TIRANE– Saimir Tahiri nuk do të jetë deputet i Partisë Socialiste deri në përfundim të hetimeve për të. Këtë e ka shprehur kryeministri Rama në fund të mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

“Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të partisë Socialiste dhe jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai theksoi se prokuroria duhet të hetojë e pandikuar, dhe të paraqesë prova konkrete nëse ka.

“Ne duam drejtësi, ata duan atë që kanë dashur gjithmonë, tollovi. Unë e dua Saimirin, por sot më shumë se Saimirin dua drejtësinë të më tregojë të vërtetën. Si përfundim, për të shkuar te e vërteta, Saimir Tahiri nuk mundet kurrsesi të linçohet në një burgosje, që në këto kusht ka vetëm qëllime të poshtra, por duhet gjithsesi të hetohet me të gjitha mundësitë shtrënguese që parashikon Kodi Penal. Dhe deri kur e vërteta të dalë, ne do të vigjilojmë mbi procesin vetëm në aspektin e garancive kushtetuese ligjore siç kemi bërë deri tani dhe siç do të bëjmë për këdo që drejtësia e re do të sjellë këtu në këtë parlament. Por në asnjë mënyrë nuk do të përzihemi politikisht në këtë proces si mbrojtës të Saimir Tahirit, nga unë më i pari, te të gjithë të tjerët. Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Saimir Tahirit, por për të bërë detyrat e mëdha që kemi për të qeverisur Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Rama.

Kreu i PS tha se Saimir Tahiri mund të riktheht në Partinë Sociliste kur të mbarojnë hetimet, dhe në rast se del e vërteta e tij.

“Saimiri do të jetë deri në përfundim të këtij procesi një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, për të bërë betejën e tij ashtu siç do ta mendojë ai, jashtë forumit të partisë dhe jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ne do ta presim drejtësinë të na e thotë të vërtetën sa më parë, dhe sigurisht sa për të mos lënë asnjë hapësirë ekuivoku, ne jemi këtu. Nëse prokuroria sjell prova, jo gazeta, dhe vjen këtu me fakte, që sipas saj i hapin rrugën procesit për arrestimin e deputetit, jo për të mbyllur derën, Komisioni i Mandateve mund të rimblidhet menjëherë, s’ka problem. Dhe ashtu siç do ta ngrinim dorën menjëherë kundër arrestit të mërkurën jo për të mbrojtur Saimir Tahirin, por për të mbrojtur kushtetutën, ligjin, drejtësinë, ashtu do ta ngremë edhe për arrestim po qe se prokuroria do të sjellë prova. Të bëhet drejtësi, dhe nëse në fund drejtësia pohon të vërtetën e Saimir Tahirit atëherë ju siguroj se nuk do të jetë më nevoja t’ju themi njerëzve si në kaq shumë vite se ne jemi ndryshe. Dhe Saimiri mirë se të kthehet me nderin që do t’i takojë dhe me zemrat tona peshë prej një çlirimi shumë të madh, në vendin që i përket, në këtë grup, dhe në këtë familje politike, ku gjithkush mund të gabojë, por askush nuk mund të tradhtojë Shqipërinë, njerëzit që na besojnë dhe na mbështetin”, theksoi kryeministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb