TIRANE-Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë eshte mbledhur per here te pare mesditën e sotme në mjediset e kryesisë së Kuvendit.  Në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se sot sistemi i drejtësisë është në fokusin e të gjithëve, ndaj shpresoj që për këtë të kontribuojnë të gjitha palët politike. I miratuar më 27 nëntor me një vendim të Kuvendit, komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, me qëllim evidentimin e problematikave, si dhe diskutimin gjithëpërfshirës të tyre me institucionet e sistemit të drejtësisë.

Komisioni do të propozojë për miratim një pakete të plotë projektligjesh të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese, e hartuar me kontributin dhe mbështetjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, subjekteve të tjera të interesuara dhe opinionit publik.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare Fatmir Xhafaj (PS), kryetar; Armando Subashi(PS) sekretar; Pandeli Majko (PS) anëtar; Vasilika Hysi (PS) anëtare; Ulsi Manja (PS) anëtar dhe Spartak Braho (LSI) anëtar, si dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare (3 PD, 1 PR dhe 1 PDIU), të cilët pritet t’i bashkohen punës së komisionit.

Veprimtaria e tij do të jetë me një afat kohor 6-mujor, ndërsa pranë tij do të funksionojë dhe një grup i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, me praninë e përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare si misioni EURALIUS, OPDAT-i, Komisioni i Venecias, i Prezencës së OSBE-së dhe misioneve të asistencës për çështjet e drejtësisë të përfaqësive diplomatike në Tiranë etj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb