SHBA- Universi po zgjerohet shumë më shpejt nga se parashikohet, me një shpejtësi 10% më të lartë se sa ajo që ishte matur deri tani, sipas një përllogaritje precise të zhvilluar mbi këtë fenomen dhe të publikuar në revistën shkencore “Astrophysical Journal”.

100 vite nga përllogaritjet e para mbi shpejtësinë e zgjerimit të universit, ky rezultat hedh dritë mbi një aspekt të mistershëm të kozmosit sepse jep të dhënat e para mbi një fizikë të re, ose mbi një fizikë rregullat e të cilës nuk përkojnë me ato që parashikohen nga Modeli Standard.

Ky rezultat është meritë edhe e babait të zbulimit që zgjerimi po përshpejtohet, fituesit të çmimit Nobel në Fizikë, Adam Riess dhe të grupt të tij që punon në institutin amerikan “Space Telescope Science Institute” dhe të Universitetit “Johns Hopkins”.

“I mundësuar edhe nga të dhënat që teleskopi hapësinor Hubble ka mbledhur, ky rezultat hap dyert drejt një udhëtimi në mister. Shohim sinjale që na vijnë nga ndonjë botë e re, por nuk dimë si është e bërë dhe as ku ndodhet”, shpjegon zëvendëspresidenti i Insitutit italian Kombëtar të Fizikës Bërthamore (INFN), Antonio Masiero.

Studiuesit kanë vëzhguar me teleskopët që përdoren nga NASA dhe Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) disa yje që quhen Çefeide, të karakterizuara nga një marrëdhënie e rregullt mes periudhave të pulsimit dhe ndriçimit dhe për këtë arsye përdoren si pika referimi për të matur distancat e galaksive.

Yjet e përdorura këtë herë janë 10 herë më largë se sa ato që ishin përdorur në të kaluarën dhe kanë mundësuar që të përllogaritet se galaktikat po largohen mes tyre me një ritëm më të shpejtë nga se parashikohet dhe se universi po zgjerohet me një shpejtësi më të lartë se 10%, në raport me përllogaritjet e mëparshme.

Sipas fizikantëve kjo mospërputhje shkaktohet nga diçka e panjohur në përbërjen e universit, që vë në krizë teorite standard të kozmologjisë.

Një hipotezë është që motori që shtyn universin drejt zgjerimit, që është energjia e errët dhe që zë 75 për qind të kozmosit, mund të largojë galaksitë njëra nga tjetra me një forcë edhe më të madhe nga se parashikohej. Kjo nënkupton se përshpejtimi mund të mos ketë një vlerë konstante dhe se ndryshon në kohë.

Një tjetër hipotezë është ekzistenca e disa grimcave të reja të ngjashme me neutrinot, por edhe më të pakapshme, të ashtuquajturat neutrinet sterile.

Ndërsa hipoteza e fundit është se materia e errët, ose materia e padukshme që përbën 25% të kozmosit, ndërvepron me materien e dukshme më fortë nga se mendohej./Atsh
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb