Përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti 58,072 fëmijë u regjistruan në kopshtet publike në Tiranë sipas të dhënave të Open Data të bashkisë.

Numri i fëmijëve të regjistruar për muajt janar-korrik u rrit 6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Që nga nisja e mbajtjes së të dhënave mujore mbi numrin e fëmijëve të regjistruar në kopshtet publike në vitin 2018, për muajt janar-korrik 2023 është shënuar numri më i lartë i fëmijëve të regjistruar në kopsht. Për 12 njësitë administrative të kryeqytetit janë 53 kopshte publike të cilat menaxhohen nga bashkia e Tiranës.

Rritje për këtë vit ka pasur edhe për frekuentimet e kopshteve. Sipas të dhënave të Open Data numri mesatar i frekuentimit të kopshteve publike për janar-korrik 2023 ishte 33,000 fëmijë. Krahasuar me vjet mesatarja e frekuentimit për janar-korrik u rrit 8%.

Si kanë ndryshuar tarifat
Tarifat mujore për kopshtet publike në Tiranë janë 5,000 lekë. Në kopshtet jopublike tarifa për frekuentim të plotë variojnë nga 15,000 deri në 25,000 lekë në muaj.

Krahasuar me vjet tarifat te kopshtet publike kanë mbetur të pandryshuar. Rritje të tarifave për këtë vit të ri shkollor ka pasur në disa nga kopshtet private të Tiranës. Rritja më e lartë ishte për zonat periferike, siç është Fresku ku sipas prindërve janë rënduar në kosto për pagesë kopshti deri në 42% më shumë. Ndërsa në disa zona të tjera, si Komuna e Parisit apo pranë maternitetit “Koço Glozheni” sipas një vëzhgimi të Monitor tarifat kishin mbetur të pandryshuara.

Shkak i shtimit të tarifave siç pohohet nga prindërit është nga shtimi i kërkesës për regjistrime të reja dhe përmirësimi i kushteve. Në dy nga kopshtet jopublike të zonës së Freskut sipas prindërve nga 1 shtatori tarifat u rritën nga 20 deri në 36%. Në një nga kopshtet jopublike në rrugën “Shefqet Kuka” në zonën e Freskut sipas prindërve tarifa e plotë e frekuentimit nga 11,000 lekë arriti në 15,000 lekë në muaj (rritja 36%).

Ndërsa tarifa për frekuentim të pjesshëm (orari i qëndrimit të fëmijës në kopësht është deri në orën 13:00) në këtë zonë sipas prindërve janë rritur 42% më shumë.

Një tjetër kopsht jopublik në këtë zonë në rrugën “Muhamet Deliu” sipas prindërve tarifën për frekuentim të plotë nga 15,000 lekë në muaj e rriti 20%. Tarifat për këtë kopsht arritën në 18,000 lekë në muaj.

Në një nga kopshtet jopublike në zonën e Komunës së Parisit tarifa mujore ishte 20,000 lekë në muaj krahasuar me vjet tarifa nuk kishte ndryshuar. Edhe në një nga kopshtet jopublike në zonën pranë maternitetit “Koço Glozheni” tarifat për frekuentim të plotë prej 25,000 lekë në muaj kanë mbetur të pandryshuara. Vjet në këtë zonë pati rritje të tarifave rreth 6%.

Sakaq me rikthimin e TVSH-së në sektorin e arsimit vitin e ardhshëm ekspertët paralajmërojnë shtim të tarifave për sektorin jopublik arsimor në të gjitha nivelet.

Prej vitit 2014 shërbimi i edukimit dhe mësimdhënies në të gjitha nivelet është i përjashtuar nga TVSH-ja. Nuk përfshihen si shërbime të përjashtuara, shërbimet e ofruara nga institucione që ofrojnë kurse trajnimi, kualifikimi, kurse të tjera speciale ose profesionale, nëpërmjet të cilave nuk merret një formim i vazhdueshëm për pjesëmarrësit, i cili në përfundim të tij të shoqërohet me një diplomë të vlefshme./Monitor/

Nn
Nn

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb