NGA MARIGLEN MERTIRI

PRISHTINE– Kosova i jep leksion dhe mbështetje Shqipërisë për nxjerrjen e arinjve nga robëria. 3 arinjtë të cilët ishin në emergjencë për mbijetesën e tyre janë transferuar në pyllin e arinjve në Prishtinë pas Shqipëria nuk ka kapacitet e duhura. Strehimorja e Prishtinës që mban 19 arinj të murrmë po planifikon strehimin edhe të dy arinjve të tjerë shqiptarë. Në vendin tonë numërohen mbi 30 arinj të identifikuar në robëri. Ndaj Ministria e Mjedisit së bashku me donatorët po punon për ndërtimin e një qendre strehimore në Malin e Dajtit, por që ende është një projekt që pret financimet e duhura ndërkohë që pritet të forcohen sanksionet për abuzuesit me këto kafshë deri në burgim.

Ariu i quajtur Tom, është vetëm 5 vjeç, po kaq edhe Pashuku, ndërsa Xhina vetëm 3 vjeç. Të tre këta arinj thuajse kanë fituar lirinë. Ata pas keqtrajtimeve dhe mungesës së ushqimit në zonat ku mbaheshin në robëri në gjithë Shqipërinë, sot ndodhen në Pyllin e Arinjve në Prishtinë, ku strehimorja dhe stafi po mundohen t’i rehabilitojnë pas traumave të shumta që morën në kafazet ku përdoreshin për arsye fitimi. Tomi, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht, pasi gazetat britanike shkruan për të, sot nuk pi me birra dhe nuk ha më bukë, por ushqehet me fruta, perime dhe mish. Ai ka jetën e tij të re në këtë strehimore. Ekspertët thonë se gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Pashuku, ariu që mbahej në një restorant në Levan të Fierit ku zinxhiri I ngushtë në qafë po i merrte frymën çdo ditë, sot ka zonën e tij të kontrollit dhe strehën e re komode. Jo në gjendje të mirë paraqitet arushi, Xhina i cili ende nga traumat e pësuara trembet shpejt dhe strehohet në kafaz.

tomi

Prej gati 3 vitesh Prishtina nuk ka më arinj në robëri. Me ndihmën e fonacionit austriak “4 putrat” dhe me vullnetin e Ministrisë së Mjedisit, ambasadave dhe komunës së Prishtinës u bë e mundur ndërtimi i kësaj strehimore prej 16 hektarësh, ku brenda saj ndodhen 19 arinj të murrmë, të cilët janë kritikisht të rrezikuar.

Menaxheri i kësaj qendre që kushtoi mbi 2 milionë euro, tregon se arinjtë në këtë qendër mbahen në kushtet më optimale, pasi një ari ka në dispozicion 5 mijë metra katrorë hapësirë.

Në këtë qendër arinjve u fshihet ushqimi për t’i shkathtësuar, por ata nuk mund të lihen të lirë në natyrë, pasi mbajtja në robëri në kafaze që të vegjël u ka humbur aftësinë e kërkimit të ushqimit dhe shpejt ata mund të ngordhin.

Megjithëse kostot vjetore për mirëmbajtjen e kësaj qendre shkojnë nga 150-160 mijë euro në vit me ndihmën e fondacionit austriak, një qendër e tillë po synohet të hapet edhe në Shqipëri. Kjo qendër nga viti në vit në Prishtinë po njeh mijëra vizitorë ku bileta kushton vetëm 1.5 euro për person.

Në Shqipëri sipas Ministrisë së Mjedisit, janë evidentuar në robëri rreth 50 arinj të cilët mbahen në kafaze apo shëtisin për të sjellë fitime për pronarët abuzues. Nën shembullin e Kosovës, edhe Shqipëria po intensifikon përpjekjet për ngritjen e një qendre të tillë dhe forcimin e ligjit, pasi në Kosovë një robërues arinjsh dënohen nga 2-5 vjet burg, ndërsa në Shqipëri vetëm me masë administrative me gjobë.
Afatet janë premtuese për Ministrinë e Mjedisit e cila zonën e Dajtit e ka identifikuar për këtë aktivitet që pritet të zbatohen me ndihmën e donatorëve.

Edhe zyrtarët e lartë Kosovarë shpresojnë që kjo strehimore të ndërtohet edhe në Shqipëri.

Me këtë investim për arinjtë e murrmë të cilët janë në zhdukje e sipër, Prishtina i jep leksion Tiranës, pasi ndjeshmëria duket se në Kosovë për kafshët është më e lartë ndërsa në Shqipëria ende kafshët abuzohen dhe keqtrajtohen dhe askush nuk shqetësohet për këtë. E derisa të kemi një strehimore, 30 arinjtë shqiptarë ende do të jenë të pikëlluar nën pushtetin e kafazeve të hekurt dhe dyshemeve me beton ku në rastin më të mirë mund të ushqehen nga vizitorët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: