BRITANI – Gjermania dëshiron t’iu përgjigjet propozimeve të Britanisë për reformimin e Bashkimit Evropian në një frymë konstruktive, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Kam folur me të në telefon dje”, ka thënë ajo, duke iu referuar kryeministrit britanik, David Cameron.

“I di kërkesat, andaj ajo çfarë është në tryezë, nuk është befasi”, ka theksuar Merkel. Merkel ka thënë se ka disa pika të vështira dhe disa më pak të vështira, porse është e bindur se do të gjendet zgjidhje.

Kreu i Ekzekutivit ka thënë sot se Bashkimi Evropian duhet të pajtohet për “ndryshime të pakthyeshme”, që do t’i ripërcaktojnë marrëdhëniet e Britanisë me bllokun. Britania do të mbajë një referendum në fund të vitit 2017 për anëtarësinë e saj në BE.

Cameron deklaroi se do që të mbetet në BE me kusht që ai të sigurojë autonomi më të madhe për Mbretërinë e Bashkuar. Ai i ka paraqitur kërkesat e tij gjatë një fjalimi në Londër, si dhe në një letër dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. Kryeministri ka thënë se Britania do ndryshime në katër fusha, përfshirë mbrojtjen për vendet jashtë Eurozonës dhe më shumë pushtet për parlamentet kombëtare, citon rel.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: