NGA ERJOLA JATA*
Kamionët dhe autobusët që do të kalojnë në rrugën e kombit do të paguajnë tarifë më të lartë se veturat. Ministria e transporteve ka përcaktuar që drejtuesit e veturave të paguajnë tarifë 5 euro. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Transporteve Eduart Seitaj në një intervistë për News 24 sqaroi se nisur nga praktikat ndërkombëtare tarifa për drejtuesit e autobusëve dhe kamionëve do të jetë 2-fish më e lartë se makinat për përdorim vetjak.

“Ndërkohë që për automjet e një lloji tjetër siç janë ato për shërbim publik ka një pagesë më të madhe për arsye se konsumi që i bëjnë rrugës është shumë më i madh sesa konsumi që i bëjnë makinat e përdorimit vetjak edhe për shkakun se këto janë automjete që përdoren për aktivitete tregtare dhe jo vetjake. Ka praktika ndërkombëtare autobusët janë diku në dyfishin e pagesës së makinave për përdorim vetjak, ndërsa kamionët në varësi të peshës rreth 3-fishin e asaj pagese”, sqaron Seitaj.

Ai deklaron se për banorët e zonës do të ketë lehtësira fiskale të parashikuara në kontratën me koncesionarin turk.

“Koncesionari i ardhshëm do të jetë i detyruar që në bashkëpunim me ministrinë e transportit si dhe konsulentin IFC si dhe me supervizorin që do të zgjidhet për mbikqyrjen e kësaj kontrate do të përcaktoj një skemë lehtësimi për të gjithë ata banorë që janë përdorues të zakonshëm të rrugës që do të thotë që kushdo që kalon rrugën le të themi këto janë terma për tu përcaktuar le të themi 10 herë në muaj do të përfitoj një zbritje të konsiderueshme nga tarifa për përdorimin e rrugës, shprehet Seitaj.

Kompania koncensionare për 13 vjet do të subvencionohet nga shteti në vlerën 5 mln e 600 mijë euro në vit. Për sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së transporteve subvencionimi ndihmon financiarisht koncensionarin në rast se nuk realizohet trafiku i kalimit të automjeteve në këtë aks rrugorë.

“Në studimin e fizibilitetit dhe në të gjitha dokumentet e tenderit është parashikuar që shteti të ketë një subvencion vetëm për pjesën që përkon me ndërtimin dhe ripagimin e kredisë së ndërtimit pasi koncesioni nuk është thjesht një mirëmbajtje dhe operim por ka dhe një komponent ndërtimit për përfundimin e ndërtimit të rrugës në atë pjesë që nuk është përfunduar. Shteti duke qenë se trafiku i rrugës është i pamjaftueshëm për ti mbuluar të gjitha këto investime ka parashikuar një subvencion për 13 vite që në rastin e ofertës së përzgjedhur është 5mln e 600 mijë euro në vit, ndërkohë që investimi fillestarë që do të kryhet brenda 3 viteve të para është në vlerën 50 mln e 600 mijë euro”, thotë Seitaj.

Në strategjinë për taksimin e rrugëve BERZH rekomandon vendosjen e tarifave dhe për 8 akse të tjera rrugore. Ekspertët rekomandojnë vendosja e taksës në këto rrugë të kryhet gradualisht në tre faza. Ministria e Transporteve sqaron se deri tani ende nuk janë vlerësuar rekomandimet e strategjisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: