Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur dje në News24 edhe për mundësinë që iu është krijuar qytetarëve shqiptarë, kryesisht njerëz të artit e politikës për të parë secili dosjen e tyre të ish-sigurimit të shtetit. I pyetur nga Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur”, Berisha tregoi diçka të pathënë më parë.

Ai tha se nuk e di nëse ka dosje ndaj tij por se ka kuriozitet dhe do e shohë nëse ekziston, duke u shprehur më pas se ka pasur një mendim negativ ndaj tij për shkak të vjehrrës. Kjo, pasi sipas rrëfimeve të Nexhmije Hoxhës vjehrra e Sali Berishës ishte serbe, ndaj dhe atij iu mohua futja në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për ish-diktatorin Enver Hoxha. Gjithsesi Berisha tha se nuk ka qenë i persekutuar nga regjimi komunist. Në videon e mëposhtme mund ta gjeni në frame 55:50.

Personalitete të ndryshme të artit dhe politikës janë shfaqur këto ditë në dyert e Autoritetit të Verifikimit të Dosjeve për të kërkuar dosjet e tyre. Çfarë shkruante sigurimi i shtetit për personin. Keni kuriozitet ju të shihni dosjen tuaj nëse ka një të tillë?
Në qoftë se ka një të tillë do ta shoh. Por nuk e di.

Ligji ua mundëson, do ta kërkoni këtë?
Njëherë kanë thënë që ka pasur një mendim negativ ndaj meje për shkak të vjehrrës por se kam vënë re. Nuk jam njeri që mund të them se jam penguar në karrierën time. Unë kam shkuar jashtë shtetit, i kam bërë të gjitha.

Nuk keni kuriozitet ta shikoni nëse ka një dosje apo jo?
Kam kuriozitet ta di nëse ka një dosje apo jo por nuk di a ka dosje apo jo. Se kam bërë sepse nuk e kam konsideruar ndonjëherë veten të persekutuar. Nuk kam qenë i persekutuar. Unë kam shkuar jashtë, kam mbaruar shkollat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb