Mediat spanjolle, mungesën e lojtarëve të Barcelonës në ndarjen e çmimeve të FIFA-s, e kanë cilësuar si rrezik për përçarjen e kombëtares. Kjo me arsyetimin se shumica e lojtarëve të “la rohas” janë pjesë të ekipit “katalanas” dhe Realit Madridit.
Për të përgënjeshtruar këtë spekullim ka menduar kapiteni i Barcelonës, Andres Iniesta, i cili u ka telefonuar personalisht futbollistëve madrilenë për t’u kërkuar ndjesë dhe uruar për çmimet e fituara. Mesfushori blaugrana u sqaroi kolegëve të Realit se mungesa në Zyrih ishte një çështje që nuk kishte të bënte me ta, por erdhi si pasojë e mospërputhjeve në hierarkinë e klubit.
I pakënaqur nga kjo mosprezencë ishte edhe ish mbrojtësi i Barçës, Dani Alves, që tani aktivizohet me Juventus. Braziliani që ishte pjesë e 11-tëshes më të mirë u shpreh: “Ata (lojtarët e Barcelonës) më lanë vetëm me të Realit. Duhej të kishin ardhur”.
Pavarësisht mungesës së lojtarëve përfaqësuesit e Barcelonës nuk munguan. Krerët e klubit që ishin në ceremoni mungesën e lojtarëve e justifikuan me arsyetimin se po pregatiteshin për ndeshjen e ardhshme.
Gjithsesi mungesa e tyre në një ngjarje kaq të rëndësishme ka ngritur mjaft pikëpyetje dhe pakënaqësitë për këtë nuk kanë munguar.
(e.k/BalkanWeb)