PRISHTINE- Qeveria në Prishtinë është e shqetësuar për shtetasit kosovarë, të cilët rikthehen nga rajonet e luftës në vendet e Lindjes së Afërt, pasi i sheh ata si potencial të mundshëm të sulmeve terroriste.

“Edhe krahas faktit që grupet terroriste e humbin kontrollin dhe territorin në zonat e konfliktit, ideologjikisht edhe më tej kanë mbështetje në shtete të tjera, duke përfshirë edhe rajonin”, theksohet në strategjinë antiterroriste të Qeverisë së Kosovës për periudhën e viteve 2018-2020.

Më tej, në strategji thuhet se, Kosova përballet me kërcënim të personave që janë kthyer nga zonat e konfliktit, dhe nga ata që kanë qenë të përfshirë në aktivitetet terroriste.

“Siç kemi parë në shumë raste nëpër gjithë Europën, individët e radikalizuar mund të kryejnë dhunë ekstreme mbi kombet dhe institucionet e vendeve të tyre, kështu që nuk mund ta hedhim poshtë mundësinë për sulme terroriste edhe në Kosovë”, thuhet në strategjinë e Qeverisë së Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb