qeverinë gjermane sa herë flasin ministrat rrugëve. Po do flasë ministri, se ministri është personalitet politik, nuk është zëdhënës shtypi.

Ndihem i nderuar që jam i shkarkuar, do ndihesha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen. Unë nuk mund të marr përgjegjësitë e kanabizimit të këtij vendi, dhe as përgjegjësitë për bizneset e paligjshme në kushtet e trafikut. Nuk e kam problem t’i denoncoj edhe sikur kjo të jetë disa ime e fundit në politikë.

I jam mirënjohës LSI për angazhimin tim të deritanishëm.

Kryeministri firmos vendime qeverie që nuk kanë ndodhur. Si mund të jetë dakord ministri i Drejtësisë me këtë çështje. Unë nuk kam thënë asgjë nga ato që kanë ndodhur.

Çfarë kam thënë unë? Të arrestohet Balili. Por ndërkohë drejtorët e policisë hanin e pinin te Santa Quaranta. Unë nuk kisha ndonjë kompleks. Ramës i është kërkuar shkarkimi i ministrit të tij të Brendshëm, ia kanë kërkuar shërbimet partnere, dhe jo timin. Ai duhet të ishte i shkarkuari, jo unë. Është kollaj t’i kërkosh llogari ministrit pse flet pa leje. Ja pra, këto janë historitë. Unë i kam thënë. Jam tërësisht i qartë dhe i përgatitur për çdo lloj skenari. Nuk kam bërë kurrë kompromis në raport me të vërtetën dhe me profesionalizmin.

Nuk pajtohesha me kryeministrin që hapi librin e shtëpisë kundër gjyqtarëve që vendosnin kundër qeverisë. Ne erdhëm me mentalitet tjetër, pse duhet urdhëruar gjyqtari të fusë njerëz në burg. Imagjino të merret Angela Merkel në telefon dhe t’i thuhet fut një katunar në burg. Përgjigja që kam marrë pas kësaj: je kundër reformës. Këto janë diskutimet, për këto shkarkohem unë. Nuk dua të hyj në diskutime të tjera.

Unë e di që do isha ministër me jetëgjatë, po të mbyllja gojën e të bëja ato që më kërkonin. Por s’ma lejonte ndërgjegjja ta bëja këtë. Mua më solli mandati i LSI në detyrë, dhe unë do të bëja detyrën time. Dhënia e informacionit është përgjegjësi publike. Duhet të japë informacion për çdo veprim, për ta bërë transparent.

Çfarë informacionesh keni lidhur me të dhënat e shërbimeve sekrete? Pse mendoni se ju shkarkoi kryeministri?
Akti i kryeministrit sot për shkarkimin tim është hakmarrje e pastër për qëndrimet e mia, sidomos për kanabisin. Kjo ka qenë diçka therëse për kryeministrin. Dalë ngadalë po hapen petët e lakrorit, dhe gjërat nuk janë siç thotë kryeministri.

Si e gjykoni qëndrimin e Metës për shkarkimin tuaj?
Meta është kryetar i LSI, dhe për këtë duhet të marrë vendime në mënyrë më të balancuar dhe gjithëpërfshirëse seas kjo që mund të them unë. Padyshim që e kam vënë në dijeni për të gjitha këto. Kjo sepse, njeriu i vetëm nuk punon dot. Unë Metës i mbetem mirënjohës për pjesën e mbetur të jetës time. Më dha mundësinë të tregoj se çfarë di të bëj në ekzekutiv.

Do jem në detyrë deri ditën kur pasardhësi im do të bëjë betimin, dhe të marrë detyrën.

Pse nuk i ka bërë më herët LSI këto akuza?
Unë nuk kam formuluar akuza. Thashë disa gjëra që edhe ju i dini. Akuzat zakonisht i bën prokurori. Ndërhyrjen në lirinë e fjalës e ka mënyrë të sjelluri Rama. Me lirinë e fjalës dhe mendimit, kryeministri nuk ka marrëdhënie të mira.

LSI i ka thënë e stërthënë këto. I ka të raportuara, por edhe me qëndrime zyrtare. Edhe nga ana e ministrit Nasip Naço ka pasur reagime të ashpra. Kemi gjetur koncesione të dhëna pa tender.

Qeveria ka dhënë 2 mln euro për futjen e një studio avokatore që do merrej me Beketin, pa lejen e ministrit të Drejtësisë, dhe e humbëm. Edhe kjo pa tender. Janë thënë këto gjëra.

Ilir Meta ka 1001 kumrije në kokë, dhe unë nuk jam i vetmi dhe i fundit që i them këto gjëra.

Vendimmarrja politike nuk duhet të shkojë detyrimisht drejt kësaj situate. Politika shqiptare i ka këto probleme. Cilado që do të jetë marrëveshja politike para apo pas zgjedhore, duhet të jetë e detajuar. Nuk jemi votuar për të dhënë koncesione pafund, por për të qeverisur siç duhet. Ka një kaos politik shumë të thelluar. Metës dhe LSI do t’i duhet të qëndrojë fort te këto parime. Nuk mund të zgjatë shumë me shkelje ligji, kjo mund të zgjasë vetëm sa të jesh mbi kalë, por pastaj… por ja do miratohet SPAK-u, dhe atëherë do ndryshojë.

Mendoni se kemi një detyrim moral për t’i bërë këto akuza më të detajuara në organin e akuzës? A do prisni SPAKU-un për të ngritur këto akuza?
Mendoni se jeni bërë deri diku kokë turku?

Nuk e di tani, se dikush thotë kokë turku, dikush kokë greku. S’u mor vesh kjo punë. Por unë kam botuar kronologjinë e gjithë kësaj ngjarje. Gjithçka ka ndodhur pasi Ardian Cipa, shefi i Interpolit, ka informuar se për Balilin ka dalë një urdhër-arresti. Nga data 17 Maj ky person duhet të ishte arrestuar. Prokurori ka dy alternativa kërkon ekstradim nëse është rasti i tillë, dhe në rast se nuk është i ekstradueshëm dosjen e sjell në Ministrinë e Drejtësisë. Ashtu siç edhe ndodhi. Këto historitë e turkut kështu janë… Mua më çuan deri në Dubai, çfarë nuk shpikën, çfarë nuk thanë. Ata ishin bashkë…

Cili do jetë projekti juaj politik?
Nuk kam projekt tjetër përveç LSI, nëse nuk e ndjek këtë, atëherë unë jam avokat. Më konsideroni një avokat. Të gjitha opsionet janë të hapura.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: