NGA: FATMIRA NIKOLLI* TIRANE- Ndanë shkallareve që të përcjellin nga hyrja e Am basadës Italiane në Tiranë deri në zyrën e ambasadorit, Massimo Gaiani, muret janë stolisur me fotografitë bardhezi të Marubëve. Burra me qeleshe, gra me veshje popullore, gjithë ç’kanë mundur të kapin e të fiksojnë në kohë fotografët e njohur, për t’ia lënë mandej Shqipërisë, si një prej trashëgimive më të vyera: një kujtesë për atë që ishim. Diku në një qoshe, syri të zë një sofër mbi të cilën zënë vend revista shqiptare, një arkë nga ato të qëmoçmet që nuset e reja i përdornin në vend të dollapëve të rrobave. Ka aromë shqiptare në Ambasadën Italiane. Z. Gaiani ka pranuar një bisedë mbi punën e tij në Shqipëri, por edhe mbi kohën e lirë. Në intervistën e tij për “GAZETA SHQIPTARE” ai ndalet te aktivitetet më të fundit, te një vlerësim për artin shqiptar, muzikën, pikturën, trashëgiminë që kemi ruajtur prej italianëve, te një krahasim mes dy popujve, te qytetet shqiptare që do më shumë, një ‘këshillë’ mbi trashëgiminë kulturore, te miqësitë që ka lidhur, por, pa lënë pas ‘dore’ as zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe jashtë saj, zgjedhjet lokale, emigrimi i shqiptarëve e më gjerë. E sado që të gjitha nuk dalin jashtë kuadrit e gjuhës diplomatike, z.Gaiani rrëfen detaje edhe nga jeta e tij jashtë kostumit të ambasadorit.

Ka shumë aromë shqiptare në Ambasadën e Italisë. Kaq fort ndihet kultura dhe tradita shqiptare në mjediset e ambasadës? Është kjo një zgjedhje e Juaja?
Janë të gjitha të Muzeut Marubi. Besoj se me të drejtë është një shenjë respekti ndaj vendit, pikërisht në përputhje me logjikën e bashkëpunimit të ngushtë me Italinë. Në fund të fundit Marubi ishte me origjinë italiane dhe, për dekada me radhë, ai dhe pasardhësit e tij lënë një trashëgimi të pasur, dëshmi kjo e asaj çka përfaqësonin njerëzit dhe vendet në një periudhë të caktuar. Besoj se janë foto shumë të bukura dhe me të drejtë mund të zbukurojnë muret e ambasadës.

Ju morët pjesë në një koncert sensibilizues për hemofilinë. Pos anës humane, pse jeni i ndjeshëm ndaj kësaj sëmundjeje?
Besoj se është një sëmundje e rëndë, që prek rëndë cilësinë e jetës së atyre që e vuajnë dhe mendoj se është e drejtë të përpiqem të bëj diçka për ta. Rastësisht, orkestra rinore shqiptare, që ne kemi ndihmuar në fazën e parë të krijimit së saj, vendosi t’ia kushtojë koncertin e saj mbledhjes së fondeve dhe mbi të gjitha sensibilizimit ndaj kësaj sëmundjeje. Ndaj dhe vendosëm të marrim pjesë. Mund ta kishim bërë për një kauzë tjetër, por hemofilia është patjetër, një kauzë e mirë, që vendosëm dhe menduam ta mbështesnim.

Një tjetër aktivitet është prezantimi i Pavijonit të Shqipërisë në Ekspozitën Universale të Milanos. Pyetja jonë është: çfarë ju bën ju të kontribuoni në prezantimin e gastronomisë shqiptare dhe, nga gjithë ato që paraqiten, vetë ju, çfarë pëlqeni më shumë?
Si vend mikpritës i “EXPO Milano”, kemi pasur kontakte të vazhdueshme edhe me ekipin që po organizon praninë shqiptare atje. Ndaj dhe dëshironim të punonim së bashku për të prezantuar së bashku, si “EXPO 2015”, ashtu dhe pavijonin shqiptar në Milano. Ndaj patëm kënaqësinë të organizojmë një event në të cilin të prezantoheshin pjatat karakteristike të gastronomisë shqiptare. Mendojmë se paraqet rëndësi të veçantë vënia krah njëra-tjetrës e gastronomisë si dhe të asaj çka ajo përfaqëson, sikurse trashëgimia kulturore dhe tradita, me turizmin. Është kjo ajo çfarë ne bëjmë në Itali e që mbështesim, si përmes aktiviteteve të kësaj natyre, ashtu dhe me ndërhyrje të Kooperacionit Italian për Zhvillim, sepse mendojmë se binomi agrikulturë-traditë kulinarie-turizëm është një binom fitues, një binom suksesi. Sa u takon pjatave të mia të preferuara, një prej atyre që unë pëlqej është, pa dyshim, tava e kosit, e lehtë dhe e shijshme, por ka edhe pjata të tjera shqiptare që më pëlqejnë dhe i ha gjithnjë me dëshirë, siç janë specat e mbushur, byreku etj.
Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne print ne Gazeta Shqiptare
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: