TIRANE– Me zbatimin e menusë së re ushqimore në çerdhe dhe kopshte, reagimi i prindërve ka qenë i fortë. Shumë prej tyre ndalen tek sasia që u jepet fëmijëve në vakte të caktuara. Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, dietologia Blerina Bombaj ka qetësuar prindërit duke u shpjeguar se menuja e re është e pasur.

Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Blerina Bombaj tha se sasia ushqimore që përmban vakti sipas menusë së re, i mjafton fëmijës për t’u ngopur.

“Tërshëra dhe trahanaja, janë të gjykuara gabimisht. Dy lugë tërshërë tre herë në javë, është risi. Ky regjim ushqimor, ka për qëllim të merren të gjitha lëndët ushqyese sipas rekomandimeve të OBSH. Përparësi ka qenë përmbajtja në Vitamina C, hekuri, acidi Folik. Me rëndësi është që fëmija përmes ushqimit të merr arrin të ketë në organizëm nevojat për këto elementë. Mishi është i përfshirë në menu. Nga mosha 1-2 vjeç fëmijët i ulet pak oreksi pasi ulet ritmi i rritjes, ndryshe nga latantët që rriten më shpejt. Dhe hekur nuk ka vetëm mishi.

Ne e dimë që mishi nuk është i rekomandueshëm përditë. Nuk reaguan prindërit për menunë e mëparshme, kur fëmijët merrnin shumë sheqer, vaj vegjetal, gjalpë të ngrirë (mbi sasinë e nevojshme), çokokremi, etj. ndërsa tani reagojnë për një mënyrë që i përmban të gjithë elementë e nevojshëm. Në ditët e sotme fëmijët kanë probleme me ushqimin, pasi prindërit i kanë mësuar në mënyrën e gabuar. U kanë bërë ushqime pure deri vonë, dhe ata nuk janë mësuar të bluajnë ushqim. Fëmijët duhet të shohin atë perimen dhe supe, dhe të mësohen me njëri-tjetrin”, tha Bombaj.

Më tej, dietologia tha se në rastet kur një fëmijë nuk ndihet i ngopur, atij i jepet ushqim shtesë.

“Një fëmijë që nuk ngopet u jepet ushqim shtesë. Pasi gjithmonë mbetet ushqim. Por mund të them se tashmë nuk hidhet ushqim si më parë. Por edhe nëse një fëmijë kërkon më shumë ushqim nga sa duhet, kjo nuk është e shëndetshme. Unë mendoj se nuk është i mangët vakti sipas kësaj menuje. Sasia mjafton që fëmija të ngopet”, sqaroi dietologia e njohur Blerina Bombaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb