Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Sopranoja shqiptare tregon pse u shpërngul nga Dubai në Tiranë: Gjithçka filloi tek vajza

INVA MULA 1

TIRANË- Për pak kohë sopranon Inva Mula do ta kemi në Shqipëri. Sopranoja tregoi në emisionin “Studio e Hapur” në News24 se për shkak të vajzës dhe për të kaluar më shumë kohë me të është shpërngulur në Tiranë. Ajo thotë se jetesa në Dubai, udhëtimet e gjata dhe të lodhshme ia vështirësonin punën dhe meqenëse vajzës i pëlqeu qëndrimi në Tiranë, ajo ka zgjedhur të jetë këtu për pak kohë.

Megjithatë ju shohim më prezentë në Tiranë? Këtë mund ta pohojmë, keni një restorant, e keni hapur me mikeshat tuaja, duket sikur ka një prezencë më të madhe të Invës në Tiranë. Keni vendosur të jetoni përfundimisht në Tiranë, apo një kohë më të madhe në Tiranë? Ia bëra këtë pyetje Kadaresë javën e kaluar dhe ai tha unë do të jem midis Parisit dhe Tiranës dhe nuk e ndryshoj këtë gjë. Për ju si është ky raport?

Është një raport që vërtetë ka ndryshuar vitin e fundit pasi ne jemi vendosur në Tiranë por nuk ka qenë një vendosje që ‘tani nga kjo kohë do jetojmë këtu’. Duke qenë se vajza duhet të kishte patjetër një shkollë, kopsht ajo është 5-vjeçare ishte e pamundur ta përballonte. Udhëtimet tona ishin shumë të gjata, udhëtimet e mia ishin shumë të lodhshme dhe duke qenë se nga Parisi ne kemi jetuar në Dubai për mua ishte e pamundur që të shkoja në të gjitha kontratat për arsye se rruga ishte shumë e gjatë dhe nuk arrija dot që të rrija me vajzën, atëherë mendova që duke qenë se vajzës i pëlqeu…aty filloi gjithçka.

Ajo shkoi në një kopsht ku ndihej jashtëzakonisht mirë. Vazhdoi të njëjtin program të anglishtes siç e kishte në Dubai dhe na u duk që ishte shumë e lumtur. Ajo ishte shkëndija që na bëri po se, derisa vajza ndihet mirë dhe unë gjithë udhëtimet e mia i bëj në mënyrën më komode nga Tirana. Kështu që për momentin jemi këtu.

Jeni vendosur në Tiranë?

Po. Se çfarë do bëhet vitin e ardhshëm…

Çfarë konsideroni ju arritjen më të madhe të karrierës suaj?

E vështirë kjo pyetje sepse të them se kam arritur akoma do gënjej. Nëse një artiste lirike arrin të këndoja në Scala të Milanos me artistët më të mëdhenj, apo në Arenën e Veronës  apo në Metropolitan apo në Operën e Vjenës apo në Operën e Parisit, mendoj që s’mund të pretendoj që nuk i kam bërë këto gjëra. Si arritje, nëse tani duhet të them një përgjigje të shpejtë do ishte që nga interpretimi në 90-ën me “Peshkatarët e Perlave” unë nuk kisha akoma pasaportë si çdo shqiptar dhe tani kthehemi pas 27 viteve, janë shumë, megjithatë janë pak për një hap kaq të madh dhe për të parë gjithë artistët e rinj që kanë mundësi jo vetëm për pasaportë por të kenë informacionin e duhur se çfarë bëhet në atë botë që për mua ishte shumë e vështirë 26 vite më parë. Kur kam shkuar për herë të parë në Paris, ka qenë ditë dimri dhe jam gjendur shumë keq, isha shumë e vetmuar. Nuk kisha ku të jetoja, nuk njihja gjuhën, nuk njihja mentalitetin, nuk njihja çfarë bëhej dhe sigurisht nuk kisha fare të ardhura. Familja nuk kishte asgjë në atë kohë çfarë mund të më jepte, kështu që ishte moment shumë i vështirë dhe mendoj një artiste që del në këto kushte dhe sot arrin që po ta kthejë kokën mbrapa të gjitha teatrot e botës janë përshkruar, kjo është arritja e një artisti i cili besoj nuk vinte nga një familje që i kishte të gjitha kushte, pavarësisht se familja mi kishte krijuar kushtet, nuk përputheshin me ato që unë gjeta në Paris.

Ju përmendni emrat e teatrove të ndryshme në botë, cilat kanë qenë duartrokitjet më të veçanta që keni marrë ose që kujtoni?

Duartrokitjet më të veçanta, që më kanë emocionuar në fakt janë në Arenën e Veronës. Unë kam interpretuar shumë role por ishte hera e parë që u konfrontova me një publik që ishin 16 mijë veta, një traditë e jashtëzakonshme në artin lirik. Unë pata fatin që të këndoj Xhildën në operën “Rigoleto” me baritonin e madh Leo Luçi dhe në mbarimin e aktit të dytë pasi kishte duartrokitje kaq të fuqishme nga të gjitha anët, u ripërsërit pjesa e fundit, gjë që është shumë e rrallë, sidomos në Arenën e Veronës dhe mendoj që ato kanë qenë duartrokitjet që akoma kur i mendoj sot ose kur i shikoj, mendoj që ajo vajza atje nuk jam unë, se s’ka mundësi.

Sa emocionon realisht një premierë, si mund ta tregoni sot pasi keni kaq vite karrierë në shpatulla? Emocionoheni gjithmonë njësoj, është diçka që përmirësohet me kalimin e kohës?

Jo, më duket se nuk përmirësohet. Mendoj që me eksperiencë mund të përmirësohet por kam përshtypjen që ato minutat e para, para shfaqjes, të paktën për mua personalisht është një blackout, ti thua si ka mundësi të përballem përpara publikut, të jem e vetme në skenë dhe ta përballoj një gjë të tillë. Dhe atje është një kimi në trupin tënd, diçka ndodh në tru, është diçka që ti nuk e kupton, veç gjendesh në skenë dhe të dalin krahë që ta përballosh një gjë të tillë. Është një moment i vështirë që ndan gjithçka.

(m.k/BalkanWeb)


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .