KOSOVË- Ish-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, ka deklaruar se ka informata që Lista Serbe, qysh para zgjedhjeve, ka pasur marrëveshje për hyrje në qeverinë e Ramush Haradinajt.

Në një deklaratë për mediumin serb N1, Samarxhiç ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën në mënyrë që shtetit serb t’i hapet perspektiva evropiane, por dyshon se Serbia edhe në atë rast do të bëhej anëtare e BE-së.

Kujton se të gjitha partitë politike që dikur kanë qenë të lidhura me Beogradin, janë zhdukur nga skena politike në Kosovë sepse kanë refuzuar që të regjistrohen në Kosovë veprim me të cilin do të njihnin pavarësinë e saj, transmeton Koha.net.

“Lista Serbe, në anën tjetër, gëlltiti një pilulë të hidhur dhe u regjistrua në Kosovë”, thotë Samarxhiç, dhe vlerëson se bëhet fjalë për një parti që nuk është SNS (Partia Progresive Serbe) “por në thelb është SNS).

Ai dyshon që Lista Serbe ka aq shumë përkrahje nga qytetarët në Kosovë.

“Këtë pranim të koalicionit me Ramush Haradinajn, njerëzit në Kosovë që e përcjellin gjatë skenën politike, më kanë thënë se ai koalicion është dakorduar para zgjedhjeve, se kjo është arsyeja që Lista Serbe ka fituar aq shumë përkrahje, në mënyrë që të bëhet ky kombinim”, ka shtuar Samarxhiç.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb