TIRANE – Nisma e demokratëve për dekriminalizimin nuk është përfshirë në kalendarin 3-javor të Kuvendit, pavarësish këmbënguljes së PD-së për ta miratuar atë brenda muajit shtator.

Mësohet se Konferenca e Kryetarëve ka vendosur ta përfshijë nismën për dekriminalizimin në kalendarin 3 mujor të legjislativit. Partia Demokratike e konsideron miratimin e ligjit për dekriminalizimin si kauzë jetike për vendin, dhe për këtë arsye synonte miratimin e tij në Kuvend brenda muajit shtator.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit të Partisë Demokratike Edi Paloka theksoi vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund procesit të dekriminalizimit. Sipas Palokës, “ky proces do të kryhet edhe pa vullnetin e kryeministrit Rama”.

“U gjet qimja në vezë me qëllim që ky pr/ligj të mos futej në kalendar. Megjithatë, duke shprehur dhe njëherë vendosmërinë tonë për t’i shkuar deri në fund këtij procesi të domosdoshëm për të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ne do t’i qëndrojmë deri në fund. Jemi të bindur që nuk do të ketë kurrë vullnet nga Rama për ta bërë një gjë të tillë, pavarësisht presionit që i bëhet përditë nga ndërkombëtarët, sepse opozitën nuk e llogarit. Edhe pa dëshirën e Edi Ramës, ky proces do të kryhet”- deklaroi Paloka.

Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se “kjo kauzë jetike për vendin nuk ndalet dhe po i jep frytet e veta ende pa ardhur në fuqi”.

“Dorëzimi i mandatit nga i zgjedhuri i Edi Ramës në Lezhë, Arben Ndoka, është rezultat i drejtpërdrejtë i nismës tonë 2-vjeçare të dekriminalizimit. Nuk ka për t’u ndalur kjo frymë! Dekriminalizimi do të bëhet për ta çliruar vendin nga trafikantët, rrëmbyesit, vrasësit. Me në krah partnerët tanë të çmuar ndërkombëtarë, bashkë me qytetarët ne do ta çojmë atë deri në fund”, – deklaroi Basha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb