TIRANË- Ministria e Drejtësisë mblodhi sot një tryezë për reformën në drejtësi. Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të EURALIUS, BE, gjyqtarë e aktorë të tjerë. Presidenti Bujar Nishani gjatë fjalës së tij kritikoi komisionin e ngritur për Reformën në Drejtësi.

 

“Me keqardhje kam vërejtur se tryezat e mëpasme nuk kanë qenë ngushtësisht tematike dhe gjerësisht përfshirëse. Ato kanë qenë tryeza formale, ku palët politike, aktorët e drejtësisë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë pasur mundësinë të japin mendimet konkrete, për të vendosur në lidhje me prioritet, në mënyrë që të hartoheshin objektivat përkatëse për çdo prioritet dhe për të vazhduar më tej me zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore. Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam  bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale.

 

Jam vënë në dijeni që me vendimin nr. 96 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur një Komision i Posaçëm Parlamentar ‘Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’, me përbërje nga forca të ndryshme politike, që do të zhvillonte veprimtarinë e tij në 6 muaj. Ky Komision  asistohet nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe që në mbështetje të Komisionit dhe grupit të ekspertëve është ngritur një Sekretariat, në të cilin sipas kërkesës së Komisionit të Posaçëm edhe Institucioni i Presidentit të Republikës ka dërguar përfaqësuesin e vet, por që nuk rezulton të jetë ftuar ndonjëherë. Jam vënë në dijeni në lidhje me përbërjen e këtij Komisioni, të grupit të ekspertëve dhe të faktit që opozita e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë Komision pasi nuk është dakordësuar me përbërjen dhe mënyrën e organizimit të punës nga ana e Komisionit.

 

Duke vlerësuar së tepërmi kontributin e Misionit EURALIUS IV në bashkë-drejtimin e 6 tryezave të organizuara së fundi, me keqardhje vërej se ndryshe nga sa përcaktohet në pikën X të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 96/2014, këto tryeza nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, por Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një nga tryezat e fundit të organizuar në datë 18 maj 2015 dhe i është vënë në dispozicion vetëm gjatë tryezës një përmbledhje e pjesës së tretë të materialit të përgatitur nga grupi i ekspertëve “Analiza Kushtetuese mbi Reformën në Drejtësi dhe Analiza Ligjore mbi Reformën e Gjykatës Kushtetuese”.

Rezulton se edhe aktorët e tjerë të ftuar për të diskutuar në lidhje me produktin e përgatitur nga ekspertët, të mos jenë vënë në dijeni paraprakisht të materialit përfundimtar. Mendoj se ka kaluar koha e hedhjes në tavolinë në momentin e fundit dhe se praktika të tilla nuk i shërbejnë një procesi transparent, mbi bazën e të cilit duhet të zhvillohet reforma në drejtësi. Duke e quajtur procesin të zvarritur, të vonuar, jo transparent, jo gjithëpërfshirës dhe aspak konsensual në drejtim të realizimit të një reforme kaq të rëndësishme për shqiptarët, por edhe shumë të kërkuar nga Bashkimi Evropian, vazhdoj të theksoj se në këto rrethana angazhimi i Misionit EURALIUS IV përmes ekspertëve të tij në fazat e mëtejshme të procesit është i domosdoshëm. Përveç kësaj, kërkoj që në vijim për realizimin serioz të reformës në drejtësi të ketë një bashkëpunim real, konstruktiv mes të gjitha palëve të interesuara dhe angazhim të vazhdueshëm të Komisionit të Venecias.”- u shpreh Nishani.

 

Pikërisht këtyre deklaratave iu përgjigj në përfundim të tryezës, Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa. Ai mohoi të jenë përjashtuar nga ky komision përfaqësuesit e Presidencës dhe opozitës, ndërsa duke iu drejtuar gazetarëve tha: “Hapni kronikat dhe shihni a ka pasur apo jo përfaqësues të Presidentit.

I pyetur të komentonte deklaratat e kreut të shtetit për gjyqtarë e prokurorë që marrin zarfe, Xhafa deklaroi se ishte pjesë e atyre që përpiqen ta ndryshojnë këtë situatë. Ai nuk nguroi t’i quante këto retorika boshe.

“Së pari unë bëj pjesë në ata që punojmë për ta ndryshuar këtë situatë. Nuk jam nga ata që flasin me retorika boshe. Por që sot ka paaftësi, korrupsion në këtë sistem kjo është e dukshme”.

Ndërsa përfaqësuesja e BE, Romana Vauhtin theksoi se reformën u takon aktorëve shqiptarë ta bëjnë. “ Reformoni sistemin, keni mbështetjen tonë”- u shpreh Vlauhtin.

HALIMI: PD NË KOMISION SI BASHKËDREJTUESE, S’MUND TË VOTOJNË LIGJET E DREJTËSISË DEPUTETË TË INKRIMINUAR
Ora 11:18- Ndërkaq, deputeti i PD-së, Eduard Halimi sqaroi se PD-ja ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij komisioni, por si bashëdrejtuese.

Sipas tij, “Analiza e punës së një viti tregoi se ligjet e miratuar nga maxhoranca në mënyrë të njëanshme janë ligje dhe lëvizje që s’kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, por vetëm dhe vetëm me zëvendësimin e njerëzve dhe kapjen e këtyre institucioneve. Ne shprehën gatishmëri për të qenë prezent në këtë komision, që të jetë edhe opozita, të këtë bashkëdrejtimin që reforma të jetë afatgjatë. Ne jemi në pritje për të pasur bashkëdrejtimin”.

Halimi tha se PD nuk po kërkon të drejtën e vetos, por që të garantojë që ligjet për sistemin e drejtësisë të bëhen transparente.

“Sëfundmi ne ngritëm shqetësimin se sado ligje që të bëhen nga ekspertiza ndërkombëtare pa u bërë dekriminalizimi është e pamundur të jemi të besueshëm para qytetarëve dhe gjyqtarëve. Nuk mund të miratohen ligjet e drejtësisë me deputetë që kanë rekorde të tmerrshme kriminale”, tha ai.

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: