TIRANË – Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka deklaruar se projektligji “Për Arsimin e Lartë” do të kalojë në Qeveri të mërkurrën e ardhshme. Por, nëse në të deri tani janë reflektuar pjesa më e madhe e sugjerimeve të institucioneve të arsimit të lartë, të profesorëve, grupeve të interesit, ai sërish do të kalojë në një filtër tjetër: ekspertizën ndërkombëtare.

E ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, Nikolla tha: “Ligji do të kalojë edhe nëpër një ekspertizë ndërkombëtare, që do të bëjë gjithë oponencën e nevojshme, sepse ne duam që ligji “Për Arsimin e Lartë” t’i qëndrojë kohës.”

Por, psse draft-ligji “Për Arsimin e Lartë” ka ngjallur polemika dhe probleme? Cilat janë pikat e forta të tij? Diskutimi për këtë çështje u zhvillua në “Studion e hapur” ndërmjet ministres së Arsimit dhe tri të ftuarve:

Z.Adrian Civici, President i UET
Z.Irakli Koçollari, Rektor i Universitetit Luarasi
Z.Sulo Hadëri, dekan i Fakultetit Ekonomik, Universiteti Publik

Ministrja Nikolla shpjegoi që në fillim se “kjo reformë ka zgjatur pikërisht se kemi qënë të angazhuar për të dëgjuar çdo zë që vinte nga universitet, nga grupet e interesit. Gjithashtu, ka qënë një proces ekselent maratonë , ku dhe media ka qënë prezent, ku çdo element që përvijohej nga institucionet e arsimit, reflektohej për ta shëndoshur ligjin në elemente të zbatueshëm dhe kundërdebatuar aty ku nuk biem dakord. Besoj se që të mërkurrën që vjen ne do ta paraqesim në qeveri. Ky draft që ne kemi është drafti i përpunuar, por përfundimtar është ai që do të debatohet në komisionet dhe ministritë do të japin opinionet e tyre.”

Civici: Ky draft ishte i domosdoshëm dhe nuk ishte kopjim nga ligji britanik, por frymëzim nga reformat që po bën jo vetëm Britania e Madhe, por edhe Evropa, SHBA-ja. Pra, të reflektojë thelbin e të gjitha reformave që janë duke u bërë në botë për arsimin e lartë.

Hadëri: Reforma nuk është vetëm ligj, është më e gjërë. Momenti nuk ishte i duhuri, por i vonuari. Nëse duhet të themi sot se guximi për të ndarmarrë reforma të tilla ishte më i domosdoshmi dhe po të ishte vonuar më, pasojat do të ishin më të thella. I shpreh respektin dhe vlerësimin tim znj.Nikolla për këtë që ka nisur.

Nikolla: Unë i falënderoj profesorët për mbështetjen e madhe që kanë dhënë. Gjithashtu, nënvizoj se nuk ka ligj të përsosur, por të bëjmë atë që duhet në respekt të ligjit. Transferimet kanë shkuar deri në 4 mijë. Ne sot duhet të kishim 11 mijë diploma të tjera, por që nuk kishin pikën e lidhjes me atë që ne kërkojmë sot. Ky është një moment reforme tërësore në arsimin e lartë. Ne po vijojmë me Agjensinë e Kreditimit, për të pasur një moment reflektimi me Kartën e Bolonjës dhe e shikojmë tërë arsimin të integruar, sëbashku me Maturën Shtetërore.

PYETJE NGA STUDENTET

Në emision ishin të ftuar edhe studentë nga Universiteti “Luarasi”. Një student i Fakultetit të Ekonomisë pyeti ministren:

A do të bëhet ndonjëherë karta e studentit?

Nikolla: Keni të drejtë, se ka qënë premtim i fushatave elektorale. Padyshim, nëse është pjesë e ligjit, ajo do të jetë realitet një orë e më parë.

A i prek ligji maturantët e këtij viti?

Jo, nuk i prek maturantët e këtij viti, iu uroj suksese atyre por do të jetë një maturë e mirëadministruar.

FINANCIMI I ARSIMIT TE LARTE

Hadëri: Përsa i përket buxhetit të arsimit, të flasim me këmbë në tokë. Ne jemi koshientë në lidhje me zhvillimet që ka ekonomia shqiptare. Po t’i referohemi shifrave, përkundrejt zërave që të rriten shpenzimet për arsimin, që shumë mirë do të ishte, por buxheti ka disa kufizime për shkak të zhvillimit që kemi. Për të qënë realist, kjo mënyrë për të adresuar buxhetet e universitete, e rrit më shumë efiçensën dhe gjeneron burime sesa të presim që të jepet zgjidhje ideale.

Civici: Universitetet do të marrin një grant 25% të financimit të tyre dhe 70-75% për bursat. Hapja e mundësive Deri tani ka pasur shumë kufizime. autonomia buxhetore, organizative dhe institucionale hap më shumë mundësi.

Nikolla: Në fakt po flasim për një ligj që nuk është sot, nesër po jep rezultatet afatgjatë. Nuk mund të ketë arsim cilësor pa mbështetje buxhetore. Ky është një projekt-ligj që mundëson jo vetëm rritje të buxhetit – qeveria shqiptare nuk i largohet atij premtimi që ka dhënë- dhe brenda gjithë mundësive, duke e konsideruar arsimin si një nga prioritet e kësaj qeverie, ne synojmë që institucionet tona të arsimit të lartë të mos mbeten në shpresë të dhurimeve, por të zhvillohen për të shtuar burimet. Nga ana tjetër, ligji krijon dhe mekanizmat e duhur të kontrollit që buxhetet të shkojnë aty ku nevojiten.

Civici: Në lidhje me strukturat dhe funksionimit, hapi është që si universitet publike dhe ato private zbatojnë në struktura të njëjtat rregulla.

Nikolla: Ligji nuk duhet paragjykuar e as anatemuar se po merr e po ndan qeveria.

Koçollari: Për ligjin, e vërteta është se ka pasur një frymë pozitive. Ajo që shpesh u interpretua si tutelë e qeverisë mbi universitetet…Pamë se nga sugjerimet e kundërta që kishim dërguar, u reagua dhe u reflektua. Madje, ne të gjithë e vlerësuam këtë. Nga ato 9 pika që ne sugjeruam, 7 u reflektuan, që s’do të thotë se e thamë ne e ashtu duhej të ishte. Por fryma që është përcjellë deri në këtë fazë të ligjit, është pozitive.

Nikolla: Ligji do të kalojë edhe në një ekspertizë ndërkombëtare, që do të bëjë gjithë oponencën e nevojshme. Do jenë ekspertë nga më të njohurit ndërkombëtarë me qëllim që ligji t’i qëndrojë kohës.

Duke folur sërish për financimin e Universiteteve Private, Ministrja Nikolla tha se me projektligjin e ri fillon një histori e re. Drejtuesit e Universiteteve pranuan se pr/ligji i trajton njësoj si Universitetet Private dhe ata shtetërorë.

Nikolla: Sigurisht Universitetet private vijojnë funksionimin e tyre konform disa standardeve të reja. Në këtë moment fillon një histori e re përbashkët, funksionojnë në mënyra të tjera qoftë edhe në drejtim të buxhetit.

Koçollari: Standardet ligjore janë të njëjtat. Në barazinë ligjore jemi të plotë. Kushtet si për shtetërorin dhe privatin janë njëlloj dhe kërkohen njëlloj për të gjithë. Nuk ka diferenca. Standardet janë të njëjta dhe do të kërkojnë njëlloj. Ndihemi të barabartë mes të barabartëve.

Civici: Elementët kryesorë të këtij ligji, mënyra e funksionimit etj, prek njësoj si universitetet private edhe ata publike. Ka pasur kontestime për faktin se është një formë e re nga ajo që ka ekzistuar në Shqipëri. Kalon në një universitet që drejtohet nga një bord, por në varësi me mënyrën se si i garantojnë universitetet të ardhurat e tyre, ndryshon edhe bordi. Ky lloj universiteti është pronar i gjithçkaje që përmban aktiviteti i tij. Kalojmë në një formë publike të pavarur, ku universitetet barazohen. Gjithë funksionimi i tyre bëhet sipas të njëjtave rregullave.

Me këtë ligj universitetit mund të tërheqin studentët e ekselencës që janë rreth 100 dhe ata kalojnë me gjithë bursë. Dy shqetësime kemi ndjerë gjatë hartimit: një nga universitetet që nuk janë në Tiranë, që mendonin se ky ligj do krijonte një centralizim të universiteteve në Tiranë, gjë që u sqarua; shqetësimi dytë ka të bëjë me faktin mos vallë se paratë publike po shkojnë tek universitetet private. E mira është që vendoset parimi i konkurrencës së barabartë.

Hadëri: Faktikisht nuk ka qenë e lehtë se si kemi arritur deri këtu. Bashkëpunimi ka qenë shumë i ngushtë, kemi qenë gjithë kohës prezent dhe të mirëpranuar. Universiteti i Tiranës ka dhënë sugjerime pa hezitim. Kemi patur bashkëpunim edhe në draftin para finalit dhe sugjerimet tona janë dëgjuar. Kapitulli 12 është kontestuar dhe parë me dyshim nga UT. Edhe fakti që dispozitat tranzitore dhe vënia në funksion është shtyrë për në vitin 2018 tregon një lloj paqartësie. Nuk e di se sa ekzistojnë këto forma në Europë. Universiteti i pavarur, nga kush? Na del vetëm në legjislacionin slloven. Nuk e dimë ku mbështetet ky model. Kemi bërë sugjerim që kjo të përcaktohet në strategjinë e arsimit të lartë dhe më pas të vihet në funksion.

Nikolla: Nuk është shpikje e Komisionit. E rëndësishme të sjellim argumente se çfarë nuk shkon. Është një model reformator, model i ri. Sigurisht ligji adreson edhe kohën e nevojshme në mënyrë që institucionet tona të arsimit të lartë privat dhe publik të përgatiten. Është një model i ri, qoftë në financimin qoftë në rregullat e lojës. Ajo që është e rëndësishme është kthimi i Universiteteve private në institucione jo fitimprurës.

Hadëri: Në Universitetin e Tiranës ka paqartësi për këtë pjesë dhe do të ishte e arsyeshme që të mos përfshihej në ligj.

Civici: Është një debat në Itali, Francë, etj dhe në vendet e lindjes. Përmbajtje juridike e këtij lloj Universiteti është në kufijtë maksimalë të pavarësisë. Reforma pa këtë pjesë do të ishte si trup pa kokë. Deri në 2020 është lënë afat që të shkohet në mënyrë organike. Ne kemi pasur një koncept ose universitet shtetëror ose privat. Tani kalohet në një koncept të tretë, publik. Në vetvete si formë organizimi konsiderohet nga format më eficiente.

Hadëri: Kam pasur një bisedë me një profesor të Harvardit dhe folëm për këtë temë. Në këtë vend 2 të 3 e arsimit ofrohet në mënyrë publike. Janë universitete që kanë një bazë financimi jo nga shteti por duke marrë fonde nga projekte të rëndësishme ku janë lider.

Civici: Kemi shkuar në të gjitha Universitetet dhe kemi biseduar me të gjithë studentët dhe pjesa më e madhe e sugjerimeve nga studentët.

Pyetje nga studentët

Pasi të mbarojnë ciklin parauniversitar sa do të ndikojë Qendra e Shërbimit Arsimor në zgjedhjet e studentëve?

Nikolla: Qendra e Shërbimeve Arsimore është pikë e rëndësishme lidhëse që përbën ndihmën e çmuar jo vetëm për studentët por edhe për Universitetet. Qendra është mjedisi profesional që do të mundësojë jo vetëm shpalljen e kritereve, jo vetëm informacionin për studentët për profile të ndryshme që ofrojnë universitetet. Do të keni kohën e nevojshme dhe procedura të thjeshta aplikimi. Studentët do të kenë të gjithë asistencën e nevojshme që në maturë. Që sot ka një proces aplikimi, por tashmë kalojmë në një situatë krejtësisht të re, pasi nuk është qeveria që vendos por do të jenë universitetet që zgjedhin.

Është parashikuar në ligj se një pedagog mund të punësohet me kohë të plotë në një fakultet dhe me kohë të pjesshme në një fakultet tjetër, por nuk dihet deri në sa fakultete mund të punësohet, ka boshllëk projektligji?

Nuk është boshllëk i projektligjit por pjesë e autonomisë së Universitetit. Ka qenë pjesë e një debati dhe kanë konkluduar në këtë mënyrë, për zhvillimin e institucionit të arsimit të lartë dhe për secilin profesor, por sigurisht kjo konform një kontrate dhe disa rregullave të qarta që në fillim. Ka qenë një nga pikat më të debatueshme. Do të ketë rregulla të reja edhe në rregullimin e titujve akademikë.

Ndryshimeve që sjell ky ligj. Cilat janë risitë, ajo më e mira dhe më pak e mira?

Hadëri: Risitë e shumta, konsistojnë në dhënien e hapësirave më të mëdha në fushën e mësimdhënies, menaxhimit financiar etj. Sugjerim, ligji ka lënë një element pa adresuar siç është plagjiatura, do të duhej një angazhim që institucionet arsimore të kenë infrastrukturën e nevojshme që tezat para se të mbrohen të certifikohen.

Koçollari: Temat e doktoraturës dhe të masterave të shpallen më parë dhe të punohen edhe në gjuhë të huaj. Sepse kemi inflacion të doktoraturave. Sepse kështu mund të skanohen dhe të dalë cila është plagjiatura. Vendoset edhe përparësia kombëtare në kërkim shkencor.

Kush është pika e fortë e ligjit për arsimin e lartë?

Nikolla: Pika e fortë e ligjit për arsimin e lartë është se ai transformon sistemin arsimor. Ligji është për studentin, për pedagogun dhe kërkimin shkencor, një ligj që vendos për drejtësi sociale, dhe jep mundësinë për të ndjekur studimet çdo person.

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: