Nga: PETRIT HALITI*

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po manifeston një ngutje të pazakontë në përpjekjet e tij për rikrijimin, qoftë edhe në miniaturë, të ish-Bashkimit Sovjetik. Në 1 janar të këtij viti hyri në fuqi Traktati themelues i Unionit Ekonomik Euroaziatik, UEEA, i krijuar nga Rusia dhe dy ish-republika sovjetike, Kazakistani dhe Bjellorusia. Në 20 mars 2015 presidenti i Rusisë, gjatë takimit në kryeqytetin kazak me presidentët e dy shteteve të tjera anëtare të UEEA, doli me propozimin e krijimit të bashkimi monetar të tri shteteve, që do të thotë një monedhë e përbashkët për vendet e Unionit të ri. Nëse Bashkimit Europian iu deshën 50 vjet për të arritur deri te monedha e përbashkët euro dhe ende 9 shtete anëtare nuk i janë bashkuar kësaj monedhe të përbashkët, presidenti i Rusisë, pa mbushur pesë muaj jetë të Unionit Euroaziatik rus del me këtë propozim. “Ne mendojmë se ka ardhur koha të flasim për mundësinë e formimit të një bashkimi monetar. Duke punuar sup më sup me njëri-tjetrin është më lehtë të reagojmë ndaj kërcënimeve të jashtme financiare dhe ekonomike dhe të mbrojmë tregun tonë të përbashkët”, deklaroi në 20 mars në Astana presidenti Vladimir Putin, duke hedhur “bombën monetare”, që shastisi shumë institucione në të tria shtetet e Unionit Euroaziatik rus. Përse po ngutet presidenti i Rusisë në shpejtimin e procesit të integrimit të ri të ish-republikave sovjetike në organizmat dhe instrumentet ekonomike, financiare, politike, energjetike dhe ushtarake, të drejtuara nga Rusia? Në vitin 2011, të tria shtetet e mësipërme krijuan Bashkimin Doganor. Në vitin 2012 krijuan hapësirën e përbashkët ekonomike. Kanë krijuar edhe një institucion mbinacional drejtimi të quajtur Komisioni Ekonomik Euroaziatik dhe në maj 2014 nënshkruan Traktatin e themelimit të Unionit Ekonomik Euroaziatik, që hyri në fuqi në 1 janar të këtij viti. Presidenti i Rusisë është i obsesionuar nga ideja dhe projekti ambicioz për të rikrijuar, qoftë dhe në përmasa modeste, një Federatë të re shtetesh me pjesëmarrjen e ish-republikave sovjetike, që përbënin dikur ish-Bashkimin Sovjetik, shembjen e të cilit Putini e ka cilësuar si katastrofën më të madhe gjeopolitike kombëtare. Në funksion të këtij projekti është organizuar edhe themelimi i një Bashkimi të ri Ekonomik Euroaziatik. Në këtë funksion është edhe projekti i tij i ri për krijimin e një monedhe të përbashkët të këtyre tri shteteve ish-sovjetike, siç ishte dikur rubla ruse monedha e përbashkët në Bashkimin Sovjetik. Natyrisht, ekonomia është një gjë dhe projektet politike një gjë tjetër, por presidenti i Rusisë po kërkon të thyejë të gjitha ligjësitë për të arritur realizimin e projektit të tij të madh gjeopolitik. Është e njohur për ekspertët, se krijimi i një monedhe të përbashkët për një grup shtetesh është një detyrë tepër e vështirë për t’u realizuar. Përvoja e Bashkimit Europian, i përbërë nga shtete nga më demokratiket dhe nga më të zhvilluarat e botës, e tregon qartë, pa le pastaj kur është fjala për shtete autokratike me ekonomi të dobëta si Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia. Kaq e vështirë është, saqë edhe financierët më entuziastë të ekipit qeveritar të presidentit rus parashikojnë që një gjë e tillë mund të arrihet nga viti 2025. Para se të shkonte në Astana, dhe pa pritur fare të dinte se çfarë mendonin dy shtetet e tjera (të cilat, siç deklaroi ish-kryeministri i Kazakistanit, nuk dinin asgjë deri në vizitën e Putinit), presidenti rus kishte urdhëruar në 10 mars qeverinë ruse dhe Bankën Qendrore të Rusisë që të studionin dhe hartonin masat dhe hapat për realizimin e bashkimit monetar të tri shteteve, madje u ka dhënë afat që deri në 1 shtator t’i kenë paraqitur atij raportin dhe propozimet e tyre. Presidenti rus po shpejtohet në hapat e integrimit rus të disa shteteve, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, sepse kriza financiare dhe ekonomike, që e ka mbërthyer Rusinë si rezultat i shpenzimeve të luftës në Ukrainë dhe i sanksioneve të SHBA dhe të Bashkimit Europian, i ka dobësuar pozitat ekonomike dhe financiare të Rusisë. Që nga marsi i vitit të kaluar rubla ruse ka rënë në një pikiatë, duke u zhvleftësuar rreth 50 për qind të vleftës së saj. Ulja e ndjeshme deri në afro tri herë e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar ka bërë që të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës të pësojnë një goditje të rëndë dhe të boshatisin arkën e shtetit, e cila nuk po përballon dot shpenzimet astronomike të garës së armatimeve dhe të buxhetit ushtarak, që ka hartuar Vladimir Putini për ndërtimin e një makine ushtarake ruse me përmasa botërore. Ulja e çmimit të naftës ka goditur edhe shtetin e dytë prodhues të naftës nga ishrepublikat sovjetike, Kazakistanin, të cilit bashkimi me Rusinë i zhvleftëson nga konkurrenca ruse artikullin kryesor të ekonomisë dhe të eksportit, naftën. Në të njëjtën kohë, Rusia ka pësuar goditje edhe në tregun energjetik të gazit, sepse projektet e saj ndërkombëtare nuk kanë sjellë as të ardhurat dhe as në kohën që planifikonte qeveria ruse. Në këto kushte, edhe barra e organizatave ruse si UEEA dhe kostoja e mbajtjes së gjithë atyre organizmave dhe mekanizmave, që ka ngritur Moska për rikrijimin e një Bashkimi Sovjetik të ri, po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Kjo barrë do të bëhet akoma më e papërballueshme, sepse Kremlini nuk duket se do të tërhiqet nga kjo politikë radikale e ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera dhe as nga ambiciet për të akaparuar territoret e shteteve të tjera, siç bëri në Ukrainë me pushtimin e Krimesë dhe të pjesës lindore të saj. Ngutjen për krijimin e një mini Bashkimi Sovjetik e vërteton pushtimi i territoreve ukrainase, siç dëshmon edhe aneksimi “ligjor” i Osetisë së Jugut me traktatin, që u nënshkrua nga Rusia në 18 mars, siç tregon edhe aneksimi “ligjor” i Abhazisë me të njëjtin traktat të nënshkruar po nga Rusia. Aneksimet “ligjore” të Krimesë, Abhazisë, Osetisë së Jugut etj., janë pjesë e një procesi të aneksimit me forcë të territoreve, që dikur ishin nën Bashkimin Sovjetik dhe të cilat, ndonëse u përkasin integritetit territorial të shteteve të tjera sovrane, quhen sot nga Moska sferë e influencës ruse. Presidenti i Rusisë po ngutet që të realizojë projektin e tij ambicioz të një Bashkimi Sovjetik të ri, me një integrim të shpejtuar dhe të sforcuar. Disa diplomatë e shpjegojnë me sëmundjen e presidentit rus ngutjen e tij për të realizuar sa më parë bastin personal ose bastin e jetës së tij, që është krijimi i një Rusie të ngjashme me Bashkimin e dikurshëm Sovjetik. Me gjendjen e tij shëndetësore të rënduar shpjegohen, sipas tyre, edhe kërcënimet e reja absurde të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore në rastin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Pushtimet e territoreve të shteteve sovrane, që kanë dalë nga ish- Bashkimi Sovjetik, rigrupimi i disa ish-republikave sovjetike në organizata financiare ekonomike dhe ushtarake të drejtuara nga Moska e deri te planet e një monedhe të re të përbashkët, janë instrumente të këtij integrimi të ri sovjetik. Një monedhë e re e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik do të jetë në fakt një monedhë ruse, pavarësisht nëse do të jetë rubla si në kohën e Bashkimit Sovjetik apo do të quhet alltin, si në kohën e Ivanit të Tmerrshëm të Rusisë, siç është propozuar. Ajo do të jetë një monedhë e Rusisë, që do t’u përgjigjet peshës dhe forcës së financave dhe të ekonomisë ruse në këtë Bashkim Euroaziatik, siç do t’i shërbejë edhe synimit të Rusisë për peshë të re në financat ndërkombëtare. Sepse jo rastësisht zyrtarët rusë po flasin për nevojën e dedollarizimit të financave ndërkombëtare dhe prej kohësh po bëjnë thirrje për veprime kundër rolit qendror të dollarit. Avantazhi që ka Moska, është se në shtetet ish-republika sovjetike, që kanë hyrë në organizatat e krijuara tani prej saj, qeverisin regjime autokratike, të cilat janë gati të bëjnë theror çdo lloj sovraniteti dhe integriteti ekonomik dhe politik, për hir të ruajtjes së sundimit të tyre. Është e kuptueshme se me despotë të tipit të Nazarbajevit në Kazakistan dhe të Lukashenkos në Bjellorusi ky proces integrimi i shpejtuar pritet të sjellë një grupim shtetesh të modelit sovjetik, ku Moska do të drejtojë fatet e popujve dhe të shteteve, që do të përfshihen në këto organizma, si Unioni Ekonomik Euroaziatik. Strategjia e presidentit të Rusisë për rikrijimin e Bashkimit Sovjetik bazohet në metodën e mozaikut. Kjo do të thotë se ai po merr njërën copë pas tjetrës nga ish-hapësirat sovjetike dhe po kërkon t’i ngjisë në hartën e shtetit rus. Kështu veproi me shkëputjen e territoreve gjeorgjiane të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Kështu veproi me aneksimin e dhunshëm të Krimesë dhe të tokave në pjesën e saj lindore. Kështu po vepron edhe duke tërhequr me forcë në Unione të tipit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik shtete të dobëta dhe autokratike, si ishrepublikat sovjetike në Azinë Qendrore. Projekti i madh i integrimit të ri sovjetik të shteteve të ish- Bashkimit Sovjetik shtrihet në disa dimensione, që nga ai ushtarak e deri tek ai financiar. Moska ka krijuar organizatën e saj ushtarake CSTO, Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv, e gjashtë shteteve ish-republika sovjetike, për të zëvendësuar Traktatin ushtarak të Varshavës, që drejtonte dikur në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe tani po kërkon një monedhë të përbashkët për disa shtete ish-sovjetike, që kanë pranuar të jenë satelitë të Moskës. Presidenti Vladimir Putin po ngutet dhe po i djeg etapat e integrimit të ri sovjetik, duke sfiduar çdo ligjësi historike, ekonomike, natyrore. Ai nuk ka as kohën e Stalinit për ta rindërtuar një Bashkim Sovjetik të ri dhe nuk ka as kohën e Leonid Brezhnjevit, të cilëve u ngjan me programin e pushtimit të shteteve fqinje. Ai po kërkon të kënaqë ëndrrën e tij imperiale dhe të hyjë në historinë ruse me një mikro Bashkim Sovjetik, me tri apo pesë shtete së bashku, të drejtuara nga Moska. Por, në fund të fundit, ky është një mision i pamundur. Perandoritë nuk ringjallen dot dhe Putini duhej të kishte lindur 100 vjet më parë, për ta parë të realizuar ëndrrën e tij. Bashkimi Sovjetik vdiq, dhe bëri mirë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: