TIRANE –Ka zgjatur plot 50 minuta takimi mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit amerikan Barack Obama e zv/presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën të ditur se “në një atmosferë miqësore u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, procesin e reformave dhe rolin e kontributin e Shqipërisë në rajon”.

“Shqipëria është një aleat i jashtëzakonshëm. Unë dua t’ju falenderoj për çfarë ju keni bërë. Nën lidershipin tuaj, Shqipëria është tani një pikë referimi në Ballkan dhe një nga aktorët më të përgjegjshëm në rajon. Ne vlerësojmë rolin tuaj dhe ju mbështesim plotësisht,” – u shpreh Presidenti Obama.

Kryeministri Rama falenderoi Presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, duke e konsideruar Ballkanin e sotëm një histori suksesi të politikës së jashtme amerikane.

“Shqipëria është një vend pro amerikan, është një partner serioz në NATO dhe ajo që ne sot po bëjmë në Ballkan, duke çelur një faqe të re në historinë e bashkëpunimit në rajon, është edhe falë asaj çka SHBA ka bërë për rajonin. Ballkani sot është një histori suksesi e politikës së jashtme të SHBA-së,” – nënvizoi Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama e njohu Presidentin Obama dhe Zëvendëspresidentin Biden me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur kryesisht në reformën në drejtësi, ndërkohë që prezantoi edhe nismën për të hapur në Tiranë, Qendrën Rajonale për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

rama takon obamn

RAMA PAS TAKIMIT ME OBAMEN: MOREM PERGEZIME DHE INKURAJIM

Në përfundim të takimit, kryeministri foli për “Zërin e Amerikës”, ku theksoi se në takimin me presidentin Obama delegacioni shqiptar dëgjoi fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë dhe mori përgëzime dhe inkurajim shumë të madh.

“Dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona dhe ndamë së bashku bindjen se ku është një partneritet që do të vazhdojë të forcohet dhe që Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon. Morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjelle një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit tonë. Ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.”- deklaroi kryeministri Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare bëri të ditur se presidenti Obama u interesua me entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për tu njohur me fenë.

Kryeministri Rama tha se me rëndësi kanë qenë edhe diskutimet për reformën në drejtësi, të cilën Shtëpia e Bardhe e sheh tepër të rëndësishme dhe e mbështet fuqimisht. Sipas tij, reforma mund të ishte përfunduar tani, “nëse nuk do të kishte simulime që penguan procesin”.
“Ka pasur shumë simulime, si ato simulimet e njerëzve që nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport fallco për të penguar procesin. Sidoqoftë jam besimplotë që reforma do të kalojë. Cilado palë e ka kuptuar që kush pengon reformën hyn në telash me popullin shqiptar dhe me partnerët.”- deklaroi Rama.

Rama theksoi se shumë reforma kërkojnë bashkëpunimin me opozitën, sidomos ajo e drejtësisë. “Nuk po vë gishtin mbi një palë, por po them se është e domosdoshme se përjetoj retorikës dhe debatit, ne jemi shqiptar, s’jemi as danez. Nuk jemi keq kështu siç jemi. Vendin i duhet reformat, ashtu dhe njerëzve. Vendi nuk del dot pa reformat. Ka reforma si ajo e drejtësisë që është e mirë që të bëhet së bashku.”, tha ai. Teksa u pyet në lidhje me zbutjen e toneve dhe qëndrimit me opozitën, Rama pohoi se deklaratat e tij kanë qenë brenda standardeve.

“Ju dhe të tjerët më gjykoni më objektivisht sesa unë. Me ndonjë ekses jam ndjerë dhe keq në këtë ndonjëherë. Por standardet e mia jam brenda këtij oborri.”, bëri të ditur Rama. Kryeministri theksoi se nuk ka qenë i ashpër me deklaratat e tij ndaj Trump, por se ka dhënë opinionin e tij lidhur me kandidimin e tij për drejtimin e shtetit amerikan. “Nuk mendoj se kam qenë i ashpër. Më kanë pyetur dhe jam përgjigjur. Në Shqipëri, ata që zgjedhin Trampin para meje, janë të çmendur. Midis Trump dhe Lulzim Bashës, zgjedh Bashën. Është problemi i tyre, jo i imi”.

Nga ana tjetër ai theksoi se: “Është pjesë e një procesi. Ajo që kemi bërë me zë të lartë, në mbështetje të plotësimit të projektit të NATO-s, duke insistuar që të futet Mali i Zi, ka treguar se në një kohë mendimi i shumicës, kemi diskutuar që ky proces është i rëndësishëm. Kosova nuk mund të jetë e përjashtuar. Përkundrazi. Kemi folur dhe me presidentin e ri të Kosovës i cili do hy në këtë oborr dhe do takohet me zv.presidentit.”, tha ai. Kryeministri Rama komentoi dhe takimin dhe nisjen e bashkëpunimit me FBI-në. “Ne kemi hapur një takim me FBI dhe presim një marrëveshje. Presim një potencial nga ndihma që mund të marrim nga FBI pasi është vendi më i kuotuar dhe nëse flasim për vazhdimin kundër krimit dhe korrupsion, çështje që i kanë të gjithë dhe ne i kemi me shumicë si vende që kanë dalë nga e shkuara e herët, kjo është pjesë e rëndësishme.”, pohoi ai.

Vetëm pak çast nga përfundimi i takimit me liderë e SHBA-ve komentoi vizitën e tij, duke e cilësuar atë të paharrueshme. “1 orë e paharrueshme në Shtëpinë e Bardhë. Thank you Mr.President! Pas pak live me Sokol Ballen ne Top Story:-)”, citohet në mesazhin e Ramës.

Përpara takimit me presidentin Obama, kryeministri Edi Rama theksoi se “vizita në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment ku bëhet një rezyme e gjërave që kanë ndodhur dhe ku flitet për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke e vënë theksin në ato pika që janë më rëndësi të përbashkët strategjike.”

Takimi në Shtëpinë e Bardhë i kryeministrit Edi Rama dhe delegacionit që e shoqëron është fundi i një vizite historike jo thjesht për faktin se bëhet në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe në fund të një serie takimesh të rëndësishme që kreu i ekzekutivit pati në Nju Jork dhe në Uashington.

Intervistë e kryeministrit Edi Rama për Zërin e Amerikës, pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe Zëvendëspresidentin Joe Biden:

– Si shkoi takimi dhe për çfarë u fol?
Kryeministri Edi Rama: Mund të them që i kaloi parashikimet në kuptimin e atmosferës miqësore, ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona, dhe sigurisht ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që do të vazhdojë të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon, gjë për të cilën faktikisht morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh.

Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjellë një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë, dhe sot ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.

– Një nga temat, padyshim, ka qenë dhe ekstremizmi dhe radikalizmi. Mund të na flisni pak më gjerësisht për çfarë bëhet fjalë?
Kryeministri Edi Rama: Patjetër Presidenti u interesua, me thënë të drejtën, me shumë dëshirë dhe me entuziazëm në lidhje me idenë e futjes së në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për t’iu dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë. Qoftë të radikalizmit islamik që flet në emër të Kuranit, por është shkelja më e rëndë mbi Kuranin, qoftë edhe të ekstremizmit politik edhe në demokracitë e zhvilluara.

– Si do ta realizoni ju këtë, edukimin në shkolla, si edhe idenë tuaj për qendrën rajonale kundër radikalizmit?
Kryeministri Edi Rama: Qendra do të ngrihet dhe ne po përgatitemi me mbështetje shumë të fortë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Europian, dhe po ashtu kemi marrë një mbështetje të rëndësishme dhe nga USAID-i për sa i përket një programi që nuk është vetëm tek shkollat, por në të tërësi për promovimin e bashkëjetesës fetare tek të rinjtë, për garantimin e kësaj pasurie të madhe që është bashkëjetesa fetare në Shqipëri për më të rinjtë, të cilët nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë, por të investojnë për të.

Nga ana tjetër, ka qenë shumë e rëndësishme ajo çka kemi diskutuar për reformën në drejtësi, të cilën edhe Shtëpia e Bardhë e kërkon, e mbështet dhe sigurisht e konsideron një test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, që është rruga ku ne kemi një mbështetje shumë të fortë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga presidenti vetë.

-Ju kishit premtuar, kur sekretari Kerry ishte në Shqipëri që kjo reformë do të miratohej në pranverë. Por ndërkohë marrëdhëniet janë paksa të acaruara dhe reforma nuk ka shumë gjasa nëse nuk arrihet konsensusi me opozitën. Do të arrini ju të zbatoni këtë afat?

Kryeministri Rama: Do të më vinte shumë keq që të merresha me opozitën e vendit tonë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Unë e konsideroj që këtu i përfaqësoj të gjithë dhe të paktën brenda kufijve të Shtëpisë së Bardhë nuk dua të them atë që mendoj për opozitën, lidhur me reformën në drejtësi.

Faktikisht reforma duhet të kishte përfunduar tani, pasi faktikisht ajo çka është përgatitur është gati. Ka patur shumë simulime – si ato simulimet e njerëzve kur nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport fallco, – për të penguar procesin. Sidoqoftë unë jam besimplotë që reforma do të kalojë dhe jam besimplotë që cilado palë ka kuptuar thelbin që kush identifikohet si pengesa e reformës hyn në telashe të mëdha me popullin shqiptar në radhë të parë, por sigurisht janë në një telash shumë të madh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ky është një mesazh i qartë që e marrim nga të gjitha anët.

-Dje në takimin e Këshillit të Atlantikut, unë ju bëra një pyetje lidhur me klimën politike dhe në fakt ishte e vërtet ajo që thatë që këtu në Washington klima është e ashpër, sidomos në një vit zgjedhës që është jashtë normales. Për ta vazhduar më tej mendimin, retorika është e SHBA është e ashpër, por institucionet janë aq të forta sa ta përballojnë një gjë të tillë. Në Shqipëri klima ka qënë shpeshherë e ashpër dhe ju keni qënë aq shumë politik, sa që të gjithë lojtarët nuk mund të përjashtohen nga kjo. Mund ta vazhdoni pak idenë tuaj? Ka një lloj ndryshimi mes institucioneve të fuqishme këtu, që një fushatë nuk i trondit dot dhe brishtësisë që ekziston në Shqipëri për shkak të tranzicionit.

Kryeministri Edi Rama: Jam 100 % dakord me këtë. Sigurisht nuk mund të justifikoj as ashpërsinë, ndonjëherë deri në absurd të republikanëve në Amerikë, në raport p.sh me shumë reforma të presidentit Obama dhe as ashpërsinë, përtej absurdit ndonjëherë të politikës në Shqipëri dhe përsëri nuk po vë gishtin mbi një palë, por po them vetëm se është e domosdoshme që përtej retorikës, përtej debatit ne jemi shqiptarë dhe nuk do të bëhemi kurrë danezë apo zviceranë apo suedezë. E ndoshta, nuk jemi keq kështu siç jemi në shumë aspekte.

Të mos harrojmë se vendit i duhen reformat, njerëzve i duhen reformat. Shqipëria nuk del dot nga prapambetja e madhe institucionale, e cila është rezultat i 20 e ca viteve pa reforma reale, në qoftë se reformat nuk janë reale, nuk janë të thella dhe me çdo dhimbje ne duhet ti bëjmë. E patjetër që ne do të bëjmë pjesën tonë si qeveri, siç e kemi bërë deri tani, por ka reforma si ajo e drejtësisë që është mirë të bëhen së bashku dhe unë besoj se do të bëhen së bashku.

-Është ky një premtim që edhe ju do ta zbusni pak tonin tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Sigurisht, ju më gjykoni dhe të tjerët më gjykojnë shumë më objektivisht saç mund të gjykoj veten time, por sidoqoftë me ndonjë ekses, për të cilin jam ndjerë keq edhe vetë në këtë rrugëtim, besoj që fjalimet e mia janë të standardeve edhe të këtij oborri besoj.

Meqë jemi edhe tek ky oborr dhe meqë ju keni folur shpesh për zotin Trump, edhe dje tek CNN International, desha të bëj një pyetje, vërtet ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë komente shqetësuese për retorikën e zotit Trump, për kandidaturën e tij, por mendoj se vetëm ndoshta presidenti meksikan ka qenë më i ashpër sesa ju, për shkak të retorikës së murit, çfarë ju shtyn të jeni kaq i ashpër?

Unë nuk besoj se jam i ashpër, unë besoj se në këtë pikë jam i vërtetë. Jam pyetur, jam përgjigjur, nuk është se kam ndërmarrë ndonjë fushatë. Sa herë që do të pyetem, do të përgjigjem dhe nuk dua të di fare se çfarë mund të thotë njëri apo tjetri. Unë besoj se ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trump-in përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trump zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidha kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Por ama nuk është problemi im, nëse Lulzim Basha, apo cilido qoftë tjetër mes meje e Trump, zgjedh Trump. Është problemi i tyre, unë nuk kam problem.

-Zoti Rama, diçka për Kosovën, në qoftë se ju diskutuat në takim, Shqipëria ka kërkuar si anëtare e NATO-s dhe si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s në rajon, institucionalizimin e marrëdhënies së NATO-s me Kosovën. U diskutua në këtë takim për këtë?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është pjesë e një procesi. E sigurt është që ajo çka ne kemi qenë me zë të lartë dhe në minorancë fillimisht, në mbështetje të plotësimit të projektit të NATO-s, duke insistuar që të ftohej Mali i Zi, ka provuar që është bërë në një kohë të arsyeshme mendimi i shumicës dhe pikërisht për këtë, në fund kemi diskutuar edhe me Zëvendëspresidentin sesa e rëndësishme ka qenë kjo dhe sa e rëndësishme është që procesi të vazhdojë. Nuk diskutohet që në këtë proces që vazhdon, Kosova nuk mund të jetë kurrsesi e përjashtuar, përkundrazi.

Me Zëvendëspresidentin kemi folur edhe për Presidentin e ri të Kosovës, i cili së shpejti do të hyjë në këtë oborr dhe do të takohet me Zëvendëspresidentin, i cili më tha se e pret me kënaqësi shumë të madhe, si një mik të vjetër dhe si një njeri që ka bërë shumë për Kosovën.

-Takimi juaj i fundit sot, para se të largoheni, është me FBI-në. Çfarë prisni nga ky takim?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi hapur një proces bashkëpunimi me FBI dhe sot nënshkruajmë edhe një marrëveshje. Sigurisht, ne besojmë shumë tek potenciali i madh i ndihmës që mund të marrim nga FBI përsa i përket rritjes së kapaciteteve hetimore, rritjes së kapaciteteve në mbledhjen e provave për të cilat FBI është padiskutim vendi më i kuotuar dhe nëse flasim për vazhdimin e luftë kundër krimit, kundër korrupsionit, çështje që i kanë të gjithë, por që ne i kemi në mënyrë specifike në rajon dhe si pjesë e vendeve që kanë dalë nga e shkuara e errët komuniste, padyshim që kjo është pjesë e kësaj përpjekjeje.

-Ju faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Ju faleminderit shumë, edhe juve.

Intervistë e kryeministrit Edi Rama dhënë për Zërin e Amerikës përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barack Obama dhe zëvendëspresidentin Joe Biden:

Kryeministri Edi Rama: E para që duhet thënë është se është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona. Është një kulmim që nuk ndodh çdo ditë, pasi vizita në Shtëpinë e Bardhe takimi me Presidentin Obama dhe Zëvendespresidentin Biden, përben një moment ku bëhet një rezyme e gjërave që kanë ndodhur dhe ku flitet për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke vënë theksin në ato pika që janë me rëndësi të përbashkët strategjike. Unë e marr si një moment të një rëndësie të veçantë për vendin tonë, pasi është një marrëdhënie shumë speciale. Vizita në shtëpinë e bardhë përbën edhe një vlerësim të posaçëm për këtë fazë në të cilën vendi po kalon dhe për rolin e Shqipërisë në rajon. Ashtu sikundër edhe si një parter i ngushtë i SHBA-ve, besnikërisht prej 25 vitesh.

-A mendoni se çështjet e sigurisë që përmendet dhe situata botërore, pra roli i Shqipërisë dhe i Ballkanit do të kenë një vend të rëndësishëm?
Kryeministri Edi Rama: Padyshim edhe nga përgatitjet e takimit ka dalë fare qartë që nga njëra anë reformat e rëndësishme që ne kemi ndërmarrë dhe nga ana tjetër, në mënyrë të veçantë, roli ynë në rajon, politika jonë e jashtme në raport me rajonin, transformimi i madh që ka ndodhur si rezultat i një dinamike të re të rajonit, ku politika jonë e jashtme ka luajtur një rol të dorës së parë, përbëjnë edhe arsyet themelore të kësaj vizite dhe diskutimeve me presidentin. Padyshim edhe çfarë Shqipëria mund të bëjë me tutje në përballimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit në tërësi.

-Dje ka dalë raporti i përvitshëm i departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut. Kapitulli për Shqipërinë flet për të njëjtat shqetësime që kanë qënë edhe me parë. Shqetësim kryesor është korrupsioni, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe atë shëndetësor dhe pandëshkueshmëria. Cili është reagimi juaj ndaj këtij raporti?

Kryeministri Rama: Së pari raporti është një raport pozitiv për Shqipërinë. Korrupsioni është një problem me të cilin ne përballemi çdo ditë dhe nëse do të ishte fshirë nga raporti, do të kishim të bënim me një magji që faktikisht nuk i takon jetës konkrete. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë ndonjë magji. Ne kemi marrë përsipër të modernizojmë shtetin dhe modernizmi i shtetit, modernizmi i institucioneve, modernizimi i sistemeve të funksionimit të brendshëm të shtetit do të sjellë një ulje të vazhdueshme të korrupsionit.

Nga ana tjetër dua të theksoj se raporti flet shumë qartë se pika problematike që ne dimë të gjithë është drejtësia dhe pandëshkueshmëria që vjen si rezultat i mungesës së një sistemi drejtësie të besueshëm. Kjo është dhe arsyeja pse ne po bëjmë çdo gjë për të kaluar një reformë rrënjësore për sistemin e drejtësisë dhe kjo është arsyeja pse SHBA-e kanë mbështetur këtë reformë me të gjitha mënyrat dhe e duam me patjetër që kjo të ndodhe edhe si një shprehje kuptimplotë e seriozitetit në Shqipëri dhe të gjithë palëve në Shqipëri, në këtë partneritet, ku padyshim vlerat e demokracisë janë themeli.


(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb