FIER- Me veshje të errët, me një kapele të zezë në kokë dhe jo pak i tronditur xhaxhai i Xhuljano Sollakut ka mbërritur sot në morgun e Fierit për të tërhequr trupin e pajetë të nipit të tij. Nuk ka preferuar të thotë asgjë për gazetarët, ndërsa rreth e rrotull kishte edhe forca të policisë. 20-vjeçari Xhuljano Sollaku nga fshati Katund i Ri në Elbasan mbeti i vrarë gjatë një tentative grabitjeje në banesën e një çifti të moshuarish në qytetin e Fierit.

Gazetari Ervis Kuci raportoi për “BalkanWeb” se pasditen e sotme, në mungesë të prindërve të viktimës, xhaxhai 20-vjeçarit ka mbërritur në morgun e spitalit ku ka bërë deklaratën për tërheqjen e trupit. Më pas një makinë morti ka marrë trupin e të riut për ta transportuar në Elbasan ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.

Prindërit e viktimës jetojnë jashtë Shqipërisë dhe janë nisur për të ardhur. Xhuljano Sollaku hyri në banesën e çiftit Minella dhe Elsa Muça bashkë me disa persona të tjerë.

Gjatë aksionit për kapjen e grabitësve, këta të fundit qëlluan mbi policinë e cila u kundërpërgjigj duke vrarë 20-vjeçarin dhe plagosur 37-vjeçarin Arben Muça, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë arritën të largoheshin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb