FIER –  Pronari i një lokali në qytetin e Fierit është arrestuar pas dhunës së ushtruar ndaj një 35-vjeçareje. Konflikti mes pronarit të lokalit Ervin Muratit, 28 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, dhe punonjëses nisi pas kërkesës së kësaj të fundit për t’u larguar nga puna.

35-vjeçarja N.Sh., 35 vjeçe, e cila punonte si kameriere kishte pakënaqësi me punën. Por kjo kërkesë binte në kundërshtim me 28-vjeçarin Murati i cili i ushtronte presion vajzës.

Kur 35-vjeçarja u bë gati për të lënë punën, sapo doli tek dera e lokalit, pronari e ka ndjekur nga pas duke i kërkuar llogari se nuk mund ta braktiste punën në këtë mënyrë dhe aty mes tyre ka nisur një konflikt fizik.

Gjatë kohës që Murati po ushtronte dhunë fizike mbi kamerieren, një patrullë policie ka parë nga larg atë çfarë po ndodhte dhe ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Ervin Murati gjithashtu ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e rendit duke i goditur ata.

Gjatë marrjes në pyetje, 28-vjeçari i arrestuar ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “U nxeha dhe nuk e kontrollova dot situatën”, është shprehur Murati. Nga ana tjetër, 35-vjeçarja ka treguar se e gjithë historia kishte nisur pasi kishte vendosur për t’u larguar nga puna. “Nuk isha e kënaqur me kushtet e punës, ndaj edhe i thashë se nuk do të punoja më, por pronari nuk e pranonte një vendim të tillë. Nuk më linte dhe në momentin që dola te dera, nisi të më qëllonte”, tha 35-vjeçarja

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: