Nga Bruna Çërraga

Zemërim social, rinor e jo vetëm, që të mbush me shpresë. Mes këtyre emocioneve, mes dilemash u përfshiva që ditët e para në protestë, bashkë me fëmijët e mi, sepse unë do të jem gjithmonë ku do të jenë ata.

Rini. Shumë rini. Si kurrë më parë në sytë e mi kaq mllef social.

Çdo natë kam vëzhguar kush merr pjesë dhe kam dëgjuar çfarë komentohet rreth saj. Shumë hipoteza qarkullojnë: “është skenar politik”, “është e parashkruar”, “e nisi ky individ kjo apo ajo parti”, “janë të huajt pas saj?”.

Këto pyetje mund të marrin përgjigje, ose mund të mos marrin kurrë. Por një numër kaq i madh njerëzish, sidomos të rinjsh, është përtej çdo filozofie apo bindjeje politike. Është mllef social që buron nga shumëçka dhe që përmblidhet në një thirrje të vetme që buron së brendshmi: Duam të mos ikim nga vendi, duam një vend më të mirë.

Në protestë takon një rresht me atlete që simbolizonin këpucët e fëmijëve të emigruar që i kanë lënë në shtëpi,pamje trishtuese, emigrim rinor që dhëmb.

Nje bulevard me Flamingo të bëra me bukëpeshku, të mbështetura mbi bishta fshesash, që në fund të natës numërohen nga të rinjtë që i kanë mbajtur me kujdes gjatë protestës e që u dhëmb kur një flamingo dëmtohet, sikur të ishte diçka e gjallë. I grumbullojnë paqësisht në stacionin e autobuzit të vendosura në këmbë e që duket sikur duke pritur autobuzin të thonë: “Bashkohuni me ne, bashkë do ia dalim.”

Shihet dhe ndihet një solidaritet prekës njerëzor. Dikush të shkel pa dashje dhe të pyet me mirësjellje: “Motër, më fal, të vrava?”
Dikush kur sheh që trupi yt po lëkundet nga qëndrimi prej orësh në këmbë të ofron ujë.

Një të verbëri krenar, të mbështetur në shkopin e tij, i lirohet menjëherë vendi për t’u ulur në betonin e lulishtes pranë Kryeministrisë. Ai është bashkuar turmës si i barabartë, por në çdo vështrim kuptohet që ai ka kërkesat e tij që pas këtij mllefi social nuk zgjedh ti bërtasi dhe ai si çdokush që ka dalë në sheh, ai ka nevojë për një jetë në të mirë për shërbim mbështetës për një punë, ai ka të drejtë të jetojë si të gjithë.

Spostohem më në brendësi të lulishtes, ku një çift i ri më lejon me dashamirësi të luaj me vajzën e tyre e të shplodhem me të. Më tregojnë se vijnë çdo natë në këmbë nga Astiri.

“Për një kopsht më të mirë”, më thonë.
Duke i parë mendoj ata po ecin drejt dritës, ku ka dritë ka shpresë.

Ata nuk duan të humbasin asnjë brohoritje. Babai mban vajzën krahëqafë, përqaf gruan që mban flamurin mbi supe, duke mos u shoëtuar asnjë emocion nga kjo energji e bujur që krijon turma.

Sa rini e bukur!

Pak më tej shoh një mik me vajzën krahëqafë dhe një flamingo në dorë. Thërret me zë të lartë për një spital pediatrik që të mos ndërpritet energjia elektrike dhe për një mjedis të pastër për fëmijët.

Thirrjet për gjyshërit dhe pensionet e tyre më drithëruan. Në vesh më kumbonte zëri i mamasë sime, që më tregon se si përpiqet ta menaxhojë me nikoqirllëk pensionin e saj prej 180 mijë lekësh në muaj.

Zëra që brohorasin.
Parrulla që rendisin kërkesat. Fëmijë që vizatojnë në bulevard mbi një tapet letre letre, që shtrohet në një pjesë të bulevardit dedikuar enkas për ta, i cili kur fillon marshimi rrethohet nga njê zinxhir njerëzor që mos i dëmtojnë vogëlushët që vizatojnë paqësisht, të rrethuar me përkujdesje nga të gjithë.

A kuptojnë gjë këta fëmijë?

Ndoshta sot jo. Por nesër do të kjo ngjarje do të jetë pjesë e historisë së tyre dhe vendit që jetojnë,do të ndihen krenarë që në këto ditë historike në këto mbasdite të nxehta qershori bashkë me prindërit ishin në shesh dhe vizatuan paqësisht dhe të lirë. Në një shesh ku në mëngjes kalojnë makinat, por nuk mund të çbëjnë si Penelopa atë që po ndodh çdo mbasdite në bulevardin:”Dëshmorët e kombit”ato me vizatimet dhe me prindërit e tyre e çdo pjesëtari në protestë tashmë janë pjesë e historisë së këtij qershori, historinsë së vendit tonë

Emocionohem.

Me lot në sy kthej kokën nga vajza ime, që mban lart celularin me dritën ndezur dhe brohoret. Takon miq e mikesha që ka kohë pa i parë, disa këtu, disa larg Shqipërisë. Përmallohen, lotojnë dhe përsërisin të njëjtën pyetje:

“Pse duhet të ikim?”

I përqafoj edhe unë, por nuk di ç’tu them. Jam plot ndjesi e emocione, por nuk kam një përgjigje.

Pastaj im bir, më pyet:

A ka qenë ndonjëherë kaq i mbushur ky shesh?

Me lot në sy i përgjigjem:
Nuk besoj nuk e kam parë kurrë kështu.
Por di që kjo rini që është sot këtu, ndoshta me një edukim ndryshe nga ai i prindërve dhe gjyshërve të tyre, e di qartë çfarë kërkon dhe për çfarë zgjedh të veprojë di të them:

Kjo është rinia e një Shqipërie të re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb