Mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të diel në Tiranë, në ditën e 15-të të protestave kundër qeverisë, duke marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit mbushën bulevardin para godinës së qeverisë, ku përcollën mesazhe kundër mazhorancës dhe hodhën slogane si “Rama jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi”.
Gjatë tubimit nuk munguan as kritikat ndaj opozitës, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan ndryshime të thella politike dhe institucionale në vend.
Një pjesë e protestuesve iu drejtuan edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke bërë thirrje për veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe hetimin e zyrtarëve të dyshuar për shkelje të ligjit.
“Jemi me ju, mos kini frikë”, ishte një nga mesazhet e drejtuara ndaj SPAK-ut gjatë protestës, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan që drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të marrë masa ndaj politikanëve që dyshohen për korrupsion.

