FIER- Ndonëse ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar kaloi për miratim vetëm me votat e maxhorancës, duke hasur kështu në kundërshti të madhe nga opozita, por edhe artistët dhe shoqëria civile, vjen reagimi nga ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Në një takim në Fier Vlahutin i bëri thirrje qeverisë që të bëjë dëgjesa me qytetarët dhe të arrihet në një marrëveshje. Ajo theksoi mes të tjerash se për këtë çështje ka marrë disa letra, ndërsa shtoi se pas një analize të thellë do të vijë edhe përgjigja nga BE.

“Kemi marrë letra dhe kërkesa që kanë të bëjmë me këtë çështje. Jemi duke bërë një analizë të gjatë ligjore. Këshilla ime do të ishte; dëgjoni qytetarët tuaj, flisni me ta për të gjetur zgjidhje në përfitim të qytetareve. Përgjigja jonë do të vij pas një analize të thellë lidhur me çështjen e teatrit. Të diskutohet me qytetarë”, tha Vlahutin.

Ndërkohë, pyetjes së gazetarit të ‘News24’ Ervis Kuçi se “Zëri i qytetarëve është zëri i artistëve?”, ambasadorja tha se: “Është e rëndësishme të dëgjohen qytetarët. Kur ka një vlerë emocionale, duhen dëgjuar qytetarët”.

Vlahutin ishte sot e pranishme në një takim të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri në një ndërmarrje sociale e themeluar nga dy organizata të shoqërisë civile.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb