PRISHTINE – Përshkallëzimi i protestave në Kosovë dhe degradimi i tyre në dhunë ka shqetësuar jo pak personalitetet e Kosovës, përfshirë edhe akademikun Rexhep Qosja. Ky i fundit, pas ngjarjeve të ditës së shtunë ka reaguar nëpërmjet një statusi në faqen e tij personale të “Facebook”-ut. Siç ishte e pritshme, deklarata e Rexhep Qosjes ka qenë e fortë.

Veçse ka mbështetur opozitën, akademiku ka “justifikuar” edhe sjelljet e dhunshme të protestuesve, teksa thotë se “një pushtet që qëndron me dhunë, veçse me dhunë mund të largohet”.

“Ju jeni problemi më i madh i Kosovës. Në Kosovë po shkelen parimet dhe vlerat themelore të demokracisë”, e nis letrën e tij Qosja, teksa vijon se, “protesta e 9 janarit ishte një protestë e madhe, historike, me pjesëmarrje masive edhe të të papartishmëve, e organizuar prej tri partive opozitare, prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosjes dhe Nismës, me të cilën u bënë përpjekje që të ndërpritet shkelja e këtyre parimeve dhe e vlerave demokratike. Mjerisht, koktejet e molotovit dhe autoblindat e policisë u bënë hije, të shpresojmë vetëm përkohësisht, qëllimit dhe kuptimit larghedhës të protestës”, ka thënë Qosja.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, në kundërshti edhe me parimet e saj. “Pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi e priti si marrëveshje kundërkombëtare, fort të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, kurse qeveria e Kosovës po bëhet e shurdhër ndaj vullnetit dhe zërit të popullit”, shkruan Rexhep Qosja, teksa thekson se, “duke e shpallur të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës, e kjo domethënë duke e shpallur të paligjshme marrëveshjen në fjalë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deshi s’deshi i dha të drejtë Opozitës për protestat e saj shumëmujore në Kuvend dhe jashtë Kuvendit kundër këtyre marrëveshjeve”.

Akademiku i shquar ka treguar se, sipas tij, pjesa më e madhe e popullit shqiptar i dha të drejtë opozitës së Kosovës, meqë edhe vetë nuk pajtohet me dy marrëveshjet në fjalë, ndaj edhe i ka dhënë të drejtë opozitës për protestat e saj kundër këtyre dy marrëveshjeve. “Ata që e shpërfillën vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vullnetin politik të pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre si të ishte Kosova despoti orientale, në të cilën despotët s’duan të dinë as për Kushtetutë e as për popull! Ata që po e shpërfillin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vullnetin e pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre tashmë të paligjshme, kurse kryetarja e Kosovës po kërkon që për tejkalimin e krizës të bëhet dialog me një qeveri tashmë të paligjshme! Dhe, kështu edhe kryetarja e Kosovës, jo për herë të parë, po shkel vlerat dhe parimet demokratike”, ka thënë Qosja, i cili nuk ka ngurruar të godasë presidenten Atifete Jahjaga.

Qosja i ka konsideruar si të papranueshme arrestimet e deputetëve të opozitës, duke thënë se shqiptarët kanë besuar se me pavarësinë e Kosovës nuk do të kishte më arrestime politike. “Megjithëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës Marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe megjithëse pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës i trajton kundërkombëtare, të dëmshme fort për të sotmen dhe larg më të dëmshme për të ardhmen e Kosovës marrëveshjet e sipërpërmendura, Qeveria e Kosovës, me prokurorët dhe gjykatësit e saj politikë, vazhdon t’i mbajë në arrest deputetët e opozitës, duke u cenuar atyre të drejtën politike dhe duke na fyer kështu të gjithë ne, të tjerët, që kemi shpresuar se me pavarësinë e Kosovës nuk do pësojmë kurrë më arrestime politike”, është shprehur ai.

“Kjo nuk është Kosova për lirinë dhe pavarësinë e së cilës është bërë luftë! Kjo nuk është Kosova që kemi ëndërruar! Kjo nuk është Kosova së cilës i kemi kushtuar kush jetën, kush mendjen, e kush pasurinë”, është shprehur Qosja, i cili ka theksuar se këto nuk janë të vetmet të këqija që po dëshpërojnë dhe revoltojnë popullin e Kosovës. Sipas tij, të këqija të tjera, të mëdha, që helmojnë jetën e njerëzve janë, “korrupsioni i përshtrirë, krimi i organizuar, nepotizmi, papunësia e shumë e shumë qytetarëve si pasojë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit, të këqija me të cilat qeveria e sotme dhe paraardhëset e saj, si e tha një studiues amerikan, ka vënë kurorë politike e shtetërore”.

Ai ka konstatuar se kriza politike dhe institucionale e Kosovës nuk do të kalohet pa u larguar kjo qeveri prej pushtetit. Qosja beson se shteti i Kosovës nuk do të shërohet as në pikëpamje politike, as në pikëpamje shtetërore, as në pikëpamje morale pa u bërë beteja të organizuara politike, institucionale, shtetërore për parandalimin e të këqijave të sipërpërmendura që po nxisin gjithnjë e më shumë banorë të saj, për të kërkuar shpëtim në vende të tjera. Akademiku e ka përfunduar fjalën e tij me një deklaratë po aq të fuqishme, sa edhe nxitëse e protestave më të mëdha e të dhunshme.

“Në qoftë se nuk duan të largohen vullnetshëm ai dhe bashkësundimtarët e tij, demokracia evropiane dhe ajo amerikane na mësojnë: Ata që me dhunë e mbajnë pushtetin, ata me dhunë duhet të dëbohen prej pushtetit!” ka thënë Rexhep Qosja.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: