TIRANE– Heqja e “shpifjes” dhe “fyerjes” nga Kodi Penal është miratuar nga Parlamenti me konsensus në shkurt të vitit 2012. Dënimet e gazetarëve kanë qenë pjesë e shqetësimeve të ngritura në raportet e shumta të organizatave ndërkombëtare.

Ndërkaq, ish-­mazhoranca e djathtë pranoi të realizojë ndryshimet pasultimatumit që i vendosi Bashkimi Europian, ku lirinë e medias dhe problematikën e dënimit të gazetarëve e kishte të përfshirë në çdo progres­ raport, shkruan “Panorama”.

Për këtë shqetësim të mediave, për heqjen nga Kodi Penal të “shpifjes”, qëndrim të fortë kanë mbajtur dhe Këshilli i Europës, prezenca e OSBE­së, po ashtu dhe organizatat e ndryshme të mediave. Për dekriminalizimin e “shpifjes” shoqatat e medias vendëse dhe organizatat ndërkombëtare kanë lobuar që nga viti 2005, dhe pas një përpjekje 7­vjeçare, ish-­qeveria Berisha pranoi që të tërhiqet, edhe falë presionit të ndërkombëtarëve.

Raportet mes mazhorancës së djathtë dhe ish­-opozitës socialiste në vitin 2012 kanë qenë mjaft të tensionuara, por për një çështje të tillë, kaq të rëndësishme, palët kanë arritur të miratojnë propozimet e qeverisë për Kodin Penal me konsensus.

Për këtë çështje u bë një ndërhyrje konsensuale dhe në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, e cila i jepte mundësinë që në raste e shpifjeve të gazetarëve ndaj zyrtarëve të lartë, çështja mund të ndiqej në rrugë civile, duke i ndëshkuar me gjobë në rastet kur vendoste gjykata.

Por, në çdo rast, gazetarët apo mediat nuk do të dënoheshin me burg. Plot pas tri viteve të konsensusit PD­PS, qeveria Rama ka depozituar në Kuvend ndryshimet e reja në Kodin Penal, duke rikthyer burgun për gazetarët, por edhe për cilindo që shpif ndaj zyrtarëve të lartë. Në ndryshimin e propozuar nga Kryeministri Rama parashikohet dënim me burg edhe për qytetarët, të cilët shfrytëzojnë hapësirat endryshme, qoftë dhe të rrjeteve sociale, për të publikuar artikujt apo akuza ndaj zyrtarëve të lartë.

DEBATI
Në procesverbalet e Komisionit të Ligjeve të vitit 2012, kryetari aktual Fatmir Xhafaj ka dhënë dakordësinë që nga Kodi Penal të hiqet burgu për “shpifjen”.

“Mendoj se shpifja dhe fyerja nuk është një vepër penale që e ka vetëm legjislacioni penal shqiptar. Në qoftë se ne do të shikonim legjislacionin penal të shumë vendeve europiane, do ta gjenim këtë institut. Ajo që kuptova unë është se ju bëni një dallim lidhur me nenet 239 dhe 240. Do t’ju lutesha shumë, meqenëse unë bëj pjesë tek ata që janë në proces reflektimi për këtë gjë, a mund të ma saktësoni edhe një herë pse e bëni këtë diferencë? Ne kemi pasur një mendim për t’i ruajtur nenet 239 dhe 240 duke i riformuluar”, ka thënë Xhafaj.

Por shqetësimeve të atëhershme të Xhafajt i është përgjigjur ekspertii asaj kohe i shoqërisë civile, Gent Ibrahimi, i cili e ka sqaruar se për një çështje të tillë Gjykata e Strasburgut do ta quante shkelje të të drejtave të njeriut.

“Gjykata e Strasburgut do të pyeste veten nëse ka pasur apo jo cenim të lirisë së shprehjes së këtij shqiptari nga shteti i tij. Pa dyshim, përgjigja duhet të ishte po, përderisa ai ka marrë mundimin të shkojë deri atje”, ka thënë eksperti Gent Ibrahimi.

Fakt që e ka bindur kryetarin aktual të Komisionit të Ligjeve të pranojë argumentet e ekspertëve: “Unë mendoj se arsyetimet e të dy ekspertëve janë të plota dhe na japin të gjithë mundësinë për të reflektuar. Nenet 239, 240 dhe 241 të shfuqizohen, ashtu siç janë propozuar”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: