TIRANE– Me zbarkimin në Tiranë të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Europa në kuadër të “vettingut”, duket janë stepur punonjësit e drejtësisë në vend. Sipas gazetarëve, duket se gjyqtarët e prokurorët në vendin tonë kanë menduar se kjo reformë nuk do të ndodhte realisht, apo të paktën jo brenda një kohe të shkurtër. Ndaj edhe ngurrimi i tyre është deri diku i pritshëm.

Gazetari Artan Hoxha tha se nga 800 prokurorë e gjyqtarë, në listën e atyre që u është refuzuar viza për në SHBA janë 71.

Shoqata e Gjyqtarëve shprehet se e ka mbështetur reformën në drejtësi, por sipas gazetarit Hoxha “çuditërisht kjo shoqatë nuk është marrë aspak me rastin e të vetmit gjyqtar të vrarë në Shqipëri në gjithë këto vite”. Artan Hoxha i është referuar rastit të gjyqtarit të vrarë Skerdilajt Konomi.

Duke u ndalur tek dënimet e dhëna në vendin tonë për raste të ndryshme, gazetarja Klodiana Lala thotë se autorët e krimeve të kryera që nga ’95 e më tej nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë, ndonëse kështu duhet të kishte ndodhur.

Drejtori i “BalkanWeb”, Tedi Blushi e cilëson gjyqësorin si një sistem të “kalbur”, duke iu referuar edhe ryshfeteve të ofruar për të bërë emërime të gjyqtarëve e prokurorëve. Blushi tha se përfaqësues të gjyqësorit në vend, shmangin përballjen në media, edhe për faktin se nuk mund të justifikojnë pasuritë e tyre.

“Frika e prokurorëve dhe gjyqtarëve është deri në palcë”, thotë gazetarja Klodiana Lala.

Ndërsa gazetarja Aleksandra Bogdani u shpreh se në mjaft raste është i vështirë verifikimi i të ardhurave të gjyqtarëve e prokurorëve.

“Shumica e tyre janë gjyqtarë karriere. Ata duhet të kishin pagën e tyre si gjyqtarë, si burim bazë të të ardhurave të tyre. por duke qenë se disa të tjerë kanë patur edhe profesione të tjera, psh duke ardhur nga avokatia, është e vështirë të verifikohet burimi i të ardhurave të tyre”, tha Bogdani.

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi ndër të tjera se burime pranë ILDKPI i kanë deklaruar se ka edhe nga ata gjyqtarë që deklaronin pasuri deri në 5 milion euro. Ajo tha më tej se shumica e gjyqtarëve kanë fëmijë që studiojnë në 3 kryeqytetet më të shtrenjta të botës, Paris, Londër dhe New York dhe udhëtojnë të paktën një herë në muaj në këto kryeqytete, kur rrogën e kanë 800 euro.

Pas saj ndërhyri drejtori i BalkanWeb, Tedi Blushi, i cili tha se: “Ka edhe raste kur brenda ILDKPI iu vënë gjoba këtyre gjyqtarëve që tua fshehin pasuritë”.

Duke u ndalur tek refuzimi i vizës së bashkëshortes së kryeprokurorit Adriatik Llalla, Blushi zbuloi edhe linjën e arsyetimit që ka ndjekur Ambasada Amerikane.

“Bashkëshortja e Llallës ka shkuar aty dhe ka qëndruar mbi dy javë, një pjesë të kohës në një klinikë private dhe një pjesë në një shtëpi me qira. Pra ka harxhuar 50 mijë dollarë për dy javë. Ky është argumenti që është ndjekur, paratë e shpenzuara për të qëndruar atje”, tha ai.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: