TIRANË- Nën të ftohtin e acartë që po përjeton Tirana dhe gjithë Shqipëria, kryebashkiaku Veliaj dhe institucioni që ai drejton kanë marrë të gjitha masat që të ketë përkujdesje për të pastrehët, të pamundurit dhe të moshuarit.

Falë ndihmës dhe përkujdesit në kohë, ndonëse temperaturat në kryeqytet arritën deri në -11 gradë, nuk pati asnjë viktimë nga i ftohti, siç ndodh në qytetet e tjera, ndërsa vetë Veliaj përveshi mëngët dhe i erdhi në ndihmë qendrave ditore sociale, duke shpërndarë vetë ushqimin për të pastrehët.

Për të folur për këto por edhe për projektet e Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi sot studion e emisionit “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko, ndërsa përballë kryebashkiakut ishin dy gazetarët Rezarta Delisula dhe Mariglen Mërtiri.

Duke folur për planin urbanistik, Veliaj tha se ai është plotësisht i konsultuar me grupet e interesit, ndërsa shtoi se nuk do të prekë asnjë monument kulture të Tiranës. Sa për parkimin nëntokësor që po ndërtohet tek sheshi ‘Skëndërbej”, Veliaj u shpreh se ka një leje të cilën do ta publikojë shumë shpejt.

Keni bërë paralajmërime për kushtet e motit dhe mirë keni bërë…Na tregoni të gjitha masat që keni marrë?
Erion Veliaj: Motin nuk e kemi në dorë, por kur të vjen në derë duhet ta përballosh. Zgjodhëm të mos bënim analizë por kur kuptuam që ishte diçka e pazakontë, pasi njerëzit në Tiranë para ca ditësh e pinin ende kafen jashtë dhe ardhja kaq e bëftë e përkeqësimit të motit na bëri të kuptonim që duheshin marrë masa. Vetëm insistimi i një komshiu çonte zjarrfikësin tek dera e një të moshuari. Janë shpëtuar pafund jetë njerëzish, jemi ende në proces. Vetëm mbrëmë dhamë zgjidhje për 133 persona në situatë rruge.

Si ndihmohen të pastrehët?
Erion Veliaj: 4 qendra funksionojnë në mënyrë të përditshme, për banorë permanetë por në rastin konkret kemi pasur fluks më të madh pasi të pastrehët vijnë edhe nga rrethet. Kemi hapur 7 qendra të tilla në këto kushte.

Ata njerëz do i rikthehen rrugës pasi të kalojë i ftohti? Si do bëjmë që të mos mbeten aty?
Erion Veliaj: Ka nga ata njerëz që i kanë familjet. Kemi gjetur dy fëmijë në situatë rruge, pasi ishin zënë me familjen dhe i kishin nxjerrë jashtë, kemi ish-të burgosur që duhet t’i bashkohen familjeve.

Rezarta Delisula: Ju keni deklaruar se do i hiqni kujdestarinë familjeve që lënë fëmijë në rrugë?
Erion Veliaj: Ne u habitëm natën e parë që gjetëm 2 fëmijë në rrugë, por pas atij rasti nuk ka pasur më. Është normale që qytetet me mëdha prodhojnë të tilla drama, por ajo që na habiti është se pamë fëmijë që kishin familje të larguar pas një konflikti banal. Sigurisht që jam i përgatitur të mbaj atë që kam thënë.

Mariglen Mertiri: Problematika më e madhe është për personat me aftësi të kufizuar. Një pjesë e tyre nuk pranojnë të qëndrojnë në qendra, dhe rikthehen në rrugë…
Erion Veliaj: Është e vërtetë. Është në konsultimet me ministrat e linjës, kemi diskutuar nevojën që personat me probleme psikike të strehohen në qendra specifike për trajtimin e këtyre rasteve. Edhe pse në qendrat sociale ka punonjës socialë, këto situata janë të pranishme. Por duke qenë sa tani gjendemi në kushtet e motit të ftohtë, nuk mund të marrim nisma të kësaj natyre.

Ola Bruko: Qytetarët ankohen se ka ngrirë uji?
Erion Veliaj: Nëse do të kisha një buton që e shkrin ujin e gjithë Tiranës, do e kisha shtypur. Por kjo nuk është e mundur. Ne jemi në një situatë ku prej vitesh janë vënë depozita në tarracat e pallateve, dhe këto kanë ngrirë. Në pallatet ku instalimet janë bërë siç duhet, dhe depozitat janë në vendet e duhura, uji nuk ka ngrirë. Situata është normale. Në zona të tjera të vendit që janë mësuar me motin e ftohtë janë marrë masat, duke mbuluar sahatet e tubacionet e ujit.

Rezarta Delisula: A ka investime paralele edhe në kanalizime? Me këtë rritje dendësie popullsie, ku po shkojmë me këto kanalizime?

Erion Veliaj: Kemi punuar në shumë zona në Tiranë. Kemi punuar në zonën e Bregut të Lumit. Bashkia e Tiranës, tek zona “Don Bosko” nuk ka dhënë asnjë leje. Por me ndërtimet e bëra aty, duam s’duam duhet të veprojmë në situatën ku jemi. Duke parë rrethanat ne kemi bër ëmë të mirën. Me këtë dendësi popullsie ne kemi këto mundësi në të cilat po veprojmë. Ujërat në Tiranë derdhen në Lanë dhe në lumin e Tiranës. Disa pallate janë nën nivelin e Lanës nuk mund të shkarkojnë ujin kur Lana fryhet. Në këtë sens duhet pritur ato 2 orë sa të shkarkohet Lana. Sot qyteti është disafishuar. Në një ditë në vit kur për dy orë ndodh kjo që ndodh, çfarë mund të bëjmë. Disa pallate janë ndërtuar mbi kolektorë, cilin pallat të prishim. Kush del vullnetar për këtë. Po kjo s’mund të bëhet. Ndaj po përpiqemi të veprojmë me mundësitë që kemi.

Mariglen Mërtiri: Kur shirat bien, kemi zonën e Kasharit, ku përmbytet gjithmonë. Keni dijeni për bizneset që janë ndërtuar në kolektorë?
Veliaj: Ka një drejtori që merret me rrugët nacionale, ne meremi me rrugët lokale. Përsa i përket bizneseve më shumë më dhembin njerëzit në zonat rezidenciale si e ka bërë ndërtuesi pallatin në rrumpallën e vitet ’90.

Mariglen Mërtiri: Ai sjell përmbyetjen e të gjithë autostradës…
Veliaj:  Nëse një biznes e ka ndërtuar mbi kolektor i ka bërë dëmin vetes, nuk është detyra e bashkisë të rikuperojë një ndërtim që është bërë pa menduar..

Bruko: Ju keni thënë që viti 2016 është vit i fëmijëve dhe i kantiereve të ndërtimit…
Veliaj: Besoj e fëmijëve sepse në një qytet ku kishte kohë që nuk ishte vënë dorë, duhet të fillojmë nga diçka. Nga ajo që pashë që në fillim, vajta në çerdhen ku kam qenë unë, dhe aty ishte e tmerrshme. Kishte myk e kërpurdha në muret e kopshtit. Rezultati i kompanive dhe filantropëve që morën përsipër kopshtet, ishte fantastik. Filloi një garë e këndshme mes kompanive se kush bënte kopshtin më të bukur.

Mërtiri: A ka bonus mbrapsht..
Veliaj: Ka pasur një falënderim nga ana jonë. Në bashkinë e Tiranës nuk ka trajtim preferencial për asnjë kompani. Merret një pllakë falënderimi nga ana e Bashkisë.

Bruko: A janë kopshtet dhe çerdhet të pajisura me sistem ngrohjeje
Veliaj: Mbi 90% ka qenë funksionale.

Bruko: Mbyllja e shkollave dhe e kopshteve ka pasur lidhje me të ftohtin apo gripin e ditëve të fundit?
Veliaj: Qef është të rrish në Hollandë dhe të bësh statuse për këtej. Kur është ftohtë trupi është më vurnerabël ndaj gripit, kështu që rrjedhimisht mund të të zërë. Nga këto filizofitë e këtyre që kishin mundësinë t’i bënin gjërat, por bënë një vrimë në ujë, janë muhabete njerëzish jo seriozë. Ne respektuam një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Rezarta Delisula: Unë kam fëmijën në Shkollën e Kuqe, kemi blerë vetë kondicionet. Këto firma që kanë marrë para për sistemin e ngrohjes, për kaldaja, a ka ndonjë mundësi që të mos marrin më tenderë nga bashkia?
Erjon Veliaj: Shumica e kompanive që kanë bërë punë këtu e 15 vite më parë nuk marrin më punë në Tiranë. Jo vetëm janë marrë masa dhe janë vënë gjoba. Nëse ju dini një rast jam i gatshëm të marr masa. Pasi dikush ka bërë një gafë, nuk ka marrë më punë në Tiranë.

Kopshti 18 dhe 17 kur do përfundojnë?
Erjon Veliaj: As një njeri që ndërton në shtëpinë e tij nuk e bën dot për një orë, ose brenda natës..

Janë 70 fëmijë në një grup në kopsht dhe me një numër të vogël edukatoresh…
Erjon Veliaj: Ne kemi bërë shumë të mira por kjo asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Kemi bërë punë të mira për të zgjidhur emergjencat. Nevoja më e madhe e Tiranës janë shkollat, e pranoj që edhe për kopshtet dhe çerdhet duhet edhe më shumë.

PLANI URBANISTIK I TIRANËS
Erion Veliaj: Pse ka kaq shumë skeptikë dhe kritika lidhur me planin urbanistik të Tiranës?
Erion Veliaj: Kritika është normale nga opozita, sidomos e kësaj tonës që është kundër gjithçkaje. Kur dikush ka një kritikë vjen dhe ta thotë. Shikoni kush mungon më shumë në Këshillin Bashkiak. Unë i pranoj kritikat. Gjithë kohën reflektoj. Unë jam kritik, dhe i rreptë me stafin tim, edhe pse të gjithë punojnë me përkushtim. Nëse mbahesh si kritiku më i madh, eja në mbledhjen e Këshillit. Bëra rreth 100 dëgjesa, edhe lagje më lagje, edhe në nivel ekspertësh. Kemi bërë dëgjesa në 24 njësitë.

Mariglen Mertiri: Keni marrë ide konkrete gjatë këtyre dëgjesave? Mund të na thoni një prej tyre?
Erion Veliaj: Një prej tyre është një parking nëntokësor te sheshi “Skënderbej”. Një tjetër ka qenë parku i ri i Farkës. Një tjetër ka qenë ideja policentrike. Nuk ishte ide fillestare e planit, kjo ide lindi në Laprakë.

Mariglen Mertiri: Ju nuk keni dalë të flisni për akuzat që iu janë bërë se nuk keni leje?
Erion Veliaj: Ne kemi leje për këto ndërhyrje. Po veprojmë sipas kësaj leje. Unë duhet të bëj zgjedhje ose të merrem me këta delirantë që kritikojnë çdo gjë, ose të punoj. Unë po punoj për një urë, psh, dhe kjo është detyra ime funksionale.

Mariglen Mërtiri: Z.Veliaj bëhet fjalë për parking nëntokësor?
Erion Veliaj: Vendime të tilla për ndërtime janë pjesë e punës sime të përditshme. Nuk mund të merrem me çdo gjë që thuhet. Moria e kërkesave, çudirave, kritikave, sharjeve, shpifjeve është e tillë, që unë duhet të marr një vendim, ose të merrem me to, ose të punoj. Do ta publikoj lejen për parkingun.

Ola Bruko: Kur do ta kemi parkimin nëntokësor sipas planit?
Erion Veliaj: Edhe në ditët e sotme ku temperaturat janë nën zero, aty po punohet. Parkimi mbaron në mars.

Mariglen Martiri: Bëhet fjalë për 5 parkingje nëntokësore?
Erion Veliaj: Unë besoj se për aq kohë sa janë në tokë, hapësira për qytetarët mbetet e lirë. Shumë qytetarë mund të vijnë nga rrethet e tjera për punë të ndryshme në Tiranë, dhe duke qenë se institucionet janë të vendosura në qendër të kryeqytetit shihet e nevojshme kjo gjë.

Rezarta Delisula: Do ulen tarifat për parkingjet?
Erion Veliaj: Do të ketë abone. Do të ketë një mënyrë të re për pagesën e tarifave.
Veliaj: Sipërfaqja pedonale mbetet e lirë. Me fluksin që ka në Tiranë, që vijnë se kanë punë të përditshme, nuk do jenë kurrë mjaftueshëm parkingjet nëntokësore. Vendosja në qendër, është e mirë. Sa vjen në Tiranë, parko makinën dhe shyqyr Zotit.

Rezarta Delisula: Ju sapo keni prishur një bunker të austrahungarezëve i vetëm i mbetur..
Veliaj: Monument kulture ky?..

Rezarta Delisula: Është prishur për efektin e kioskave që do ndërtohen..
Veliaj: Nëse më thua që është monument kulture, atëherë unë e mbyll debatin. Në momentin që rijetëzohet Kalaja Tiranës për një pastrim të territorit që ishte me ferra e inerte kjo është çështje tjetër, por nuk kemi prekur asnjë monument kulture. Nëse më thua që çdo copë betoni është e kohës romake dikush duhet t’i çertifikojë.

Mariglen Mërtiri: I njihni ndonjë kontribut Bashës për Pazarin e Ri
Veliaj: I njoh kujtdo dikujt që ka bërë kontribut

Mariglen Mërtiri: Ishte ide e Bashës
Veliaj: Bashkia e Tiranës nuk dha asnjë qindarkë në kohën e tij, nuk ka lëvizur as gishtin kur ka qenë në bashki. Kjo është si bulevardi i ri planifikimi i të cilës kanë qenë që në vitin 1989. Projekti u la gati dhe u la hapur vetëm parkingu ku do vendoseshin makinat. Pasnesër vihet guri i parë në Bulevard. Projektet në Tiranë kanë qenë që në kohën e Adil Çarçanit.

Ola Bruko: Cila është risia e këtij plani?
Veliaj: Tirana që kemi planifikuar ne është që në vitin 2030 është 1.5 mln persona. 20 mijë persona në vit. Plani që trashëgova ishte për 4.5 mln veta deri në 2020, i binte të vinte gjithë Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë. Është e paimagjinueshme një kataklizmo e tillë. Kur planifikon popullata planifikon projekte ndërtimi.

Rezarta Delisula: Identiteti i Tiranës është hequr. Duhet ta ruajmë. Duhet të bëni diçka që ka një shenjë nga Tirana sepse shumë pyesin çfarë ka Tirana
Veliaj: Ne po ftojmë artizanë, njerëzit duhet të kuptojnë si punohet ari dhe argjendi. Ne kemi ftuar ata që bëjmë ushqime sepse trashëgimia nuk është vetëm ndërtesa. Duam t’i themi të tjerëve ja çfarë mund të ketë Tirana. Ne me finesë do projektojmë një imazh si ka qenë Tirana

Ola Bruko: Cilat janë risitë e projektit
Veliaj: Kemi plan ambicioz që duhet të planifikojmë për 2 mln pemë. Se oksigjeni nga do vijë? Duke pakësuar makinat.

Ola Bruko: Çfarë parashikohet për sheshet për qytetarët? Një nënkalim për shembull te sheshi “Skënderbej”.
Erion Veliaj: Një projekt për një shesh pedonal është një projekt për njerëzit, jo për makinat. Një nënkalim ka një kosto shumë të madhe, nuk e përballojmë dot. Tirana ka nevojë për një tramvaj, por ka një kosto shumë të madhe, që Bashkia nuk e përballon dot.

Rezarta Delisula: Ka qenë një deklaratë juaja që “shqiptarët e marrin makinë edhe për të shkuar në kafe”…
Erion Veliaj: Këtë e ka thënë një kompani gjermane. Dhe në studimin e bërë kjo ka rezultuar. Sa më shumë rrugë bën, aq më shumë makinë vijnë. Në thelb rruga dhe asfalti është ftesë për makinat.

Rezarta Delisula: Projekti i qendrës a përfshin ndonjë kafene apo zona argëtimi? Parkingu nëntokësor është edhe pranë Bankës së Shqipërisë…
Erion Veliaj: Në këto institucione nuk ka para kesh, ato janë në thesare. Besoj se çdo gjë është e sigurt. Po punohet edhe për hotel “Dajtin” për ndërtimin e zyrave. Por në këto institucione nuk ka para kesh.

Mariglen Mërtiri: Për transportin urban flisni për dy Unaza. Unaza e Madhe nuk ka përfunduar ende? Kështu do të jenë dhe unazat e reja?
Veliaj: Detyrat e planit është të planifikoj. Që të kemi qytetin që duam nëse sigurojmë financat do bëhet më shpejt. Qyteti ka nevojë për 2 mln pemë që të oksigjenohet. Deri tani provuam që trefishuam buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe shpresojmë që kështu të vazhdojmë.

Ola Bruko: Plani urbanistik i Tiranës me se do të realizohet?
Veliaj: Rrjeti minimal i biçikletave është rritur me 3 herë. Do përgjigjemi me investime të tjera. Kemi bërë shumë rrugë për biçikleta, po rrjeti nuk mjafton. Kemi projektuar disa mijëra pemë, por edhe në sytë e donatërove duhet të jemi seriozë që të investojmë. Tek Pazari i Ri ne kemi investuar 3 herë më shumë se investitori i huaj. Duhet të jemi seriozë që të kërkojmë.

Ola Bruko: Do ketë ulje të taksave?
Veliaj: Buxheti kaloi dhe nuk pati asnjë rritje taskash. Paketa fiskale mbaroi për 3 sekonda se nuk kishte asnjë ndryshim. Ne arritëm performancë të mirë, pa asnjë rritje.

Ola Bruko: Prioritetet e Tiranës në 2017?
Veliaj: Do jetë fshati. Nëse nuk investojmë në fshat, ajo popullsi e fshatit do vijë në qytet, asnjë nuk do punojë tokën, asnjë nuk do bëjë domaten, asnjë vajin dhe do shkonim në një situatë anormale. Nuk ka sens.  Fshati është kryefjala e 2017-s.

Ola Bruko: Po lagjet e kryeqytetit do kenë vëmendje?
Veliaj: S’kemi para për t’i bërë të gjitha përnjëherë. Po merremi me disa lagje por s’mund t’i mbarojmë të gjitha njëkohësisht. Kaq mund të hapim. Tejkalimi do e paralizonte kryeqytetin. Premtimet i kemi bërë për 4 vjet kështu kaq mund të hapim. Mos të bëjmë lagje që pastaj t’i shqepim për kanalizime. Vëmendjen fillimisht e kemi tek rrjetet nëntokësore.

NDARJA E MBETJEVE NË KOSHA
Ola Bruko: Është e vështirë me mentalitetin e shqiptarëve për t’u mësuar me ndarjen e mbetjeve?
Erion Veliaj: Unë prirem të shoh më të mirën e gjërave. Sot na rezulton që gjysma kanë filluar ta aplikojnë. Edh më vjen mirë që fëmijët janë optimistë për këtë gjë. Nuk është ndonjë ndryshim që kërkon ndonjë sakrificë të madhe, por vetëm pak angazhim për t’i ndarë. Për ne është sukses dhe arritje, që gjysma e Tiranës e mësoi kaq shpejt. Në jug të Italisë nuk janë mësuar ende 100 % edhe pse po bëhen 50 vite që aplikohet. Kështu që ne jemi optimistë që edhe gjysma tjetër do të mësohet me këtë shumë shpejt. Unë kam dy zgjedhje çdo mëngjes, o të shkoj totalisht në depresion nga dhjetëra mesazhe që kanë ardhur gjatë natës për gjërat që nuk shkojnë, ose të jem optimist që gjërat do rregullohen. Ka dy lloje makinash që mbledhin mbetjet, një për të riciklueshmet, dhe një për të tjerat. Nëse ky qytet ka shpresë e ka prej fëmijëve. Nuk e ka prej gjeneratës time, mes të cilëve ka ende skeptikë, apo prej prindërve tanë. Reagimi i fëmijëve më jep shumë shpresë.

Ola Bruko: Për çështjen e biletës elektronike dhe autobusët…
Erion Veliaj: Sot Tirana është shumë afër këtij projekti, pasi më në fund Ministritë kanë firmosur të gjitha për ta lëshuar monopolin që kanë për biletën e autobusit. Ne kemi një shtypshkronjë të letrave me vlerë që është e Ministrisë së Financave. Që në kohën e Zogut biletat janë prodhuar aty. Po sot nuk jemi më në atë kohë. Pas 100 vitesh nuk mund të prodhojë qeveria qendrore biletat e autobusit edhe për Gjirokastrën edhe për Shkodrës, Kukësin e Tiranën. Nuk ka sens. Por për shumë prej burokratëve, si ai zotëria që tha ‘epo kështu ka qenë gjithë jetën, tani do ta ndryshojmë ne’, ka qenë pak e vështirë për ta konceptuar ndryshimin; dhe heqjen dorë të aksesit për bërjen e biletave nga qeveria qendrore dhe të kalojë kjo në qeverinë lokale. Së dyti kjo na jep ne disa politika. Jo vetëm biletën elektronike, por edhe aparaturën. Vihet sistemi GPS që vë re ku ndodhet secili autobus. Ne kemi agjenci të mbrojtjes së konsumatorit që gjobit autobusët, dhe pastaj autobusi që shkon në Gjykatë Administrative dhe thotë ‘nuk është e vërtetë’, s’ka si ta provojë që autobusi ishte pis, apo nuk erdhi në orar. Dhe shumë prej këtyre gjobave i humbasim në Gjykatë Administrative, ndërkohë që kjo zgjidhet me teknologji. Pra bileta elektronike futet në aparaturë, aparatura na thotë ekzaktësisht ku ndodhet autobusi, tregon në tabelë stacionet ekzaktësisht sa minuta do të që mbërrijë aty, duke parashikuar edhe me GPS sesi po menaxhon trafikun.

Mariglen Mertiri: Keni nisur kontaktet me kompanitë sesi do funksionojë kjo gjë?
Erion Veliaj: Kjo do jetë si në gjithë qytetet e tjera të rajonit. Ne e kemi parë si e ka Zagrebi, Lubjana, Shkupi, Podgorica. Në momentin që legjislacioni është shumë i qartë, dhe këtë duam të bëjmë me këto akte nënligjore, kur hapet gara ka pafund kompani që ofrojnë zgjidhje, siç ka pasur edhe në të gjitha garat e tjera që bën Bashkia e Tiranës. Nuk jam i shqetësuar, kemi plot, sidomos në vendet fqinje, një pafundësi kompanish që ofrojnë të tilla shërbime. Në panairin e fundit “Smart City” në Barcelonë kishte një pavijon me mbi 40 kompani që e ofrojnë këtë shërbim. Ajo është një garë, kush sjell ofertën më të mirë për të na shërbyer, do të jetë edhe fituesi.

Ola Bruko: Çfarë do të bëhet me faturinot që do të mbeten të papunë me futjen e biletës elektronike?
Erion Veliaj: Kjo është njësoj si të thuash çfarë ndodh me gazetarët, kur “BalkanWeb-i” është kaq i klikuar online. Kjo është pjesë e civilizimit. “Nuk i themi dot civilizimit mos eja, se ne do rrimë kështu si jemi”. Po ashtu do kishim ngelur se shaptilografi dhe nuk do hapnim Webfaqe. Shoqëria është e tillë që evoluon dhe krijon fronte të tjera. Po evoluimin nuk e ndalojmë dot.

Mariglen Mërtiri: Kur mund të zbatojë Bashkia e Tiranës biletën elektronike?
Erion Veliaj: Besoj se vitin e ardhshëm situata do të jetë krejt tjetër.

(ma.ar/el.sp/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: