TIRANE-Kreu i Partisë Socialiste në Tiranë, Sajmir Tahiri ka komentuar marrëveshjen e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha për t’i dhënë fund ngërçit politik. Duke folur gjatë tubimit në Tiranë, Sajmir Tahiri tha se me këtë marrëveshje kanë fituar shqiptarët, ndërsa PS do fitojë në zgjedhje si kurrë më parë.

“Atë një javë, nga data 18 deri në datë 25, kemi një fitore më të madhe. Dhe kjo është beteja e shqiptarëve në 25 vjet për të pasur më në fund drejtësi. Për të pasur më në fund drejtësi! Në qoftë se ti je qytetari në çdo cep të Shqipërisë apo Tiranës që ke vuajtur dyerve të gjykatave për të marrë drejtësinë tënde. Dije se brenda datës 25 ky parlament do të votojë Vetting-un për të hequr gjykatësit e korruptuar. Në qoftë se ti je qytetari që nuk ke marrë dot pronën tënde, në qoftë se je qytetari që ke paguar para për të marrë drejtësi, në qoftë se je qytetari që dikush me muskuj apo para të ka marrë të drejtën tënde, në qoftë se je qytetari që nuk ke pasur kurrë drejtësi, në qoftë se je qytetari që ke kërkuar për 25 vjet të jetë Shqipëria e drejtë, brenda datës 25 ta dish se qeveria e Partisë Socialiste, Kryeministri ynë dhe ky parlament brenda këtij mandati votuan reformën në drejtësi”- tha Tahiri.

Ndër të tjera ai u shpreh se beteja e PS për reformën në drejtësi ishte beteja më e madhe për t’i dhënë fund kapitullit 25 vjeçar me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

“Beteja jonë për më shumë drejtësi, ishte beteja më e drejtës, ishte angazhimi ynë më i madh. Beteja jonë për reformën në drejtësi ishte angazhimi themelor. Beteja jonë për reformën në drejtësi ishte për çdo shqiptar pavarësisht partisë. Beteja jonë për reformën në drejtësi ishte beteja më e madhe për t’i dhënë njëherë e mirë fund kapitullit 25 vjeçar me gjyqtarë të korruptuar, me prokurorë të korruptuar. Me këdo që ishte gati t’i kafshonte të drejtën qytetarit: kur s’kishte para, kur s’kishte mikun, kur s’kishte muskuj. Beteja jonë për drejtësi miqtë tanë u fituar. Dhe sot ne socialistët shqiptar duhet të jemi krenar sepse kjo qeveri dhe kjo mazhorancë fitojë betejën me gjyqtarët e korruptuar. Dhe kjo është fitorja jonë më e madhe. Kjo është fitorja e Shqipërisë dhe kjo është fitorja e Shqiptarëve. Megjithatë në këto katër vite kemi bërë shumë gjëra bashkë, ndaj sot është momenti të falënderoj secilin prej jush, çdo anëtar të PS-së, çdo të ri dhe të re të FRESSH-it, çdo grua të forumit të gruas dhe mbi të gjitha të falënderojmë të gjithë bashkë, çdo qytetar për besimin që na ka dhënë në katër vite. Çdo qytetar për besimin që na ka dhënë në këto 4 vite, te ju, te qeveria jonë dhe te Kryeministri Edi Rama”- tha Sajmir Tahiri.

Kreu i Partisë Socialiste në Tiranë, Tahiri tha se në datë 25 qershor PS me Ramën kryeminsitër do fitojë.

“Është një sprint i shkurtër për të fituar një garë të madhe kundër politikës së vjetër të 25 viteve të shkuara, kundër politikanëve që kanë mbajtur peng këtë vend për 25 vitet e shkuara. Në datë 25 vendosim bashkë dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam! Në datë 25 vendosim bashkë dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Në datë 25 vendosim dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam, me PS, me Kryeministrin e djeshëm dhe Kryeministrin e nesërm, Edi Ramën”- tha Tahiri.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: