NGA KLODJANA HAXHIAJ

DURRES- Deri pak ditë më parë fëmijët e Porto-Romanos, ju bashkoheshin prindërve të tyre duke bërë punën e një fabrike riciklimi të munguar në lagjen e tyre të varfër. Ata së bashku me prindërit, për mbijetesë diferenconin kanoçet e plastikën në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane të qytetit të Durrësit, që gjendet në lagjen e tyre.

Kisha katolike françeskane ka ndërtuar një kishëz në këtë zonë, duke hapur dyert për fëmijët e këtij komuniteti.

Vansi është 10 vjeç. Ai dhe shokët e tij të lagjes, nuk ishin lëkundur në lisharëse apo nuk kishin luajtur në një fushë futbolli asnjëherë.

Së bashku prindërit e tij dhe fëmijët e të gjithë lagjes, shkonin tek fusha e mbetjeve dhe mblidhnin kanoçe. Me hapjen e kurseve verore nga vullnetarë të kishës katolike, 10-vjeçari dhe 60 fëmijë të tjerë kanë një mundësi ku mund të argëtohen.

Edhe 8-vjeçarja Gisela thotë se nuk ishte argëtuar asnjëherë më parë në një park me lodra.

“Problemi i madh është se ne nuk i hapim dot dritaret. Tymi i djegies së plehrave mbyt gjithë lagjen”, thonë vogëlushët.

Nisur nga kjo situatë, At Bernard Caurana thotë se kisha françeskane ka hapur dyert për këtë komunitet që gjendet 200 metra larg prej fushës së plehrave, duke ofruar kurse falas për 60 fëmijë çdo ditë.

Kreu i kishës i rikujtoi kryeministrit Edi Rama premtimin që dha para ca ditësh për komunitetin, që fushën e mbetjeve urbane të Durrësit ta kthejë në një park të gjelbëruar për komunitetin.

Një ditë në parë ishte Këshilli bashkiak në Durrës që miratoi projektvendimin “Mbi shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë Durrës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb