TIRANË- Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shprehet se kjo forcë politike mund të dalë e vetme në zgjedhje nëse PD-­ja nuk ia lë asaj bashkinë e Durrësit.

Sipas Mediut, kandidati Agron Duka është fitues me sondazhet që janë bërë, teksa akuzoi PD-­në se po bën pazare për Durrësin. “Duka me 4 sondazhe është fitues në Bashkinë e Durrësit dhe është shumë herë më lart se kandidatët e PD-­së. Nëse ka një pazar tjetër me PS në Durrës apo me kryetarin aktual të Durrësit është muhabet tjetër”, tha Mediu në një intervistë televizive.

Sipas tij “Partia Republikane nesër do mbledhë kryesinë e vet për të vendosur qoftë edhe të dalë e vetme në zgjedhje. Unë nuk mendoj se zgjedhjet fitohen me protesta. Është e rëndësishme që kandidatët të ndërtojnë strukturat e duhura dhe të ballafaqohen me opinionin”.

Kreu i republikanëve kritikoi Bashën edhe për faktin se ende nuk ka mbledhur aleatët. Ndërkohë, burime në Partinë Demokratike bëjnë të ditur se kreu i PD-­së ka thirrur të mërkurën në orën 17:00 një takim me të gjitha forcat politike të djathta.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: