Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shkarkon dhe procedon penalisht specialistin e ZVRPP Vlorë, Patriot Deraj.

Menjëherë pas marrjes dijeni, përmes emisionit investigativ “Stop”, për përfshirjen e një punonjësi të ZVRPP Vlorë në afera korruptive, Kryeregjistruesi z. Elion Semanaj ka firmosur urdhërin e shkarkimit për punonjësin Patriot Deraj, me detyrë specialist IT pranë kësaj zyre.

Njëkohësisht, ZQRPP ka marrë masa për referimin e materialit kallëzues në organin e prokurorisë.

“Ministria e Drejtësisë dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë të vendosur për dënimin e çdo lloj abuzimi me detyrën, shkeljeje të ligjit dhe shpërdorimit të besimit të publikut nga cilido punonjës i Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë. Inkurajojmë qytetarët që të mos hezitojnë të denoncojnë të gjitha veprimet korruptive apo në shkelje të detyrës nga punonjës të ZVRPP-ve apo të institucioneve të tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, deklaron Ministria e Drejtësisë.

Punonjësi i Hipotekës Vlorë u regjistrua duke marrë 50 mijë lekë të reja kundrejt nxjerrjes së certifikatës së pronësisë për një pronë të cilën qytetari nuk mundte ta regjistronte prej 4 vitesh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: