LEZHE– Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë dhe zonën muzeale që e rrethon atë, ndërsa qeveria përgatit vitin e heroit kombëtar.

Restaurimi i vendvarrimit të Skënderbeut, shpallja e 2 marsit festë kombëtare dhe vendosja e shtatores së Skënderbeut pranë zonës muzeale janë kërkesa që i janë paraqitur ministres Kumbaro nga nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Alfrida Marku, e cila shoqëronte ministren në këtë inspektim.

Kërkesës së bashkisë, Kumbaro iu përgjigj pozitivisht, por duke kërkuar nga kjo njësi vendore që të depozitojë projekte konkrete në mënyrë që të marrin financim. “Në emër të qeverisë shpreh vullnetin maksimal për të ndihmuar çdo projekt të mirë”, tha ajo.

Rikonstruksioni i çatisë, ndriçimi, vendosja e fonisë, si dhe rrethimi i zonës për ta mbrojtur atë nga dëmtimet apo keqpërdorimi janë disa nga nevojat urgjente që nevojiten për vendvarrimin e heroit kombëtar në Lezhë. Por, mësohet se Bashkia nuk ka ende gati projektin e plotë në mënyre që ndërhyrja të nisë sa më shpejt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb