*Bushati: Nuk ka negociata dhe nuk jemi të përfshirë në asnjë diskutim

TIRANE – Nga një vend që ‘eksportojmë’ azilkërkues në vendet e BE, Shqipëria do të strehojë 75 mijë refugjatë sirianë. Lajmi ende i pakonfirmuar bëhet i ditur nga disa prej mediave prestigjoze ndërkombëtare.

Sipas gjermanes “Bild” dhe anglezes “The Daily Tepegraph”, qeveria shqiptare po bisedon me Bashkimin Europian për të strehuar në Shqipëri të paktën 75 mijë refugjatë sirianë.

Vendimi është mbajtur i fshehtë nga publiku në Shqipëri, si në rastin kur po negociohej për marrjen e armëve kimike të Sirisë. E ndërsa armët kimike siriane nuk i mori, Rama duket se do t’i pranojë Sirisë disa nga refugjatët e saj të luftës, duke ndihmuar kështu në zbutjen e krizës së refugjatëve që ka përfshirë BE-në.

Sipas mediave të huaja, sirianët do të strehohen nëpër kazerma të vjetra ushtarake. Nuk mund të vërtetohet ende nëse këto burime raportimi janë të sigurta apo jo. Marrëveshja që pritet të arrihet vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova po riatdhesojnë përditë shqiptarë që kanë marrë rrugën në kërkim të azilit, kryesisht në Gjermnai.

Mbetet për t’u sqaruar nëse ka apo jo bisedime mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, sa i përket këtyre shifrave relativisht të larta të strehimit të emigrantëve në Shqipëri.

Refugjatët sirianë, Peleshi: Nuk ka kërkesë konkrete, por po përgatitemi
Qeveria shqiptare ka pranuar zyrtarisht se ka nisur përgatitjet, nëse do t’i kërkohet pritja e refugjatëve sirianë. Një ditë më parë, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi, është zhvilluar një mbledhje me 7 ministra, pikërisht për këtë çështje.

Paraditen e së dielës, nëpërmjet një bisede telefonike në televizionin Top Channel, zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se “nuk ka ndonjë zhvillim konkret në lidhje me këtë çështje”.

“Mbledhja kishte për qëllim parapërgatitjen për çdo rast, nëqoftëse edhe Shqipëria do të preket nga fenomeni”, tha ai.

Peleshi shpjegoi përse qeveria shqiptare e ka ndërmarrë këtë nismë, kur tha se “deri më tani nuk kemi ndonjë të dhënë për flukse të mundshme refugjatësh drejt Shqipërisë, por për sa kohë që janë prekur fqinjët, ne nuk mund të jemi të papërgatitur”.

Ndërsa Endri Fuga, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, ka hedhur poshtë raportimet në disa portale, se Shqipërisë i është kërkuar të marrë 75 mijë sirianë.

Nëpërmjet një postimi sqarues në Twitter, Fuga thotë se “portalet në Shqipëri funksionojnë mbrapsht. Botojnë lajmin, pastaj kërkojnë konfirmim. Lajmi për refugjatët sirianë është i pavërtetë”.

Bushati: Nuk ka negociata dhe nuk jemi të përfshirë në asnjë diskutimbushati-1

Lajmin e ka mohuar edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili duke iu përgjigjur interesit të CNN në këtë drejtim, e quan fals raportimin se Shqipëria do të pranojë 75 mijë refugjatë sirianë. Sipas ministrit Bushati, “nuk ka negociata dhe nuk jemi të përfshirë në asnjë diskutim”.

(d.b/g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb