TIRANE – Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë zbatimin e ligjit të “Vetting”-ut. Vendimi u mor nga tetë gjyqtarë, të cilët morën në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike, e cila deri në  shpalljen si antikushtetues të “vettingut”, kërkonte pezullimin e zbatimit të tij. Kushtetuesja gjithashtu vendosi po sot t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion përfundimtar, nëse kjo gjykatë mund ta shqyrtojë këtë ligj duke qenë se gjyqtarët e saj preken nga “vettingu”.

Burime nga Gjykata Kushtetuese thanë për ‘BalkanWeb’ se argumenti kryesor mbi të cilin u vendos pezullimi i ligjit, lidhet me pasojat e pariparueshme, që do të sillte zbatimi i tij. Ankimimi në Kushtetuese u bë nga Partia Demokratike, e cila vlerësonte se “vettingu” binte ndesh me Kushtetutën. Sipas opozitës, organet e reja të drejtësisë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve vihen nën kontrollin e qeverisë. Krahas PD-së edhe Unioni i Gjyqtarëve i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të ishte palë në proces, kërkesë e cila u pranua. Ligji i “vettingut”, hyri në fuqi me 30 gusht të këtij viti, pas miratimit në Parlament vetëm me 88 vota të maxhorancës, pasi opozita e bojkotoi votimin.

“Vettingu” është procesi që do të kalojë në sitë të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, për të vlerësuar përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral, si dhe për të zbuluar lidhjet e mundshme të njerëzve të drejtësisë me botën e krimit.

Vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryhet mbi bazën e tre komponentëve: vlerësimi i pasurive; kontrolli i figurës, dhe vlerësimi i aftësive profesionale.

Pasi PD dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e ligjit të “Vettingut”, pati edhe një reagim nga ambasada e SHBA, që paralajmëroi demokratët se po rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër reformës në drejtësi dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose ata tek të cilët kanë ndikim politik. “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e ‘vettingut në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik. Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”, – thuhej në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve, të bërë publike menjëherë pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese të padisë së Partisë Demokratike.

VENDIMI I ZBARDHUR I GJYKATES KUSHTETUESE

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot me daten 25.10.2016 në çështjen me:

Kërkues:  1/5-ta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë – Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Subjekte të interesuara:  Kuvendi i Shqipërisë

Objekti: Deklarimi i papajtueshmërisë me Kushtetutën i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Baza ligjore:  Nenet 4, 7, 17, 32, 42, 49, 78, 124, 125, 131/a, 134/c, 145, 148, 179/b dhe nenet A – G të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
VENDOSI:
– Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
– Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
– Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve te Shqiperise për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb