TIRANE– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 18:40 në kryeqytet. Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në rrugën “Gjergj Legisi” në Laprakë. Burime për “BalkanWeb” sqarojnë se konflikti ka nisur fillimisht në lokalin e shtetasit Astrit Seferi, të cilin ai e menaxhonte së bashku me vëllain e tij, Arbenin.

Elion Leka, i cili është një nga 4 të plagosorit, dhe Astrit Seferi janë konfliktuar në lokalin e këtij të fundit.

Por Astriti nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka telefonuar vëllain e tij, Arben Seferin, dhe së bashku kanë shkuar tek lokali i Elion Lekës, i cili ndodhet rreth 1 km më larg lokalit të tij.

Aty janë konfliktuar me 31-vjeçarin Elion Leka, dhe më pas dyshohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.

Si pasojë, kanë mbetur të plagosur edhe tre personat që ndodheshin të ulur në tavolinë me 31-vjeçarin Leka.

Sipas policisë, shtetasit B.M, 31 vjeç, B.K, 33 vjeç, dhe A.B, 46 vjeç, janë plagosur aksidentalisht, pasi nuk kanë qenë të përfshirë në konflikt.

Mësohet se katër shtetasit e plagosur ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen motivet e konfliktit mes dy biznesmenëve, ndërsa pritet që hetimet e mëtejshme të policisë të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.

Informacion paraprak
Më datë 29.09.2017,rreth orës 18:40, kemi marrë njoftim se në rrugën “Gjergj Legisi”, janë plagos me armë zjarri disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku nga verifikimi paraprak ka rezultuar se : Në rrugën “Gjergji Legisi”, pas një konflikti në një lokal, janë plagosur me armë zjarri shtetasit E. L., 31 vjeç, B. M., 31 vjeç, B. K., 33 vjeç, dhe A. B., 46 vjeç. Katër shtetasit e plagosur ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Janë identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb