TIRANË- Emisioni “Njerëz në fokus”, i gazetares Ola Bruko diskutoi sonte një temë të mprehtë sociale dhe jo rrallë të ndeshur në shkollat tona, ngacmimin seksual. Për këtë temë folën, Nora Malaj, Zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Skënder Dema, Nëndrejtor i shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, Oriola Pampuri, Psikologe, Altin Hazizaj i CRCA-së. Në emision dy nëna kanë dhënë dëshmitë e tyre, të cilat janë ballafaquar me fakte tronditëse, kur vajzat e tyre janë përballur me ngacmime. Njëra prej tyre rrëfeu se vajza e saj, në klasën e katërt ishte ngacmuar në organet intime nga djem të klasave të nënta, ndërsa kishte shkuar në banjë. Ajo kërkoi zgjidhje nga shteti. Jo pak dramatik ishte edhe rrëfimi i nënës së dytë, e cila tha se vajza e saj në klasën e gjashtë kishte dëgjuar një bisedë skandaloze të djemve të klasave më të larta, ku me një fjalor banal, tregonin si kishin kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë. Të pranishmit, diskutuan gjerësisht rreth kësaj problematike dhe dhanë idetë e tyre për të zgjidhur situatën e krijuar.
DËSHMIA E PARË
“Jam një nënë nga Tirana, jam tepër e shqetësuar. Ajo që i ka ndodhur vajzës sime, nuk ja uroj as hasmit tim. Vajzën e kam në klasë të katërt. Në shkollën e vajzës sime, që është një shkollë shtetërore, banjat janë të përbashkëta. Aty ku shkojnë ata të fillores, shkojnë edhe të 9-vjeçares, është e tmerrshme. Dy djem në klasë të 9-të e kanë mbyllur në banjë dhe e kanë prekur në organet intime, kjo është e tmerrshme, kam shumë frikë për vajzën, ka shumë frikë, çdo ditë qan. Nuk i kam treguar askujt, as mësueses. Nuk e them dot as emrin e shkollës se pastaj vajza do ketë probleme. Më duket skandaloze që të ketë banjo të përbashkëta. Madje kam marrë vesh se e njëjta gjë që i ka ndodhur vajzës sime, u ka ndodhur edhe vajzave të tjera. Të gjithë kanë frikë të flasin. Shteti duhet të marrë masa, të bëjë diçka. Kjo është e tmerrshme”, rrëfeu nëna.
DËSHMIA E DYTË
Zonja Mira, përshëndetje, ju keni një vajzë në klasë të 6-të, cili është shqetësimi juaj?
Para ca ditësh në bisedë vajza ime më shprehu një shqetësim për fjalorin e ulët dhe të pisët që kishte dëgjuar në korridore. Sipas vajzës nxënës të klasës së 9-të, disa djem flisni fjalë shumë të pista, për veprime që kishin kryer një ditë më parë me një vajzë. Përmendnin fjalë banale, se kishin kryer marrëdhënie me një vajzë. Vajza ime ishte shqetësuar shumë, ishte trembur dhe ma tha ditën tjetër.
A keni shkuar në shkollë të flisni me mësuesit?
Nuk kam shkuar në shkollë, sepse kjo gjë ka ndodhur në korridoret e shkollës, jo në klasë. Po të kishte ndodhur në klasë, sigurisht që do shkoja. Vajza më ka thënë se dëgjon shpesh biseda të tilla, shikon veprime.
A ka parë ngacmime vajza juaj?
Jo, por ka frikë se mund të ndodhë, ka frikë kur shkon në banjë. Banjat janë të veçanta, por ka ndodhur që kur vajzat kanë shkuar në banjë, djemtë i kanë mbyllur brenda. Ngacmime nuk kanë ndodhur por vajza ka frikë se mund të ndodhin.
A survejohen banjat?
Survejohen banjat nga pastrueset që të mos bëhen pis, që mos të lodhen ato. Por ky është tjetër problem. Tualetet lejohen të përdoren vetëm në pushim, ose në fund të mësimit. Banjat dynden nga nxënësit aq shumë sa vajza ime nuk arrin të kryejë nevojat personale. Për të mos folur për higjienën.
Cila është frika juaj më e madhe?
Të mbash një fëmijë të klasës së gjashtë me një të klasës së 9-të, që me sistemin e vjetër i bie të ishte në vit të parë, pra 15-16 vjeç, me një grup fëmijësh, për mua është shumë shqetësuese, është e frikshme.
A dëshironi ta bëni publik emrin e shkollës?
Nuk mund ta bëj publik emrin e shkollës, sepse vajza ime do vijojë të studiojë aty. Nuk dua ta zhgënjej fëmijën tim, në kuptimin e sekretit që ka ndarë me mua, sepse mundet që të mos bisedojë me mua për këto gjëra. Mund të shqetësohet në klasën e saj dhe në shkollë.

Pas dy dëshmive të nënave për gazetaren Ola Bruko, të ftuarit kanë ndarë mendime të ndryshme dhe ide për ti dhënë zgjidhje këtij problemi. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj tha se ky problem duhet zgjidhur në bashkëpunim me prindërit. Malaj hodhi idenë e zhvillimit të orëve jashtë mësimit, mësues-prindër-nxënës për marrëdhëniet seksuale. Të ftuarit pranuan ekzistencën e këtij problemi, por i mëshuan faktit se duhet bashkëvepruar për të gjetur zgjidhje. Ndërkohë Skënder Dema, Nëndrejtor i shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet solli eksperiencën e shkollës ku drejton, ku ambientet janë të ndara për nxënësit e moshave të ndryshme.
Pampuri: Është një çështje shumë e komplikuar dhe më shumë psikologjike. Sa e rëndësishme është për ata prindër që ti nxisin të tregojnë gjithçka.
Altin Hazizaj: 11% e fëmijëve në Shqipëri janë pre e ngacmimeve seksuale. Dhuna seksuale ekspozon dhe fëmijë në moshë të vogël. Sa më i rritur të jetë fëmija, aq më i ekspozuar ndaj dhunës seksuale. Dhuna seksuale me kontakt në masën 5%. Sipas një studimi Greqia, Shqipëria dhe Kroacia, nivel më të madh të dhunës seksuale tek 16-vjeçarët.
Malaj: Doja ta fokusoheshim në 3 hallka. Në raportin e kuriozitetit, e marrjes së informacionit, si shkak i pubertetit; në ngacmimin që kemi nga klasat e larta në të ulëta, domethënë ata të klasës së 9-të me ata së 6-ës, e duke vazhduar në ngacmimin seksual e fëmijëve nga të rriturit. Nëse flasim se duhet të ndërtojmë një shoqëri të hapur dhe pa barriera, të gjithë prindërit duhet të kuptojmë se duhet ti kthehemi asaj që thoshin filozofët, se kur prindërit flasin me fëmijët për gjithë jetën e tyre, duhet të flasin edhe për seksin. Ky problem duhet të ishte diskutuar edhe në mjedisin shkollor. Duhet vendosur taksative që grupimi nga klasa e 1-rë në të pestë të mos ketë të bëjë me grupimin nga klasa e 6-të në të 9-ën. Mekanizmi i monitorimit është në disa hallka, hallka e parë është bordi i prindërve. Nëse prindi vjen e interesohet vetëm për notën kjo nuk është mirë. Nuk duhet ta pyesin fëmijën vetëm për notat, por si e kaluan ditën. Më ngacmoi dëshmia e nënës së dytë. Ndaj orientohet politika jo vetëm drejt shkollës, por edhe tek familja. Të bëhen orë të dedikuara, përtej orëve të mësimit. Por jo vetëm me praninë e nxënësve por edhe të prindërve.
Hazizaj: Ata që ngacmojnë, fëmijët e rritur, tregojnë se çfarë ndodh në familjet e tyre.
Pampuri: Nuk duhet të ndalemi vetëm tek këta fëmijë që janë viktima por edhe tek ata që i bëjnë këto veprime. Individët që kryejnë këtë dhunë, vijnë nga një backraund familjar me probleme. Duhet të studiojmë si njërën palë, si tjetrën për ti dhënë zgjidhje këtij problemi. Personat që ngacmojnë seksualisht nga klasa e 6-të në të 9-ën kanë shumë gjasa që ta bëjnë këtë edhe kur të rriten.
Malaj: Shkolla është një mekanizëm shumë i mirë, nëse individi, fëmija ka besimi tek titullari tek drejtuesit.
Dema: Është një problem shumë aktual dhe do një punë shumë të madhe si nga familja ashtu edhe nga shkolla, por sidomos nga familja.

Malaj: Është e rëndësishme që mjediset e fëmijëve të jenë të përbashkëta por të menaxhuara sipas grupmoshave. Edhe kjo gjë do të ndikojë shumë. Por ambientet varen nga shumë fakte, edhe nga investimet etj. Shumë godina janë siç i kemi trashëguar. Sistemi i ri arsimor është një ndihmë për këtë gjë, sepse e çon buxhetimin deri tek drejtori.

Hazizaj: Njerëzit nuk duhet të kenë frikë. Kemi nevojë për politikën e dhunës zero në shkolla. Të propozohet një mekanizëm i mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb