Rama: Çdo muaj, tre kryetarët e doganave me performancën më të ulët do të ikin

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë të papritur mëngjesin e sotëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave që ka pasuar me shkarkimin e 3 zëvendësdrejtorëve.

Disa nga të shkarkuarit janë Zamir Shtylla, Elidon Konomi dhe nje i trete.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim të tensionuar me drejtorët e Departamenteve dhe të Drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Mëngjesin e sotëm, në një mbledhje që nuk ka zgjatur më shumë se 2 minuta ai i shkarkoi personalisht nga detyra disa nga drejtuesit.
Makina e tij hyri në orën 7.55 në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Rama ka qëndruar pa lëvizur brenda saj plot 10 minuta. Në orën 8:05 ai ka dalë prej saj dhe ka hyrë në sallën e mbledhjeve, prej të cilës ka dalë në orën 8:07.

Ndërkohë Rama është treguar shumë i ashpër me drejtuesit e doganave dhe ka adresuar një sërë kritikash ndë drejtim të tyre, kjo edhe pas shifrave të fundit nga ky institucion në lidhje me realizimin e të ardhurave. Mësohet se Rama ka deklaruar se “performanca e këtij institucioni ka qenë më e dobëta”.

“Institucioni më i dobët. Performanca e Doganave, më e dobëta”, mësohet se ka thënë Rama. Ndërkohë që burime nga Doganat, pohojnë se priten edhe shkarkime të tjera. Përveç drejtorëve, Kryeministri Rama u ka tërhequr vëmendjen edhe Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe Drejtoreshës së Doganave, Pranvera Fagu.

“Mos u ulni. Jeni një turp. Jeni të gjithë të shkarkuar. Çdo muaj, tre kryetarët e doganave me performancën më të ulët do të ikin. Zoti Ministër, zonja Drejtoreshë, merrni masat. Mirupafshim”.

Vizita e Ramës tek Doganat ka zgjatur vetëm pak minuta dhe më pas kryeministri ka vijuar axhendën e tij.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: