BERAT- “Në momentin kur Tomor Mançe shkoi në Urgjencën e Beratit, aty mungonin mjekët roje. I pari që i dha ndihmën e parë që ishte në urgjencë i vetëm, ishte mjeku psikiatër. Ishte festa e Bajramit”. Kështu pohoi në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetarja Eneida Petova, e cila nxori në dritë të tjera detaje që thellojnë akoma më shumë skandalin në spitalin e Beratit, ku humbi jetën pas një ataku në zemër, 48-vjeçari Mançe. Ajo tha mes të tjerash se pasi mori ndihmën e parë, Mançe u nis për në shtëpi, për t’u rikthyer ditën tjetër me urgjencë, shkruan ‘BalkanWeb’.

Por, kur Mançe -tha Petova- shkoi në spital për herë të dytë, atje nuk kishte mjek, por vetëm një infermiere dhe dy praktikante. Ajo shtoi se të vetmet që i ofruan ndihmë pacientit ishin dy praktikantet, ndërkohë që mjeku i zemrës kishte shkuar t’i bënte një vizitë rutinë dhe ishte kthyer në repartin e tij.

“Në momentin kur ka mbërritur për herë të dytë në spital, ka ardhur për vizitë vetëm mjeku i zemrës, pasi mjek të tjerë nuk ka pasur. Pasi ka parë që tensioni i zotit Mance ka qenë mirë, ai është larguar në repartin e tij. Në spitalin e Beratit nuk ka specialist, siç është mjeku Miltjadh Veveçka, është mjek psikiatër. Ai ishte mjek roje atë ditë në urgjencën.

Në momentin e mbërritjes për herë të dytë të viktimës në spital, ka pasur një infermiere dhe dy praktikante, dhe jo mjek roje. Ky i fundit ishte larguar nga spitali pas orës 20:00. Emrin e mjekut që është larguar ditën e dytë nuk mund ta bëjë publike, për shkak të hetimeve. Ai është rikthyer në punë ditën tjetër. Kur kemi kërkuar që të shohim kartelën, na thanë se ‘nuk është’. Mjeku Veveçka ka deklaruar se kartela nuk është. Ai ka bërë denoncim në polici. Por kartela është në prokurori, në një kohë që aty duhej të ishte kopja e saj dhe origjinali në spital. Kjo është një tjetër shkelje e rëndë, pasi kartela origjinale nuk duhet të dalë nga spitali”, pohoi Petova.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb