VLORË- Rreth 58 kg lëndë narkotike Canabis Sattiva janë sekuestruar nga Policia e Vlorës, e cila ka shpallur në kërkim një 33-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ku pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia e Vlorës ka konstatuar një automjet që lëvizte në aksin rrugor Orikum-Vlorë, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.

Menjëherë policia është vënë në ndjekje dhe i ka dhënë shenjë për të ndaluar mjetit tip “Mitsubishi-Pajero” me targë AA 281 MZ, por automjeti ka shtuar shpejtësinë në drejtim të Vlorës dhe rreth 50 m afër kryqëzimit për në fshatin Radhimë, është gjetur i braktisur. Autori sipas policisë ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira.

Nga kontrolli i ushtruar brenda në automjet, janë gjetur 58 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sattiva. Droga ishte e ndarë në 3 pako, mbështjellë me qese celefoni ngjyrë kafe, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se në këtë vepër penale dyshohet se është i implikuar shtetasi Z.M., 33 vjeç, banues në fshatin Tragjas, Vlorë, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen dhe arrestimin e tij.

Materialet u referuan në Prokurori në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: