TIRANE– Një bashkëpunim më i mirë mes vendeve që aderojnë në Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), do të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm dhe përballje të suksesshme me sfidat globale.

Kështu deklaroi sot, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në çeljen e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të 51-të të PABSEC, që po zhvillohet në Tiranë. Ruçi vlerësoi rëndësinë e kësaj organizate rajonale, si dhe vuri në dukje disa prej sfidave globale që dalin para saj.

Duke nënvizuar misionin e kësaj organizate, Ruçi theksoi se “duhet të afrojmë e miqësojmë më shumë popujt dhe vendet tona, si dhe duhet të kontribuojmë që të shumëfishojmë potencialet që na ka falur natyra, me qeverisje të mirë, duke i përdorur ato në të mirë të mirëqenies dhe zhvillimit”.

Po ashtu, Ruçi theksoi domosdoshmërinë e intesifikimit të bashkëpunimit mes vendeve në të gjithë sektorët me interes jetik për jetën e qytetarëve, shëndoshjen e ekonomive dhe garantimin e mirëqenies.

“Integrimi në ekonomi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, mbrojtja e mjedisit, arsimi dhe kultura, mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemi bankar kërkojnë më shumë intesifikim bashkëpunimi mes vendeve tona”, tha ai.

Sipas Ruçit, “jetojmë në një kohë sfidash globale dhe vendet e Detit të Zi nuk janë të paprekshme prej tyre”.

Kjo, theksoi ai, e bën bashkëpunimin mes vendeve tona akoma dhe më të domosdoshëm.

“Me të vërtetë ne jemi një organizatë rajonale, por përgjegjësia jonë është europiane dhe më tej është globale. Bashkëpunimi mes vendeve tona është kusht themelor për fuqizimin e organizatës dhe ndikimin në mirëqenien dhe bashkëpunimin mes popujve e vendeve tona”, tha Ruçi.

Ai siguroi se “bashkarisht do të mbështesim edhe njëherë qeveritë në përballjet me sfidat e vështira si varfëria, pabarazia, korrupsioni, emigracioni, krimi i organizuar, terrorizimi, ekstremizimi i dhunshëm etj”.

Në përfundim të mandatit të tij si President i Asamblesë, Ruçi i uroi presidencës armene dhe gjithë organizatës një vazhdim të suksesshëm të misionit të saj për fuqizimin e bashkëpunimit mes parlamenteve, vendeve dhe popujve të Detit të Zi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb