DIBËR-Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një shkollë 9-vjeçare në Gollobordë të Dibrës. Mësohet se personazh është bërë një mësues, i cili në gjendje të dehur ka rrahur me drutë që përdoreshin për t’u grohur 12 nxënës të klasës së tretë dhe të parë. Incidenti është shënuar në shkollën 9-vjeçare “Orzhanov” në Ostren.

Sipas informacioneve, mësuesi Adil Muça ka qenë nën ndikimin e alkoolit gjatë një ore mësimi, e më pas ka ushtruar dhunë ndaj të miturve, 4 prej të cilëve përfunduan në spitalin e Bulqizës në gjendje kritike për jetën. Bëhet e ditur se një prej të miturve, pre e sulmit të mësuesit ka qenë dhe një nxënëse, të cilës ia përplasi kokën në mur. Ajo është dërguar fillimisht në spitalin e Bulqizës, e më pas në atë të Peshkopisë me fraktura në kokë.

Kanë qenë vetë prindërit e nxënësve ata që kanë bërë denoncimin në polici, e cila nisi menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes. Sakaq, sapo u njohën me rastin, Ndërkohë, që drejtoria e shkollës dhe bordi drejtues kanë pushuar menjëherë nga puna mësuesin dhunues. Sakaq policia ka arrestuar 63-vjecarin qe dhunoi nxënësit.

PRINDËRIT: NUK ISHTE HERA E PARË, NXËNËSIT: NA BËNTE PRESION TË MOS TREGONIM
Prindërit e nxënësve të dhunuar në Dibër kanë folur për gazetarin e Neës24, Enver Doçi dhe kanë deklaruar se ky rast nuk ishte i pari. Sipas tyre mësuesi Adil Muça i ka dhunuar edhe tjetër herë fëmijët, pasi shkonte në shkollë i dehur.

“Kjo nuk është hera e parë që ai dhunon fëmijët, i ka dhunuar fëmijët edhe herë të tjerë. Mësuesi shkonte në shkollë në 12:00 i dehur. Shkonte në 12:00, i lironte nxënësit pasdite”, kanë thënë prindërit.

Edhe vetë nxënësit kanë rrëfyer se mësuesi i rrihte dhe i bënte presion të mos tregonin. “Na rrihte dhe na bënte presion të mos tregonim Edhe herë të tjera na ka goditur me drutë e zjarrit. Na përplaste kokën në banka ose tek muri. Mësuesi na qëlloi me dru te koka e shpatulla”, kanë thënë ata.

MALAJ: MËSUESI ËSHTË PEZULLUAR DO TË NDIQET PENALISHT
Fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në një shkollë 9-vjeçare në Dibër, ku mësuesi dhunoi 12 nxënësit e tij, ka reaguar zëvendësministrja, Nora Malaj. Sipas Malajt kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e paprecedentë. Nga ana tjetër Malaj tha se mësuesi është pezulluar dhe do të ndiqet penalisht. Sakaq, Malaj bëri apel që këto raste mos të behën pjesë e kronikave në media. “Ka ardhur momenti të bëhemi barrierë. Situata të tilla të mos jenë pjesë e kronikave në media”, tha zv/ministrja.

Policia
“Pas informacioneve te marra se ne shkollen “Orzhanov” -Ostren Bulqize ku mesuesi i kesaj shkolle shtetasi Agim Muca 63 vjec ka ushtruar dhune ndaj nxenesve te mitur. Ku jane dhunuar 3 prej tyre ku njera paraqitet me shenja te theksuara dhune ne koke. Mesuesi eshte pezulluar nga detyra nga Drejtoria Arsimore. Nderkohe ju informojme se Policia ka filluar veprimet hetimore per kete ngjarje”.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: