Nga Jorgji KOTE

Edhe sot, plot 20 vjet nga humbja tragjike e Lady Dianës, kësaj “Princeshe të Popullit”, siç e ka cilësuar ish-kryeministri britanik, Blair, rrezatimi i saj planetar sa vjen dhe bëhet më i madh. Në këtë përvjetor homazh, muaji gusht u kthye kudo në një homazh dhe nderim madhështor, vështirë se mbeti ndonjë gazetë, radio dhe media në botë që nuk i kushtoi emisione speciale, rubrika me kujtime, filma dokumentarë dhe aktivitete të tjera të jetës dhe personalitetit të saj rrezatues. Krahas kujtimit dhe nderimit të veprës së saj, gjithnjë e më shumë po depërtohet në “sekretin” e forcës magjike dhe trashëgiminë e saj për monarkinë britanike dhe mbretëritë e tjera, që ato t’i rezistojnë kohës dhe të rinovohen në kushtet e prirjeve të reja dhe moderne të shoqërisë sonë.

Lady Diana e solli të renë në monarkinë britanike qysh me martesën madhështore me Princin Trashëgimtar Charles, e para e atij formati që bëri xhiron e botës në vitin 1981. Ajo jetoi dhe punoi në një periudhë kur radio, televizioni, spektakli, imazhi, moda dhe bukuria kishin filluar të “bënin ligjin” mbi botën dhe shoqërinë, duke sfiduar e kapërcyer kufijtë dhe barrierat ekzistuese. Në këto rrethana cilësisht të reja, për të realizuar një mision të caktuar, aq më tepër me natyrë mbretërore, duhej patjetër që ta kishe me vete atë “pushtet të butë” në të gjitha format dhe formatet.

Falë hireve, sharmit dhe buzëqeshjes karakteristike, që pasqyronin një mirësi ngrohëse e të natyrshme shpirtërore, Lady Diana u bë vetëtimthi hipermagnet mediatik dhe publik; ishte personaliteti më i fotografuar në botë, e mbuluar nga media botërore në çdo hap të saj. Kudo ku shkelte kishte festë, bujë dhe bukuri. Prania e saj nuk ishte më thjesht një lajm dhe sensacion, por ngjarje e vërtetë e madhe dhe e prekshme nga kushdo. Shumë shpejt, krahas statusit si ikonë e modës dhe bukurisë, Lady Diana u shfaq mbi të gjitha si nënë ideale e dy djemve të saj të vegjël, Princërve Williams dhe Harry; ky ishte një dimension i ri publik që i ngriti më lart se kurrë kuotat e simpatisë së gjerë publike për të jo vetëm në Britaninë e Madhe, por kudo.

Për ironi të fatit, Princesha u bë vetë “ viktimë” e këtij suksesi mediatik pas divorcit të bujshëm që shkaktoi një tronditje të thellë në Buckingham Palace. Por, pas atij divorci, shumë shpejt doli në pah arsenali i cilësive të saj të mëdha e të rralla për kohën dhe monarkinë. Në vend të “luftës rozë” brenda Pallatit Mbretëror dhe rendjes pas kotësive në jetë, edhe pse ishte vetëm 30 vjeç, Lady Diana u shfaq me rrezatim dhe fisnikëri me një tjetër veti të rrallë që mbizotëroi në jetën e saj të shkurtër, angazhimin e gjithanshëm social dhe bamirës si kyçi i lumturisë së vërtetë njerëzore.

Asnjë nga peripecitë e shumta të jetës së saj private pas divorcit, as heqja e titullit zyrtar “Lartësia Mbretërore” dhe as “persekutimi” nga paparacët nuk e trembën dhe nuk e devijuan nga rruga dhe misioni fisnik në shërbim të njerëzimit dhe në veçanti të shtresave në nevojë. Kauza e saj misionare nuk njohu kohë dhe kufi me nisma dhe udhëtime të shumta në vendet e Afrikës, Amerikës Latine, në terrene të minuara, në kopshte e çerdhe fëmijësh, në spitale dhe qendra mjekësore për trajtimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera të rrezikshme, në kasollet e fëmijëve të varfër dhe gjetkë. Ishte e para personalitet i shquar publik që qysh në mesin e viteve ‘80 theu një tabu të madhe të asaj kohe, duke vizituar në spitale e duke biseduar me të sëmurët nga SIDA. Vetëm tri javë përpara vdekjes tragjike shkoi në Bosnje dhe në fushat e minuara ku takoi njerëz të thjeshtë të plagosur dhe viktima që sot janë rritur dhe e kujtojnë me dhimbje dhe admirim Princeshën, nënën dhe motrën e tyre të paharruar. S’kaloi shumë dhe pas asaj vizite në Bosnjë, OKB-ja mori vendimin për çminimin e gjithë territorit nga minat.

Ajo e vuri pushtetin e saj mediatik në dobi të misionit të ri fisnik, ndihmës e mbështetjes për shtresat e pambrojtura dhe bamirësisë, të shoqëruar me përkrahjen e jashtëzakonshme të personaliteteve më të spikatura politike, përfshirë Nelson Mandelën dhe Papa Gjon Pali i II bashkë me super yjet e artit, muzikës dhe kulturës botërore. Në rubrikat e shumta mediatike të këtij muaji Lady Diana është rishfaqur disa herë me Nënë Terezën, këtë Shenjtore të vogël në trup, por gjigande në shpirt, që ishte model dhe frymëzim i madh për të.

Për herë të parë pas Luftës së II Botërore, Lady Diana e afroi dhe lidhi familjen mbretërore ngushtësisht me njerëzit e thjeshtë dhe hallexhinjtë e të gjitha llojeve. Megjithëse u nda nga jeta në moshën 36 vjeçare, kjo Princeshë e rrallë vlerash e kreu më së miri misionin e vet sublim, duke e modernizuar, humanizuar dhe demokratizuar monarkinë më të madhe në botë.

Ndaj, trashëgimia e saj është e dukshme dhe e prekshme. Mbi të gjitha, Lady Diana është nëna e Mbretit të ardhshëm të Anglisë, Princ Williams dhe e Princ Harry; të dy kanë vendosur të ecin në gjurmët e saj. Në këtë rrugëtim historik, me ta ka vite që është bashkuar dhe Kate, Dukesha e Cambridge. Çifti i mrekullueshëm William&Kate bashkë me “staret” e tyre të vegjël, Princin George dhe Charlote janë bërë mishërimi më i mirë i “fuqisë së butë”, por të papërballueshme të Mbretërisë dhe diplomacisë britanike; ai rrezaton me gjithçka mirësi, dashuri, ndihmë dhe mbështetje për heronjtë, të plagosurit dhe veteranët e luftës, viktimat dhe të mbijetuarit e akteve terroriste, për fëmijët e vegjël, të varfër, jetimë e të sëmurë, për ata me të meta mendore, etj. Ashtu si në rastin e Lady Dianës edhe vizitat e tyre nëpër botë kthehen në festa të mëdha popullore dhe në angazhime të fuqishme, me dhjetëra projekte e programe konkrete ndihme dhe mbështetje; siç e kanë pohuar dhe në kujtimet dhe dokumentarin kushtuar nënës së tyre, ata jo vetëm evokojnë dhe nderojnë jetën dhe misionin e saj të ndritur, por vijojnë t’i japin një profil të ri më cilësor, më human dhe fisnik monarkisë britanike.

Kjo tablo nuk do të ishte e plotë po të mos përmendej se Lady Diana ka frymëzuar dhe mbretëritë e tjera, sidomos bashkëmoshataret e saj që tashmë janë mbretëresha ose pritet të bëhen të tilla. Modelin dhe misionin e saj po e shpien më tej Princeshat trashëgimtare suedeze Viktoria, norvegjeze Mette Marit dhe ajo daneze Mary.

Kurse në Belgjikë, Mbretëresha Matildë shquhet për mbështetjen e vazhdueshme në terren në vendet e varfra afrikane për shtresat në nevojë; së bashku me Mbretëreshën jordaneze Raina, ajo është ambasadore speciale e OKB-së për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm Njerëzor. Po kështu mund të flitet shumë për familjet mbretërore dhe trashëgimtarët e tyre në Spanjë, Holandë, Luksemburg e gjetkë. Krahas cilësive të tjera si ikona të modës, sharmit dhe bujarisë, pasardhëset e denja të Lady Dianës vlerësohen mbi të gjitha për angazhimin e vazhdueshëm në trajtimin dhe lehtësimin e shqetësimeve madhore kudo në botë.

Ja pse kjo trashëgimia dhe modeli emblematik i kësaj Princeshe të Popullit shfaqen e do të vezullojnë pa u venitur asnjëherë, si një mit i vërtetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: