TIRANE- Qeveria e Republikës së Shqipërisë reagon për ngjarjet e ndodhura prej dy ditësh në Kumanovë. Në një deklaratë për mediat qeveria shqiptare thekson se ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë.

Në reagimin e qeverisë shqiptare thuhet se, këto ngjarje dramatike kanë cënuar normalitetin e marrëdhënieve ndëretnike dhe kjo si pasojë e moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas”,-thuhet në deklaratë.

“Në këto kushte është më shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptare”,-sqarohet më tej.

Duke kërkuar transparencë për ngjarjen, qeveria shqiptare shton se, “Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e renda të Kumanovës, te cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t’ia lere vendin sa me pare transparencës së plotë për këtë ngjarje. Përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund”

Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligj zbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit.

“Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë.

“Republika e Shqipërisë dënon çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike që aspiron integrimin euro-atlantik. Republika e Shqipërisë gjithashtu do ta konsideronte jo vetëm kundër produktive po edhe të papranueshme për ambicien europiane të rajonit, çdo paragjykim mbi baza etnike të çdo personi apo grupi personash të armatosur. Qeveria e Shqipërisë e mirëkupton shprehjen e revoltës qytetare të shprehur përmes mjeteve të komunikimit, ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një ankthi e paqartësie kaq të madhe. Por Qeveria e Shqipërisë thekson me forcë po ashtu se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë. Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb