NGA MARSELA KARAPANÇO
Llogarite bankare të rrogave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të tejfryhen. Kjo pasi komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi ka pranuar të negociojë me ministrinë e financave për rritjet e mëdha të pagave të punonjësve të sistemit të drejtësisë, pas letrës së dërguar disa ditë më parë nga financat, ku shprehte shqetësimin se fatura vjetore me këto rritje ishte shumë e lartë.

Reforma në Drejtësi, në pr/ligjin për statusin e prokurorit dhe gjyqtarit, kishte parashikuar një rritje të konsiderueshme të pagave të tyre. Këto rritje shkonin deri në 160% mbi pagat aktuale, duke bërë që një prokuror i thjeshtë të merrte gati 300 mijë lekë në muaj, ndërsa paga më e lartë për gjyqtarët parashikohej të shkonte deri në 450 mijë lekë.

Burimet nga ministria e financave dhe nga komisioni për reformën në drejtësi, i thanë Neës24 se tashmë është ngritur grupi i ekspertëve për të trajtuar këtë çështje. Negociatat paraprake e kanë synimin që rritja e pagave të mos jetë më shumë se dyfishi i pagave aktuale, pra 100%. Mundësitë më të mëdha flasin për një shifër prej 90%, por ende nuk ka konfirmim zyrtar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb