Statusi i Kosovës është çështja më e rëndësishme nacionale e Serbisë, në zgjidhjen e së cilës do të mundë të kontribuonte formimi i një komisioni nacional apo shtetëror. Ky konkluzion ka dalë në tryezën ku për temë diskutimi ka pasur dialogun e brendshëm për Kosovën, të iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Përfaqësuesit e Institutit për shkenca shoqërore dhe humanitare vlerësuan se “dialogu i brendshëm” nuk duhet të jetë i kufizuar në kuptimin kohor, dhe se zgjidhja e propozuar duhet të kënaqë edhe palën serbe e edhe palën shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njëri nga pjesëmarrësit e tryezës, ku ishin 50 ekspertë nga 22 institute, Momçilo Pavloviç nga Instituti për Historinë Bashkëkohore, ka thënë se nuk ekziston një zgjidhje e vetme dhe e shpejtë.
Misha Gjurkoviç nga Instituti për Studime Evropiane gjatë diskutimit kundërshtoi idenë e demarkacionit apo ndarjes së Kosovës, derisa Vojislav Pavloviç nga Instituti Ballkanik i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë ka thënë se “krahas brengosjes për territorin, duhet pasur kujdes edhe për njerëzit”.
Pjesëmarrësit kanë shprehur qëndrime të ndryshme për zhvillimet historike në Kosovë dhe për raportet e tashme. Ky ka qenë edhe konkluzion i zyrtarëve që kanë marrë pjesë – shefi i grupit punues për mbështetjen e dialogut të brendshëm, Marko Gjuriç, ministri i Arsimit, Mladen Sharçeviç, dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç.

“Kemi dëgjuar qëndrime diametralisht të kundërta”, ka thënë Gjuriçi. “Ky është kualiteti i këtij diskutimi dhe mendoj se prej tij mund të mësojmë shumë”. Më 16 tetor, Qeveria e Serbisë ka formuar grupin punues me qëllim të ofrimit të mbështetjes së dialogut të brendshëm për Kosovën. Pjesëmarrjen e kanë përkrahur Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve, shoqëria civile dhe një pjesë e opozitës. Zgjidhja e cila duhet të jetë rezultat i dialogut të brendshëm, sipas fjalëve të presidentit Aleksandër Vuçiç, duhet të jetë e formuluar më së largu në marsin e vitit 2018.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: