TIRANË- Deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka folur sot për punën e saj, aktivitetin në politikë si dhe jetën personale. Në një rrëfim të hapur në emisionin e mëngjesit “Vila 24” në News24, përballë studentëve të ekselencës, Mesila ka treguar se si nisi greva e studentëve që më pas solli rënien e diktaturës dhe planet për të ardhmen.

Ajo thotë se ka qenë pjesë e të rinjve antikonformistë dhe rebel, ashtu siç ka mbetur edhe sot. Ndërsa për martesën me gazetarin Enkel Demi, rrëfen momentin e parë të takimit. Deputetja tregon se dikur ka menduar ta lërë politikën dhe të rri në shtëpi. “Të përgatis torta dhe të rris fëmijët e fëmijëve”, thotë ajo në Këndin e Ekselencës.

Mesila 3
Ju keni qenë një nxënëse dhe studente ekselence. Kur e keni nisur shkollën?
Unë kam filluar shkollën në moshën 3 vjeç e gjysmë. Fillimisht ishte e çuditshme. Ikte vëllai im dhe motra dhe unë thosha pse të mos shkoja dhe unë. Më hoqën nga shkolla dhe unë e vuaja, nuk rrija dot në shtëpi. Nuk e di pse nuk më çuan në kopsht dhe mbyllej këtu kjo histori.

Pastaj më bënë një test nga Ministria e Arsimit dhe më thanë ta vazhdoja shkollën. E kam bërë tek “Ali Demi” dhe “Kushtrimi i Lirisë”. 15 vjeç e kam mbaruar gjimnazin. Përgjithësisht e rrisja moshën për të mos treguar se nuk më besonin.

Ju para ca ditësh u dekoruat nderi kombit si studente e dhjetorit. Ju kur e bëtë këtë grevë, kishit një organizim apo spontane?
Është temë shumë e gjatë. Kishim 2 javë që e mbanim këtë pjesën e grevës së mësimit. Pas 2 javësh nuk mund të rrinte më në atë gjendje. Regjimi nuk donte që t’i hiqte emrin Enver Hoxha. Nuk kishte më kuptim. U mor vendimi dhe ka qenë një mbledhje tek mensa e studentëve. Ishte problem se edhe studentët e Kosovës kishin marrë disa iniciativa dhe mos të shmangej vëmendja. Ishim kombëtaristë. Ka qenë Blendi Gonxhe. Komisioni i grevës së urisë është votuar me letra. I kemi pasur votat dhe në mur.

Nuk kishte blerje votash?
Ishte e çuditshme. I kemi shkruar të gjithë ato emrat.

Vlerësimi i Presidentit a mos është i vonuar?
Ne ishim antikonformistë. Kush nuk është antikonformist 20 vjeç është i mbaruar. Ishte një gjë që mendonim që nuk duhet të ekzistonte, ishte një rebelim. Një mijë herë do kisha bërë të njëjtën gjë. Nuk e kisha menduar që do isha në politikë. Pas asaj e mendova. Të gjithë studentët e dhjetorit janë rebelë. Unë e dashuroj shumë si profesion.

Nëse s’do kishit këtë profesion?
Kam thënë që në një moment të caktuar do ta lë dhe do rri vetëm në shtëpi, do përgatis torta dhe do rris kalamajtë e kalamajve.

Si ishte njohja me Enkel Demin?
Jemi njohur brenda politikës. Ai ishte tek forumi rinor i PR-së, unë tek PD. Sapo erdha nga Italia, me fustan me kapele. Kishim një aktivitet mes forumesh. Isha 21 vjeç. Shkova ta takoja, atje kishte shumë djem. Keli i nxori të gjithë ‘përjashta të gjithë”. U martuam kur isha 23 vjeç.

Ishte me shikim të parë?
Jo, jo. Kishte tërheqje. Pastaj unë pata një fatkeqësi dhe u ktheva, nëna ime ishte sëmurë. Ajo ishte periudha që u lidhëm më shumë.

A ju jep ndonjë dorë për gatimin Enkeli?
Di të gatuaj. Dha vajza di mirë të gatuaj. Në fundjavë i përkushtohemi më shumë gatimit të dy.

Çfarë marrëdhëniesh ke me vjehrrën?
Jetojmë me të. Shkojmë shumë mirë. Shyqyr që e kemi nanën (Vjehrra).

Çfarë studion djali?
Për mjekësi. S’do ta lija të merrej me politikë. Edhe unë do kisha bërë një tjetër profesion. Ti varesh nga kryetari i partisë. Mund të jesh edhe më i mirë se kryetari i partisë por s’të lë. Ndaj pse ta lë djalin të ketë këtë situatë.

Si i keni marrëdhëniet me djalin dhe vajzen?
Shumë të mrekullueshme. S’di të them se ça prirje ka vajza, pasi është shumë e mirë në të gjitha.
Vajza e babait, djali i mamit?
Jo jo.

Çfarë marrëdhëniesh keni me koleget tuaja?
kam shumë miqësi. Siç është Albana Vokshi, Majlinda Bregun. Monika Kryemadhin. Janë vlera më e madhe e këtij kombi.

Ju u larguat nga PD para një viti, për t’ju bashkuar PDIU. Ju larguan apo u larguat vete nga PD?
Ju e dini pak a shumë. Unë isha në kontradiktë prej dy vjetësh me lidershipin e PD. Po prej kësaj është. Vazhdoj të mendoj që ai (Olldashi) do ishte lideri i vërtetë i PD-së. Shkaqet ishin që unë nuk i bindesha gjërave që mendoja se ishin abuzive në PD. Dhe jo hajde vëmë një e shohim çdo dalë rrugës. Ndaj mos ta vijojmë më këtë bisede. Ndaj nuk vazhdova për t’i thënë ‘derrit dajë’.

Si i keni marrëdhëniet me Zotin Berisha?
Berisha ishte një lider historik, ishte një gjë tjetër. Edhe me Berishën kishte biseda intensive personale. Por me Berishën fliteshin gjërat dhe ishin aty, nuk ishte që bëheshin bisedat dhe pastaj dilje dhe thoje një gjë tjetër. Kishte një lloj peshe tjetër ai.

Keni komunikim me Zotin Berisha?
Po kur shihemi me zotin Berisha përshëndetemi në parlament.

Po me Zotin Basha?
Jo nuk jeni hasur bashkë.

A mendoni se i ka ardhur fundi i kuotave fikse të përfaqësimit të grave në Parlament?
Zoti Idrizi ka qenë shumë mbështes për femrat në Parlament.

A mendoni që duhet një presidente fermër?
Po, e kam thënë disa herë.

Ndonjë emër?
Mimi Kodheli, Monika Kryemadhi, Albana Vokshi.

E diskutoni mes njëra-tjetrën këtë çështjen e Presidentit?
Asnjë nga ato se pranon se do jetë tjetra (Qesh)

Meqë jemi pjesë e protestës, ju vjen keq që s’mund të bashkoheni me protestën?
Protestat i bëjnë mirë vendit. Po të doja do shkoja.

Nëse do shkonit do ishit kundër PS…
Protesta lindi për votën e lirë. Nuk do kisha asnjë problem. Unë jam demokrate.

Mendoni se janë në rrezik zgjedhjet?
Unë dua që t’i besoj standardeve. Në këtë vend çfarë nuk kanë ndodhur. Ndaj të dyja partitë kanë vendosur për të mos qenë dakord. Kjo historia që kapet bulevardi peng njëherë në 4 vjet nuk është normale.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: